Kryeministri Berisha, bashkëbisedim me biznesin për reformën rregullatore
Kryeministri Berisha diskutoi sot me biznesin propozimet e Task Forcës për Reformën Rregullatore për lehtësimin e barrës administrative të biznesit, nxitjen e sipërmarrjes, investimeve dhe punësimit. Pas një analize të plotë që i është bërë legjislacionit sektorial, nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Qendra Kombëtare e Licencimit, ekspertët dhe grupet e interesit, puna e Task Forcës është fokusuar në dy drejtime themelore: reforma në autorizimeve dhe reformave në inspektim. Konkretisht:
v Për reformën në autorizime, nga 60 lloje autorizimesh propozohet për 30 prej tyre rishikim i kritereve që duhet të plotësojë kërkuesi për marrjen e autorizimit, duke synuar që kriteret të jenë më të pakta dhe sa më pak dokumente; për rreth 38 autorizime propozohen thjeshtësim drastik i procedurës, afateve e vendimmarrjes administrative të trajtimit të tyre.
v Për reformën në inspektim janë analizuar rreth 121 ligje sektoriale, janë amenduar 77 ligje dhe është ndërhyrë në 12 draftligje në proces hartimi. Kjo reformë mundëson uljen e ditëve të inspektimit nga 45 ditë në 5-15 ditë; uljen e kostos së inspektimit nga 1000 euro në 100-200 euro për llojet e ndryshme të bizneseve; praktikat më të mira në inspektim, zbatim i e-inspektimit, eliminim të arbitraritetit të inspektorëve, mundësisë për ryshfet dhe korrupsion; komunikim të shpejtë, transparent e cilësor me të gjitha institucionet e përfshira në aktivitetin e biznesit
Në kuadër të platformës për lehtësimin e barrës administrative të biznesit dhe nxitjen e sipërmarrjes dhe punësimit, i propozohet Task Forcës Rregullatore nisma lehtësuese për biznesin: Asnjë inspektim në vitin e parë të aktivitetit për bizneset e vogla të regjistruara, që paraqesin risk të ulët për sigurinë dhe shëndetin.
Për të diskutuar rekomandimet e bëra në kuadër të reformës derregullatore, Kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit.
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju informoj se Task Forca rregullatore është forumi, i cili drejton të gjitha reformat e mëdha të ndërmarrë e që ndërmerren në fushën e tregut dhe të ekonomisë. Kjo Task Forcë që funksionon që nga fundi i vitit 2005 e deri më sot, normalisht është mbledhur pasi ka marrë mendimet e grupeve të interesit, të biznesit dhe të grupeve të tjera. Në takime periodike, ajo ka vendosur mbi rregullat e reja të tregut, derregullimin e tij në tërësi. Kësaj radhe unë mendova që mbledhja të jetë e hapur dhe dua t’ju rrëfej se materialet e paraqitura para jush nuk janë diskutuar në Task Forcë për asnjë moment, çka do të thotë se diskutimi juaj është humb i rëndësishëm dhe Task Forcë do të vendosë mbi bazën e këtyre diskutimeve që do të bëhen këtu.
Në të gjithë përpjekjen tonë për lirinë e tregut, ne kemi bërë një hap shumë të madh përpara në drejtim të heqjes së 2/3 të licencave. Në këtë proces në mënyrë të pashmangshme, pasi licencat askush nuk do t’i heqë, se janë si pikat e mjaltit të korrupsionit, përfitimeve, kontrollove etj., me heqjen e tyre, për një arsye apo një tjetër, ka pasur shndërrim të tyre në autorizim. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se eksperienca e këtyre viteve, pas dy vjet funksionimi me sukses të plotë Qendra Kombëtare e Licencimit, jep informacionin e saktë për qëndrimet që duhet të mbahen. Shqipëria është e vendosur të krijojë mjedisin më liberal dhe më të lirë për tregun.
Zonja e zotërinj,
Nga njëqind kënde po ta vështrosh rritjen ekonomike, gjeneratori kryesor i saj është liria e tregut, është tregtia e lirë. Asgjë nuk ka rëndësi më jetike, sesa tregtia e lirë. Në mënyrë të padiskutueshme, taksat janë të rëndësishme, në mënyrë të padiskutueshme burimet janë të rëndësishme, po ashtu një sërë faktorësh të tjerë janë të rëndësishëm, por e para, e dyta, e treta, në distancë, është liria e tregtisë. I tërë ky proces duhet të ketë kontrollin më minimal të mundshëm, sepse kontrolli me licenca e autorizime është vetëm ndrydhje e saj. A mundet që ato të mos ekzistojnë? Nuk mundet aspak, sepse shoqëria duhet të ketë një mekanizëm për të mbrojtur edhe tregun, edhe qytetarin. Por është e mundshme që ato të minimizohen në mënyrë të vazhdueshme, është absolutisht e mundur që administrata t’ju konsumojë sa më pak kohë biznesmenëve, është plotësisht e mundshme që administrata të shmangë të gjitha format e presioneve ndaj tyre.
