Kryeministri Berisha takon Kryeministrin italian Romano Prodi
Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të veçantë me kryeministrin italian Romano Prodi, në Bari.
Të dy kryeministrat vlerësuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera në të gjitha fushat dhe shprehën angazhimin dhe vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht, në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar, Kryeministrin Prodi për ndihmën, mbështetjen dhe miqësinë e qeverisë dhe popullit italian për Shqipërinë gjatë këtyre viteve.
Kryeministri u shpreh se ndihma e Italisë ka qenë e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmes së Shqiperisë. Italia, theksoi Kryeministri, ka treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm. Fryma evropiane e saj ka qenë një mbështetje shumë e vlefshme për integrimin evropian të Shqipërisë.
Kryeministri i shprehu zotit Prodi falenderimet për kontributin e tij personal në mbështetje të përpjekjeve integruese të Shqipërisë, duke nënvizuar se Shqipëria hapi negociatat për MSA-në në një kohë kur Zoti Prodi ishte president i Komisionit të BE-së. Në këtë aspekt, Kryeministri nënvizoi se integrimi është një proces i bazuar në arritjen dhe shprehu vendosmerinë e tij për realizimin e kontratës së shqiptarëve me BE-në dhe përmbushjen e plotë të MSA-së.
Nga ana e tij, Zoti Prodi theksoi se ashtu sikurse në krye të Komisionit Evropian dhe tani si Kryeministër i Italisë do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit.
Një nga çështjet me të rëndësishme të diskutuara në takim ishte Korridori 8-të. Duke theksuar se Shqipëria për vetë pozicionin e saj, duhet të shndërrohet në një portë të rëndësishme të Ballkanit, zoti Prodi vlerësoi se në këtë drejtim një rol të rëndësishëm mund të luajë Korridori 8-të si dhe fuqizimi i porteve dhe infrastrukturës shqiptare. Gjithashtu Zoti Prodi theksoi se Italia është pjesë e rëndësishme ekonomike e këtij Korridori dhe është e interesuar për zhvillimin e tij. Me përfshirjen në BE të vendeve te tjera sidomos të Bullgarisë dhe Rumanisë, u shpreh zoti Prodi, roli i Shqipërisë për lidhjen evropiane do të jetë edhe më i rëndësishëm.
Kryeministri Berisha theksoi se Italia mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin dhe nxitjen e projekteve infrastrukturore evropiane në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. Për fat të keq, sot në këtë rajon, i cili vazhdon të ketë të njëjtën infrastrukturë që ka patur qindra vjet më parë, nuk ka asnjë projekt evropian.
Në takim Zoti Berisha bëri, gjithashtu, një prezantim të reformave dhe arritjeve dhe të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe përmirësimit të klimës së biznesit dhe në mënyrë të veçantë të inisiativës "Shqipëria, një euro".
Të dy kryeministrat konstatuan se investimet italiane në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. Zoti Prodi theksoi se vetë zhvillimi italian kërkon që një pjesë e ndërmarrjeve dhe sidomos atyre të manifakturës të investojë jashtë Italisë dhe Shqipëria është dhe duhet të jetë vendi ideal për këto investime, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve te ngushta reciproke.
Zoti Berisha ftoi zotin Prodi për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën ai e priti me kënaqesi dhe u shpreh se kontaktet midis dy kryeministrave dhe dy vendeve do të jenë të shpeshta në të ardhmen.