Kryeministri Berisha takon Kryeministrin e Pakistanit, Gillani

Gjatë qëndrimit në Stamboll ku po zhvillon punimet Forumi Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Pakistanit, Syed Makhdoom Yousaf Raza Gillani.
Gjatë takimit të dy kryeministrat rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dëshirën e dy qeverive për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta politike, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe investimet e ndërsjellta.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Pakistanit, Gillani ranë dakord të miratojnë kuadrin e plotë ligjor për bashkëpunimin ekonomik dhe garantimin e investimeve.
Kryeministri Gillani u shpreh se investitorët pakistanezë kanë shprehur interest të madh për të investuar në Shqipëri në fushën e industrisë së lehtë, si në prodhimet e lëkurës, tekstile dhe në farmaceutikë.
Kryeministri i Pakistanit informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti një grup i madh investitor pakistanez do të vizitojë Shqipërinë për t`u njohur nga afër me potencialet e saj.
Më tej Kryeministri Gillani vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe e falenderoi Kryeministrin Berisha për gatishmërinë që po tregon qeveria shqiptare për rihapjen e misionit diplomatik në Islamabad.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gillani u ndalën edhe në çështjet e zhvillimeve në rajon, duke u ndalur veçanërisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Berisha u shpreh se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht themelor për sigurinë dhe paqen në rajon dhe se Pakistani mund të luajë një rol të rëndësishëm në njohjen e Kosovës, duke inkurajuar edhe vendet e tjera mike.
Të dy kryeministrat shprehën dëshirën për shkëmbimin e vizitave të ndërsjellta.
31/10/2008