Materiali nuk ka qenë objekt diskutimi dhe unë po filloj diskutimin tim. E kam shumë të vështirë të pranoj që nga autorizime të “gradohen” në licenca. Unë pranoj propozime për të hequr licenca të tjera, por nuk mund të pranoj propozime për të shndërruar autorizimin në licencë. Këtu ka një argument se procedohet nga QKL, e cila ofron shërbimet më të mira. Të nderuar anëtarë të Task Forcë, të dashur biznesmenëve të pranishëm në sallë, autorizimet mund t’i çojmë në një sportel. Megjithatë e thashë edhe në fillim, nuk mund të mohoj se disa nga licencat u hoqën nën trysni dhe u shpallën autorizim sipas shprehjes “do apo s’do” dhe tani ka një reflektim. Por nuk është ky qëllimi i analizës. Qëllimi i analizës është se çfarë të thjeshtojmë në shkallën më maksimale dhe kjo jo për qeverinë, por, para së gjithash, për lirinë e tregut, i cili është gjeneratori kryesor i mirëqenies, i rritjes, i punësimit, është emëruesi i përbashkët i të gjithë faktorëve të tjerë. QKL vetë ka nevojë që mbi bazën e eksperiencës dyvjeçare të na thotë se cilat licenca mund t’i nxjerrë, mund të na propozojë t’i heqim fare e t’i shndërrojmë në vetëdeklarime.
Burokracia është e paimagjinueshme. Në asnjë mënyrë nuk duhet që një praktikë që mund ta përmirësojmë, të mos e lëvizim me shpejtësi. Është e sigurt se ne kemi bërë hapa jo të mëdha, por gjigantë përpara, në drejtim të një klime të favorshme për biznesin, në drejtim të luftës kundër burokracisë, por, absolutisht, hapa shumë të rëndësishëm janë për t’u bërë. Deri para dy ditës, leja e ndërtimit që është leje kryesore në një ekonomi e zhvillim, nuk është autorizim gjahu, kërkonte 399 ditë. Nuk mund të kishte gjë më të papranueshme se kjo. Ne e kemi zbritur në 45 ditë dhe sërish jemi të gatshëm të shqyrtojmë me seriozitetin më të madh çdo propozim që vjen nga ju, për të lehtësuar veprimtarinë tuaj. Ne besojmë se ka hapësirë të madhe. Ne jemi të bindur se vërtetë, ju jeni biznesmenë e menaxhoni biznese private, por në mënyrë të padiskutueshme keni parasysh interesin publik të vendit dhe unë nuk kam asnjë mëdyshje. Secili prej jush në veprimtarinë tuja e ka atë një kriter themelor të saj.
Zëvendësministri Eno Bozdo bëri një ekspoze të shkëlqyer të punës që kanë bërë, fryt i takimeve të shumta me ju. Por kjo nuk do të thotë se kjo është Taks Force e zgjeruar, nuk është e këtij formati në ligjin e saj, por është në moralin e saj. Ndaj u garantoj se mendimet tuaja janë shumë të mirëpritura dhe do të përfillen. Duhet të bëjmë gjithçka të zhdukim çdo pengesë të tepërt dhe çdo pengesë të mundshme që nuk ka detyrim ndërkombëtar. Ka disa prej këtyre që lexoi zëvendësministri, për të cilat në pamje të parë shtrohet pyetja përse duhet të jenë, por janë në konventa ndërkombëtare e je i detyruar t’i mbash. Unë besoj se çdo autorizim duhet të ketë si adresë të parë QKL-në. Kjo nuk e bën aspak më serioz edhe rrugën nga ministria përkatëse, por kërkesa le të depozitohet në QKL, natyrisht sipas një procedure. Ne kemi vendosur në QKL edhe energjinë. Ne për gjithçka do të shkojmë drejt një sporteli të vetëm. Kjo edhe për faktin sepse ne duam që, në rast se është çështja për humbur kjo, le të jetë kjo, kohë e humbur nga zyrtarët e administratës dhe jo nga biznesmeni.
Reforma e inspektimit është një nga reformat, absolutisht, më të mëdha e të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Edhe kjo ka pasur një synim: heqjen nga shpatullat tuaja të barrës së rëndë të inspektimeve, të cilat ju “grabisin” me sistemin ekzistues 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1000 euro në mesatare. Është bërë një punë e jashtëzakonshme, për t’i thjeshtuar inspektoratet nga 36 në 11, për krijuar një inspektorat qendror, me qëllimin e vetëm që të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve mbi ju. Po vendoset gjithashtu sistemi online i inspektorateve, me qëllim e vetëm që inspektori të lërë gjurmë e të mos vijë tek ju sa herë atij ti teket.
Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, përben një përpjekje shumë të madhe në luftën kundër arbitraritetit, përbën një përpjekje shumë të madhe për një kontroll të ndershëm. Edhe këtu e vërteta është se në mbi dy vjet që punohet për këtë reformë janë ndryshuar me dhjetëra ligje dhe po ecet drejt instalimit të këtij sistemi të ri. Kemi zgjedhur sistemin më modernin që ekziston. Natyrisht, instalimi i tij kërkon një përpjekje të përbashkët për ta shndërruar në një histori të vërtetë suksesi, për ju dhe ekonominë shqiptare.
Është e domosdoshme që inspektorati qendror me një dokument apo një e-mail të informojë të gjitha bizneset e vendit mbi sistemin e ri të inspektimit, për të mos krijuar asnjë lloj konfuzioni. Bizneset duhet të dinë inspektoratet e përfshira në sistemin e ri të inspektimit, duhet të dinë kompetencat dhe kufizimet e inspektorit. Është punuar dy vjet dhe është bërë një punë shumë e madhe, me ekspertët më të mirë që ekzistojnë sot në fushën e inspektimeve dhe është arritur në këtë sistem. Por suksesi varet nga zbatimi i tij. Pra, ai do të zbatohet kur të njihet mirë edhe nga ju. Në këtë kontekst, një informim i çdo biznesi për sistemin e ri të inspektoratit është i domosdoshëm.
Të nderuar të pranishëm,
Unë do të vlerësoja shumë mendimet tuaja. Dhomat e Tregtisë kanë marrë materialin paraprakisht. Sigurisht, këtu janë anëtarët e Task Forcës, të cilët nuk kanë shprehur në asnjë takim, mendimet për materialin. Edhe ata janë të ftuar të shprehin mendimin këtu, pasi ky është një takim i hapur i Task Forcës me biznesin.
Ne e vlerësojmë ngritjen e Inspektoratit Qendror. Ne propozojmë që duhet parë me kujdes se si mund të reformohet edhe Inspektorati i Sistemit Fiskal, pasi është një nga problemet që shqetëson sipërmarrjen dhe bizneset. - Një tjetër sugjerim është që në Task Forcë të ishte edhe Dhomat e Tregtisë. - Zoti Kryeministër, kërkesa jonë e vazhdueshme është që Dhomat e Tregtisë të institucionalizohen dhe forcohen. Në vitin 2008 u hoq anëtarësia e detyrueshme, duke e lënë Dhomën me detyrime ndaj ministrisë së Ekonomisë. Sot përballemi me mbylljen e 6 dhomave nga 12 qe ekzistojnë. Kjo nuk i shërben as dialogut, nuk i shërben askujt. Duke u ndalur këtu, Dhomat e Tregtisë kanë një kërkesë që të rishikohet ligji. - Duke ju falënderuar për nismat që i jep frymëmarrje sipërmarrjes është VKM-ja për heqjen e TVSH së makinerive, shumë sipërmarrës presin të sjellin makineritë e tyre pasi ky vendim nuk ka hyrë në fuqi. - Kemi kërkesa nga sipërmarrës që pretendojnë të punësojnë studentë të sapo diplomuar duke përfituar nga VKM-ja për heqjen e taksave për punësimet e reja dhe nuk kemi ende një përgjigje se kur mund të fillojë rekrutimi i këtyre nëpunësve të reja
Kryeministri Berisha: Faleminderit për ndërhyrjen e rëndësishme, zoti Jaka. Unë mund t’ju siguroj se qeveria është e interesuar për një dialog konstant me biznesin dhe përfaqësuesit e tij në Dhomat e Tregtisë. Lidhur me çështjet që ju shtruat, duke shprehur qartë qëndrimin tim kundër çdo lloj tarife shtesë mbi biznesin, përveçse heqjes të sa më shumë tarifave ndaj tij, nuk mund të jem dakord që ne ta bëjmë të detyrueshëm dhe me fee të caktuar regjistrimin e biznesit nga Dhoma. Jam plotësisht dakord me variantin e dytë që ju jepni, që ne të shqyrtojmë se çfarë shërbimesh, kundrejt po atyre detyrimeve që ka biznesi kur i merr ato nga administrata, të mund t’i marrë nga Dhoma e Tregtisë. Për këtë, unë nuk kam asnjë kundërshtim. Unë do të kërkoj të shqyrtohen me objektivitet se cilat janë. Kjo, mendoj unë, përbën një praktikë të shëndetshme, sepse tarifat mbi biznesin duhet të shkojnë drejt lehtësimeve më maksimale që mund të krijojmë.
