E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin Parlamentar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë Hartmut Schauerte

- Zoti Schauerte, pasi vlerësoi shumë pozitivisht arritjet e shkëlqyera të Shqipërisë në të gjitha fushat ekonomike, u shpreh se ne e dimë rëndësinë e vendit tuaj dhe të reformave që ju keni ndërmarrë me sukses.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani, Kryeministri Berisha u prit dje pasdite nga Sekretari Parlamentar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë, zotin Hartmut Schauerte.

Zoti Schauerte i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen, si dhe i shprehu vlerësimin e tij më të lartë për arritjet e shkëlqyera të qeverisë shqiptare në ecurinë e reformave në të gjitha fushat, veçanërisht ato ekonomike.

Kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe dhe të gjithanshme ekonomike prej rreth 700 milion euro, më të lartën për frymë, që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto vite.

Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka vend tjetër që të ketë ndryshuar si Shqipëria dhe në këtë transformim rrënjësor Gjermania, me solidaritetin dhe ndihmën e saj, ka një kontribut tejet të rëndësishëm.

Zoti Schauerte u shpreh se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe ato ekonomike mjaft të mira, por që duhen të intensifikohen, duke u nisur nga fakti se Shqipëria ka potenciale të mëdha në shumë fusha.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Schauerte me reformat financiare dhe ekonomike, me arritjet e qeverisë shqiptare dhe suksesin e reformave, të cilat e kanë çuar Shqipërinë në çatinë e vendeve që kanë luftuar korrupsionin.

Zoti Schauerte, pasi vlerësoi shumë pozitivisht arritjet e shkëlqyera të Shqipërisë në të gjitha fushat ekonomike, u shpreh se ne e dimë rëndësinë e vendit tuaj dhe të reformave që ju keni ndërmarrë me sukses. Ne, shtoi zoti Schauerte, duam të jemi prezent në Ballkan dhe në Shqipëria. Nga ana tjetër, ai evidentoi faktin se importet shqiptare në Gjermani janë rritur me ritme të larta, me 33 për qind (në vitin e fundit) dhe shtoi se rruga e marrëdhënieve duhet të jetë me dy kalime.

Zoti Schauerte tha se ne duam të jemi fqinjë të mirë në shtëpinë europiane, ndaj duam të kemi bashkëpunim ekonomik serioz dhe afatgjatë në Shqipëri dhe se besimi reciprok është i madh. Ai u shpreh se pas pak ditësh do të jetë në Shqipëri në krye të një delegacioni të gjerë me biznesmenë dhe autoritete të larta gjermane në fushën e ekonomisë, në kuadër të nxitjes së investimeve gjermane në Shqipëri.


09/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›