E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, zotin Marc Perrin de Brichambaut

Kryeministri Berisha u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, zotin Marc Perrin De Brichambaut.

Sekretari i Përgjithëm Brichambaut, pasi falënderoi kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në organizatë dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë punës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë, vuri në pah një seri projektesh të përbashkëta të rëndësishme dhe i vlerësoi ato, si arritje të mëdha të qeverisë shqiptare, si ai për gjendjen civile, sistemin e adresave, në fushën e pronësisë apo asistencën për Policinë e Shtetit, si dhe mjaft projekte të tjera në fushën e demokratizimit dhe të mirëqeverisjes, projekte këto të cilat kanë kontribuar në avancimin demokratik të Shqipërisë.

Gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm Brichambaut shprehu dëshirën që procesi për marrjen e kryesimit të radhës të OSBE-së nga Shqipëria të përmbyllet sa më parë.

Kryeministri Berisha e vlerësoi punën dhe kontributin shumëvjeçar të Organizatës dhe të Prezencës së saj në Tiranë, në demokratizimin e Shqipërisë dhe rolin e saj në fusha themelore të këtij demokratizimi, si një histori suksesi. Kryeministri vlerësoi mbi të gjitha rolin e padiskutueshëm të Organizatës dhe institucioneve të saj, si ODIHR dhe Prezenca në Shqipëri në progresin e pandalshëm të standardeve të procesit zgjedhor përmes kontributit të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe praktikave të mira.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Brichambaut me zhvillimet e fundit, pas përpjekjes së dhunshme të opozitës në 21 janar, për përmbysjen e qeverisë dhe institucioneve. Kryeministri theksoi qëndrimin e tij të palëkundur dhe koherent të shprehur që pas sulmit mbi Selinë e Kryeministrisë, që një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe per te ardhmen e shtetit ligjor. Ai theksoi se Kushtetuta dhe ligjet e vendit garantojnë standardet më të larta demokratike dhe zbatimi i tyre në mënyrë të përpiktë nga të gjithë aktorët, është një garanci jo vetëm për demokracinë në përgjithësi, por edhe për  opozitën në veçanti.

Kryeministri theksoi se qeveria dhe mazhoranca është e palëkundur për të mbrojtur dhe respektuar në të njëjtin nivel të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës si garanci efektive për këto të drejta. Kryeministri shprehu shqetësimin se ky hetim nuk po përfshin të gjithë aktorët e 21 Janarit, mbi të gjitha aktorët që projektuan tentativën për përmbysjen anti- kushtetuese të organeve të zgjedhura me votë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin që mbas më shumë se 1 muaj hetim, Prokurorja e Përgjithshme me nxjerrjen e vazhdueshme në media të dokumenteve të procesit hetimor po dëmton në mënyrë të rëndë jo vetëm profesionalizmin, por dhe mundësinë për një hetim të plotë e të paanshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ndau të njëjtin mendim me kryeministrin në lidhje me rëndësinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe në kohë.

Në takim, Kryeministri u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005, në luftën kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen e vendit, të cilat kanë rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes. Kryeministri  theksoi se lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet prioritet i reformave të qeverisë. Kryeministri vlerësoi lart punën e njësisë së përbashkët hetimore të udhëhequr nga Prokuroria në goditjen e korrupsionit, por ai nënvizoi se asimetria në goditjen e tij, duke mos penalizuar korrupsionin e qeverisë socialiste apo të të zgjedhurve të saj vendor, si dhe duke mbyllur mbi 40 çështje të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë dhe Liderit të Opozitës, është një politikë penale e cila dëmton efikasitetin dhe besueshmërinë e luftës ndaj korrupsionit.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Sekretari i Përgjithshëm Brichambaut se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues. Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për këtë çështje. Sekretari i Përgjithshëm gatishmërinë e Organizatës për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR dhe ti çojnë ato më tej.

Kryeministri e siguroi zotin Brichambaut për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Duke falënderuar për dërgimin e misionit të vëzhgimit, ai u shpreh në favor të dhënies së hapësirave maksimale për vëzhguesit ndërkombëtarë si një mënyrë për të kontribuar në transparencën dhe në cilësinë e zgjedhjeve. Ai shprehu mbështetjen e plotë për rekomandimin e parë të raportit të OSBE/ODIHR ku kërkohet kontributi i qenësishëm nga çdo forcë politike përfshirë dhe opozitën, në mbajtjen dhe rritjen e këtyre standardeve. Në përfundim, Kryeministri siguroi Sekretarin Brichambaut për angazhimin e tij që Shqipëria të mbetet një demokraci funksionale dhe shtet i së drejtës.


28/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›