Kryeministri Berisha takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, zotin Rijad Al-Maliki
Kryeministri Berisha priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, zotin Rijad Al-Maliki dhe delegacionin që e shoqëronte.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen në vendin tone Ministrit të Jashtëm palestinez Al-Maliki, duke shfrytëzuar rastin që të përcillte përshëndetjet e tij më të përzemërta për Presidentin palestinez Mahmud Abaz dhe Kryeministrin palestinez Salam Fayyad.
Kryeministri Berisha nënvizoi se kjo vizitë është një dëshmi dhe një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Ministri i Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, zoti Rijad Al-Maliki falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë zhvillimit të vendit të tij dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme, në dobi dhe të paqes globale.
Kryeministri Berisha nënvizoi se Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe shprehu dhe një herë mbështetjen nga ana e Shqipërisë, të çdo përpjekjeje të zgjidhjes së çështjes së paqes, në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave, duke theksuar se kishte bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të të dy vendeve mike.
Ministri Al-Maliki vlerësoi si të rëndësishme mbështetjen e procesit të paqes nga ana e Shqipërisë, si një vend që ka një miqësi dhe marrëdhënie shumë të mira tradicionale me të dy vendet.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për një thellim të bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, tregti, arsim dhe kulturë. Kryeministri Berisha garantoi Ministrin Al-Maliki për mbështetjen e qeverisë shqiptare për forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe hartimin e nismave me interes reciprok.
26/02/2010