Kryeministri Berisha takon Këshillin Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë
Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim pune me Këshillin Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Presidenti i kësaj Dhome z.Philip Bay ka falenderuar Kryeministrin për pranimin e ftesës dhe për mundësinë e shkëmbimit të mendimeve mbi situatën ekonomike aktuale në vend.
Kreu i Dhomës Amerikane te Tregtisë e ka njohur z. Berisha me punën që bën dhoma në mbrojtje të interesave të biznesit dhe zhvillimin e klimës së biznesit në vend. Në këtë kuadër janë vlerësuar mjaft ndryshimet e fundit legjislative të ndërmarra nga qeveria që nga shkurtimi i kohës dhe kostos së liçencimit, taksa e sheshtë etj.
Gjatë takimit u fol për format e hapura të dialogut që biznesi kërkon të ketë me qeverinë si dhe angazhimin maksimal të biznesit në diskutime kur bëhet fjalë për hartimin e ligjeve që prekin drejt për drejt aktivitetin e biznesit, në mënyrë që të evitohen problemet e mundshme gjatë zbatimit të ligjit.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi ligjet e fundit që kanë kaluar për miratim në Parlament që nga Ligji i Shoqërive Tregtare, Ligji i Proçedurave Tatimore apo Ligji i Falimentit.