Kryeministri Berisha merr pjesë në mbledhjen e grupit tparlamentar të Partisë Demokratike
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në takimin javor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kryeministri informoi deputetetët mbi vizitat e tij të fundit në Itali dhe Turqi dhe mbi axhendën e vizitës që do të zhvillojë më 12-13 shtator, në Greqi.
Kryeministri i vlerësoi të shkëlqyera këto vizita dhe takimet me zyrtarët më të lartë të vendeve fqinj, duke theksuar se mori mbështetjen e plotë të këtyre vendeve për proceset integruese të Shqipërisë.
Gjatë këtyre vizitave, Kryeministri ka prezantuar gjërësisht përpara komuniteteve të biznesit nismën më të fundit të qeverisë "Shqipëria një euro".
Duke u ndalur në vizitën e para dy ditëve në Itali, Kryeministri theksoi:
"Axhenda ndërkombëtare ka qenë shumë e ngjeshur në këtë periudhë. Unë sapo jam kthyer nga një vizitë në Puglia, ku pata një takim të shkëlqyer me Kryeministrin Prodi. Në këtë takim, u diskutua gjerësisht mbi problemet e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO. Italia është vend themelues i këtyre dy organizatave më të mëdha të kohës.
Kryeministri, një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, njëkohësisht një evropian i madh më siguroi se ai, personalisht, dhe qeveria e tij mbështesin fuqishëm integrimin e shqipërisë në BE dhe NTAO. Ajo që shoh të vlerësohet si kapacitet absorbues apo lodhje zgjerimi nuk do të reflektohet për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Kryeminsitri Prodi më njoftoi se këtë qendrim ia ka bërë të ditur të gjitha kancelarive të Evropës, se problemi i lodhjes së zgjerimit dhe kapaciteteve absorbuese nuk ekziston si një problem për Shqipërinë dhe vendet rreth saj, pasi këto vende, të marra sëbashku, kanë një prodhim prej 1 për qind të prodhimit të BE-së dhe, sikundër e theksoi në takim, kushtojnë më shtrenjtë jashtë se brenda.
Unë e sigurova kryeministrin Prodi se ne procesin e shohim si një proces të bazuar në performacën dhe realizimin e standarteve, normave e kritereve për të cilat ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për zbatimin e tyre. Dëshiroj të theksoj se ky qendrim dhe mbështetje e qeverisë italiane ka një rëndësi të dorës së parë për ne në këtë proces.
Në takim u diskuta gjërësisht edhe për Korridorin 8-të. Kryeministri Prodi është shumë i vendosur që këtë projekt ta vendosë me përparësi në axhendën e BE-së, pasi ai është shumë i rëndësishëm si për vendet e Ballkanit, ashtu edhe për Italinë. Kryeministri Prodi u ndal jo vetëm në takimin që pata me të, por e ekspozoi atë gjërësisht edhe para audiencës së gjërë në Fiera del Levante. Kryeministri Prodi u shpreh i gatshëm se përveç Korridorit duhet të ndërmerren hapa konkrete për zgjerimin e porteve të Shqipërisë si porta e Italisë dhe perëndimit drejt Ballkanit dhe porta e Ballkanit drejt Italisë e BE-së. Këto janë porte me një rëndësi të veçantë.
Gjithashtu diskutuam për marrëdhëniet bilaterale në të gjitha fushat dhe u ra dakort për intensifikimin e tyre.
Ky ishte një takim shumë i frytshëm. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për takimin, mirëkuptimin dhe adresimin e problemeve që u diskutuan prej Kryeministrit Prodi gjërësisht para një audience shumë të gjërë në panair dhe që u trasmetua drejtpërdrejt nga mediat italiane në të gjitha Italinë.
Në çdo vizitë timen, përpiqem që politika e biznesit të jetë dimension kryesor. Gjatë qendrimit në Itali, nëpërmjet mediave të rajonit dhe takimeve u paraqita investitorëve italianë mundësitë reale për të investuar në Shqipëri. I njoha ata me paketën "Shqipëria një euro" që ne po përpunojmë, e cila është mirëpritur jashtëzakonisht në botën e biznesit.
Gjithashtu e ftova Kryeministrin Prodi me shumë kënaqësi të vizitojë Shqipërinë. Me Kryeministrin Prodi ramë dakort të intensifikojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat."
Lidhur me vizitën në Turqi, Kryeministri bëri këto komente:
"Vizita në Turqi, një vend mik me lidhje të shumanshme, ishte gjithashtu e shkëlqyer. Kryeministri Erdogan më siguroi se Turqia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Shqyrtuam marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat dhe ramë dakort për zgjerimin dhe intensifikimin e tyre. Një vend të veçantë në këtë takim, zunë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. Shiptarët janë shumë të pranishëm në Turqi, si qytatarë të saj. Stambolli është qyteti që ka më shumë shqiptarë se çdo qytetet tjetër i botës. Lidhjet familjare janë të panumërta. Ramë dakort të nxisim lidhjet e biznesit, të cilat nuk janë të papërfillshme, por mund të jenë shumë më të mëdha.
Krahas zyrtarëve më të lartë të vendit mik, presidentit, kryetarit të parlamentit, kryeministrit, iu adresova botës së biznesit dhe zhvillova takime të shkëlqyera me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe me konfindustrinë turke. Ekziston një vullnet në rritje i kompanive të mëdha turke për të ardhur dhe investuar në Shqipëri.
Gjatë qendrimit në Turqi, u bisedua edhe për Albtelekomin. Unë i njoha bashkëbiseduesit e mi se ekspertiza e pavarur ndërkombëtare ka gjetur disa probleme që duan zgjidhje në disa nga nenet e kontratës. AhmetÇalik, i cili është dhe firmosësi i saj, ka treguar vullnet të qartë për rinegocim. Është mendim i përgjithshëm që kontrata në disa nene të saj të rinegociohet. Shpresoj që negociatat të japin rezultatin e kënaqshëm për të gjitha palët.
Vlerësoj edhe një herë se ishte një vizitë shumë e mirë, miqësore dhe një nxitje rele për investimet private turke në Shqipëri."
Duke u ndalur në vizitën që do të zhvillojë në Greqi, Kryeministri theksoi:
""Nesër nisem për një vizitë zyrtare në Greqi. Me Kryeministrin Karamanlis do të diskutojmë për intensifikimin e marrëdhenieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve në të gjitha fushat. Dëshiroj ta falenderoj për të gjithë progresin që gjendja e emigrantëve shqiptarë ka bërë në vendin mik. Do të diskutojmë gjithashtu çështje me interes të përbashkët për të bashkëpunuar më tej në të gjitha fushat, sikundër do të ftoj investitorët privatë të vendit mik të investojnë në Shqipëri, si një vend i sigurtë për investimet dhe fitimet e tyre. Do të kërkoj dhe besoj se Kryeministri Karamanlis do t'i japë një mbështetje Shqipërisë për integrimin në BE e NATO."