Kryeministri Berisha: Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, duke marrë vlerësime pozitive ndërkombëtare
- “Në sajë të reformave ekonomike dhe financiare të qeverisë, Shqipëria është bërë tashmë një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj.”
Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Stamboll, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në panelin kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian. Kryeministri Berisha, duke folur për angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të përmbushjes së standardeve të BE-së, u shpreh se qeveria shqiptare ka firmosur me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe se ajo po ecën në përputhje të plotë me standardet e BE-së.
“Zbatimi i këtyre standardeve është në të mirën e qytetareve tanë. Unë vlerësoj si shumë të rëndësishme zbatimin e këtyre vlerave në të mirë të popujve tanë,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha e konsideroi anëtarësimin në BE një forcë shtytëse për zhvillimin e të gjithë rajonit të Ballkanit.
Në të shkuarën, Ballkani, - u shpreh Kryeministri Berisha - ka qenë një zonë me probleme dhe në këtë kontekst, anëtarësimi ne BE është një forcë shtytëse për zhvillimin e rajonit. Ky është një proces shumë i dobishëm. Reformat që ne zbatojmë marrin shkak pikërisht nga projekti për anëtarësim në BE. Ne ushqehemi shpirtërisht nga NATO dhe BE. Kjo është ajo që duhet të ndodhë, të frymëzohen shtetet dhe të nxiten drejt rrugës së zhvillimit dhe integrimit.
Në këtë proces, theksoi Kryeministri, vështirësi janë të pashmangshme dhe duhet të vlerësohet performanca dhe ritmi me të cilin përparon çdo vend.
“Duke e parë nga pikëvështrimi im dhe i vendit tim, çështja e zgjerimit, e parë në aspektin e sistemit financiar dhe atë bankar, është çështje e bankave më të mëdha të vendeve të BE-së. Në këto javë dhe muaj, unë vura re dhe isha i lumtur që liderët europianë u bashkuan dhe reaguan të gjithë në një pikë të përbashkët. Edhe pse nuk jemi pjesë e BE-së, ne tashmë jemi totalisht pjesë e të gjithë sistemit financiar të BE-së. Në Shqipëri, nuk ka më banka shqiptare, janë të gjitha banka të vendeve të BE dhe një edhe turke."
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e vlerësoi procesin e zgjerimit të BE-së një histori suksesi dhe shprehu kënaqësinë që integrimi në BE mbështetet nga 95 për qind e qytetarëve shqiptarë.
“Unë mendoj se zgjerimi është një histori suksesi. Nuk ka evidencë që zgjerimi ka lënduar vendet e BE-së, përkundrazi, e kundërta është e vërteta. 95 për qind e shqiptarëve përkrahin integrimin në BE dhe kjo sjell konfidencë, sjell energji të reja dhe elementë pozitivë në proces,” u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri Berisha theksoi se që në ditët e para të saj qeveria e drejtuar prej tij i shpalli një luftë të ashpër korrupsionit.
Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - ka vuajtur shumë nga korrupsioni, i cili më parë, ishte kthyer në sistem. Në fillim, ne u përqendruam në disa reforma të rëndësishme. Ne nxorëm administratën nga konflikti i interesit dhe vendosëm standarde të qarta në këtë drejtim. Ne i përdorëm të ardhurat tërësisht në shërbim të publikut dhe jo për interesa private. Ne ndoqëm politikën e një qeverisjeje të vogël, por efikase, miratuam ligje dhe vendosëm shpërblimin për të gjithë ata që denoncojnë akte korruptive, janë ulur ndjeshëm shpenzimet operative të administratës dhe në tre vjet, janë mbledhur 3.2 miliard dollarë. Duke i vlerësuar me parametrat e vendeve të BE-së, - u shpreh më tej Kryeministri - ne kemi vendosur taksat më të ulëta në Europë, ndërmorëm një proces të suksesshëm të privatizimeve të mëdha, reduktuam lejet dhe licencat, po vendosim procedurat elektronike në dogana dhe tatime.
Në sajë të reformave ekonomike dhe financiare të qeverisë, Shqipëria, tha Kryeministri, është bërë tashmë një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj. Me masat e ndërmarra dhe përpjekje të mëdha e të gjithanshme, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, duke marrë edhe vlerësime pozitive ndërkombëtare.
Në përgjigje të interesimit të medias, Kryeministri Berisha u shpreh se “kushti më themelor i suksesit të reformave është suksesi në luftën kundër korrupsionit. Në rast se nuk luftohet korrupsioni, çdo lloj reforme që mund të ndërmarrësh mbetet letër e vdekur. Këtë vit, Shqipëria u klasifikua e dyta në botë për suksesin e reformave në fushën e klimës së biznesit. Shqipëria la mbrapa në një turravrap 50 vende. Por, pavarësisht se janë përcaktuar nga një kuadër ligjor dhe nga një kuadër reformash, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur, në rast se nuk do të ishte në themel lufta kundër korrupsionit. Kjo pikëpamje u mirëprit dhe unë shpjegova se çfarë kemi bërë ne dhe cilat janë rezultatet. Sërish mbetem i bindur se nuk ka asgjë më të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të një vendi, për shtetin ligjor dhe institucionet sesa lufta kundër korrupsionit. Lufta vazhdon!”
30/10/2008