Kryeministri Berisha takon Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sannino
Kryeministri Berisha priti sot në takim zotin Stefano Sannino Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, i cili shoqërohej nga Ambasadori i BE-së, zoti Ettore Sequi.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pa kursyer, që Komisioni Evropian dhe stafi i tij i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë, si në të gjitha aspektet e reformave prioritare, ashtu edhe në procesin e integrimit.
Zoti Stefano Sannino, e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i konfirmuar vullnetin e palëkundur të Komisionit dhe të Bashkimit Evropian për të vazhduar këtë mbështetje ndaj Shqipërisë.
Në takim u vlerësuan hapat e marrë nga Shqipëria në procesin e Integrimit Europian. Pasi vlerësoi transparencën dhe cilësinë e procesit të votimit dhe numërimit, duke folur në lidhje me situatën pas zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, kryeministri Berisha, i garantoi zotit Sannino, se mazhoranca qeverisëse dhe koalicioni i saj, është i vendosur që çdo votë e qytetarëve shqiptare të vlerësohet, përmes një procesi tërësisht transparent e të paanshëm, i njëjti proces transparent që u konstatua gjatë procesit të numërimit dhe që është vlerësuar deri më tani, si ndër më të mirët, më të hapur, e transparent .
18/05/2011