E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme austriake, zotin Wolfgang Walder

Kryeministri Berisha prit sot në një takim, Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme austriake, zotin Wolfgang  Walder.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria austriake dhe Austria i ka dhënë Shqipërisë, si dhe ndihmën e çmuar, gjatë gjithë kësaj periudhe në konsolidimin e institucioneve demokratike, bazuar mbi ekonominë  e tregut dhe të një shoqërie të hapur, moderne dhe të zhvilluar.

Një mirënjohje të veçantë, kryeministri Berisha shprehu për mbështetjen  që Austria ka dhënë për hapat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si dhe proceseve të lidhura me të siç, është liberalizimi i vizave, të cilin Kryeministri Berisha  e cilësoi si një arritje historike të shqiptarëve.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme austriake, zoti Wolfgang  Walder e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e siguroi atë, se qeveria austriake dhe Austria do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në hapat  e mëtejshme për anëtarësimin në BE.

Zoti Wolfgang  Walder vlerësoi transformimet e rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe dhe me këtë rast i shprehu kryeministrit Berisha përgëzimet më të përzemërta për veprën madhore të rrugës së kombit, duke  e cilësuar atë, një arritje impresionuese të qeverisë shqiptare.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet  e shkëlqyera mes dy vendeve të dëshmuara edhe nga bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të përbashkëta, në shumë fusha, si dhe interesi i jashtëzakonshëm i investitorëve austriake për investime në Shqipëri, të cilët e rendisin Austrinë, si një nga 3 vendet kryesore, për sa i përket investimeve të huaja në vendin tonë.

Kryeministri Berisha e njohu Sekretarin e Shtetit Wolfgang  Walder me reformat e zbatuara nga qeveria shqiptare, në fusha të rëndësihme si atë ekonomike, financiare, ne luftën kundër korrupsionit, në fushën e arsimit, reformat sociale etj.  Kryeministri u shpreh se në sajë të zbatimit të tyre janë shënuar arritje të rëndësishme në vend, si rritja e investimeve të huaja me  360 %, trefishimi i eksporteve, ndërtimi i një sistemi infrastrukturor modern, zbatimi i e-taksa, e-health. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin e qeverisë austriake në projekte të rëndësishme të realizuara në Shqipëri, si projekti i regjistrit elektronik të gjendjes civile të shtetasve, projekti i regjistrit të tokës apo projekte në fushën e shëndetit publik, barazisë gjinore, etj.

Gjatë këtij takimi, Sekretari i Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme austriake, zoti Wolfgang  Walder, i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kancelarit austriak, zotit Verner Faymann dhe Ministrit të Jashtëm austriak, zotit Michael Spindelegger, për të cilat, kryeministri Berisha shprehu falenderimet dhe i përcolli zotit Walder përshëndetjet  e tij dhe ftesën për dy personalitetetet e larta për të vizituar Shqipërinë. 


11/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›