Kryeministri Berisha takon Presidenten e Repubikës së Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, Presidenten e Repubikës së Kosovës zonjën Ahtifete Jahjaga, e cila bëri një ndalesë në Tiranë gjatë kthimit të saj nga Praga, ku mori pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish presidentit cek Vaclav Havel.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t'i përcjellë presidentes Jahjaga, të gjithë krëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.
Presidentja Jahjaga, gjithashtu, i përcolli Kryeministrit Berisha dhe nëpërmjet tij edhe qytetarëve shqiptarë urimet më të mira për Krishtëlindjen dhe Vitin e Ri 2012. Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë, ku ata do të çojnë përpara projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim europian.
Në këtë takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal, në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit.
Duke u ndalur në 100 vjetorin e pavarsisë së vendit, Kryeministri Berisha dhe Presidentja Jahjaga ripohuan se ky vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te pavarsia e Kosovës dhe përpjekjen e sakrificën ne kombit që bëri të mundur që sot, shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit të tyre të ri, atij europian.
24/12/2011