Kryeministri Berisha takon Ministrin e jashtëm të Polonisë, zotin Radoslaw Sikorski
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e jashtëm polak, zotin Radoslaw Sikorski.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Sikorski për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe si për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, apo dhe mbështetjen e vazhdueshme për ecjen me shpejtësi drejt integrimit evropian.
Ministri polak Sikorski e falënderoi përzemërsisht Kryeministri Berisha për pritjen e ngrohte dhe miqësore dhe e risiguroi atë se Polonia, e cila së shpejti do të marrë presidencën e radhës së BE mbetet një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE dhe do të vijojë të ndihmojë dhe përkrahë qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për integrim sa më të shpejtë në BE.
Ministri polak Sikorski vlerësoi në këtë kontekst, arritjet e jashtëzakonshme dhe hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur gjatë viteve te fundit, duke theksuar se nga vizita e tij e fundit, para disa viteve, ndryshimet janë qartësisht të dukshme e jashtëzakonisht mbresëlënëse.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu ministrin e jashtëm polak Sikorsi me reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë viteve te fundit, në fushën e luftës kundër krimit, korrupsionit, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, krijimin e klimës së favorshme për biznesin dhe thithjen e investimeve te huaja, shtrirjen dhe zgjerimin e infrastrukturës në të katër anët e vendit, modernizmin dhe sjelljen e Shqipërisë në epokën dixhitale, reformat në arsim, shëndetin publik, turizëm, etj.
Në këtë kuadër, në takim u vlerësua që rezultatet e këtyre reformave, në veçanti arritjet në luftën kundër korrupsionit kanë sjelle një shndërrim total të imazhit të Shqipërisë në vendet e BE dhe me gjerë, çka është demonstruar dhe me rritjen e numrit të turistëve, të cilët në vitin 2010 shënuan një shifër prej 3,5 milion.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit ripohuan dëshirën dhe vendosmërinë për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në shumë aspekte, si atë tregtar, të turizmit, të investimeve të ndërsjella, etj.
Duke u ndalur në zhvillimin e zgjedhjeve vendore te 8 majit, në takim u vlerësuan reformat e rëndësishme dhe të suksesshme zgjedhore, si dhe infrastruktura nga më modernet në Evropë, siç është regjistri qendror elektronik apo dokumentet biometrike të identifikimit, por edhe sistemi unik i numërimit, i cili ka bërë të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohet dhe të regjistrohet me sigurinë dhe saktësinë më të lartë duke garantuar një proces të saktë transparent e rigoroz të numërimit, i cili e rendit sistemin shqiptar të numërimit, në një ndër sistemet me garancinë më të lartë.
Ndër të tjera, në takim u rikonfirmua dëshira e të dy vendeve respektive për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta, si shprehje e ndjenjave më të ngrohta të miqësisë mes dy popujve dhe vendeve dhe angazhimit të dy qeverive për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në interesin më të mirë të dy popujve miq.
12/05/2011