Kryeministri Berisha takon Zv/ministrin për Çështjet e Bashkëpunimit, Kulturës dhe promovimit të tregtisë në ministrinë e Jashtme të Brazilit, ambasadorin Hadil da Rocha Vianna

Kryeministri Berisha prit sot në një takim Zëvendësministrin për Çështjet e Bashkëpunimit, Kulturës dhe promovimit të tregtisë në ministrinë e Jashtme të Brazilit, ambasadorin Hadil da Rocha Vianna.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Brazilit dhe i shprehu atij interesin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ti intensifikuar dhe zgjeruar ato, më tej, në të ardhmen.
Ambasadori Hadil da Rocha Vianna i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të presidentes së Brazilit, zonjës Dilma Rousseff, si dhe nje mesazh te saj, në të cilin theksohet dëshira e Brazilit për të intensifikuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin frytdhënës e të suksesshëm me Shqipërinë, si në kuadrin dypalësh ashtu dhe në atë ndërkombëtar.
Në takim u ripohua angazhimi i të dy vendeve e popujve për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të organizmave ndërkombëtare, në interesin më të mirë të të dy vendeve, si dhe bashkëpunimit dhe promovimit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare në arenën ndërkombëtare.
18/03/2013