Kryeministri Berisha takohet në Paris me zotin Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit i ngarkuar për Ekonominë dhe Tregtinë e Jashtme
Gjatë qëndrimit në Paris, ku mori pjesë në punimet e Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, Kryeministri Berisha u takua me zotin Pierre Lellouche, Sekretar i Shtetit i ngarkuar për Ekonominë dhe Tregtinë e Jashtme.
Zoti Lellouche i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në këtë Simpozium me rëndësi ndërkombëtare dhe e falënderoi atë për kontributin e tij në këtë mbledhje të personaliteteve të rëndësishëm e vendimmarrësve nga e mbarë bota, si kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra, ambasadorë, presidentë kompanish ndërkombëtare, profesorë, gazetare etj.
Gjithashtu, ai i shprehu Kryeministrit Berisha urimet e tij në lidhje me suksesin e ekonomisë shqiptare dhe të modelit të zhvillimit të shëndetshëm me rritje, edhe në këtë periudhe krize mbarë botërore. Ai tha se interesi për bashkëpunim i qeverisë dhe sektorit privat francez është rritur në sajë të performancës ekonomike e treguesve shumë ftues për investitorët. Gjatë bisedës, zoti Lellouche theksoi interesin dhe planin francez për projekte në fushën e energjisë hidro dhe të erës, në fushën e transportit rrugor e hekurudhor, në fushën e turizmit dhe këmbimeve tregtare.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Lellouche për pritjen e ngrohtë të qeverisë franceze, që iu dha nga të gjithë përfaqësuesit e saj, si Kryeministri Fillon, ministri i Industrisë, Energjisë dhe Ekonomise Dixhitale z. Eric Besson, e cila ishte ministria organizatore e Seminarit. Më tej, Kryeministri i prezantoi zotit Lellouche mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sektorët me interes për qeverinë dhe biznesin francez, si dhe shprehu atij mirënjohjen për përzgjedhjen e Shqipërisë si ekonomi me zhvillim të shpejtë e rritje ekonomike në kohë krize, duke i dhënë mundësinë të ndante mendime e eksperienca me kolege politikanë, me përfaqësues të botes së biznesit, akademisë, diplomacisë e gazetarisë.
Kryeministri Berisha e ftoi zotin Lellouche për vizitë pune në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit dhe u pranua prej tij.
07/01/2012