Lidhur hyrjen në fuqi të ligjeve dhe vendimeve të paketës, me të cilën qeveria synon t’i japë nxitjen më maksimale prodhimit dhe punësimit, nuk ka pasur asnjë shkak tjetër vonese, përveçse sugjerimeve të biznesit dhe grupeve të interesit që me të drejtë kanë kërkuar që ato të jenë sa më të plota.
Vijmë tek një moment, të cilin unë e kam shumë përzemërt, tek punësimi i të rinjve. Ne i qëndrojmë fjalës sonë dhe jemi të vendosur që për çdo të ri të punësuar, për tre vjet të marrim përsipër çdo lloj detyrimi, me kushtin që askush të mos mund të bëj zëvendësimin e punonjësve ekzistues me të rinjtë. Të dashur miq, për këtë, sëbashku me ju do të përpunojmë kodin që të mos mund të ndodhë kurrë që ky punësim të bëhet në kurriz të ç‘punësimit të atyre që janë atje, sepse, në rast se ndodh, do të ishte një mekanizëm fatkeqësie.
Kjo është delikate, sepse qeveria mund të përcaktojë rregulla shumë të qarta e të forta, por ne nuk duam që për hir të këtij faktori të dëmtohet fleksibiliteti juaj në punëmarrje. Pra, jemi në një moment që na duhen kritere shumë të qarta, që t’i përpunojmë së bashku dhe ta vendosim mekanizmin menjëherë. Vendimin e kemi marrë.
Ju keni bërë një propozim dhe sigurisht ai po studiohet. Çdo propozim që vjen nga Dhomat e Tregtisë apo biznesmenët, duke nisur që nga sms-ja tek hard copy, merret në shqyrtim dhe nuk injorohet. Në momentin e duhur, ne do të ulemi dhe do t’i shqyrtojmë një e nga një. Ne mirëpresim propozimet e secilës Dhomë Tregtie dhe të secilit prej jush.
Zoti Kryeministër, problemi ynë i madh dhe i gjithë kompanive fason është destinacioni i mbetjeve. Jemi të detyruar të bëjmë herë pas herë deklarata dhe kontrolle për destinacionin e mbetjeve. Propozoj që të liberalizohet ky element. Ne bëjmë deklarime të pavlera, sikur këto mbetje eksportohen. Në dokumentet doganore, ne ose duhet të liberalizohemi, ose të mos bëhen dokumente të ri-eksportit. Është një formalitet.
Kryeministri Berisha: Dogana është një portë. Në qoftë se kalon aty, dogana është kontroll. Por cila formë kontrolli? Unë e quaj portë, ju mund ta quani kontroll. Cili është lehtësimi që kërkoni ju?
Vetëdeklarimi nga ana e biznesit që këto mbetje nuk i riciklojmë për efekt fitimi, të cilat i paguajmë qoftë tatimin e fitimit, qoftë TVSH-në. Unë vetëdeklaroj që këto mbetje i djeg për interesat e mia, ua jap punonjësve për t’i ndihmuar në familjet e tyre. Pra, vetëdeklarimi që ato nuk janë për qëllime fitimi. Mbetja është thjesht një vetëdeklarim. Ato nuk kanë asnjë vlerë.
Kryeministri Berisha: Unë të garantoj që do e shqyrtojmë.
Ju keni shtruar një çështje dhe bindja ime është se çështja qëndron. Cila do të jetë zgjidhja? Do të krijohet një grup pune, do ta studiojmë dhe absolutisht do t’i japim përgjigje që të thjeshtojmë në maksimum burokracinë e qëndrimit ndaj këtij problemi, në qoftë se ajo ekziston. Ndërhyrjen e konsideroj të dobishme, sepse ka shumë nisma. Po marr doganat. Për eksport kërkoheshin 7 dokumente dhe ne e kemi zbritur në 2 apo 3 dokumente. Pra, ne synojmë të bëjmë gjithçka që t’jua thjeshtojmë punën. Jam plotësisht dakord me ekspozenë e zotit Bode. Unë ju thashë që materialet nuk janë parë, këtu janë ekspozuar për herë të parë. Nuk mund të ketë shtime licencash. Do të ketë vetëm heqje licencash.
E dyta, jam i bindur që autorizimet për shtyrje detyrimi janë keqkuptuar. Natyrisht, ato do të jepen. Është interesi i biznesit. Është një privilegj dhe nuk është një detyrim ndaj atij rasti. Përsëri insistoj, vetë QKL-ja duhet të shqyrtojë me lupë çdo licencë të vendosur aty, sesi i ka ardhur koha ta heqim farë. Aty ku shtrohet problemi për shërbime më të lehta, ne nuk ngurojmë t’i adresohemi.
Industria e përpunimit të qumështit apo industria e transformimit të produkteve vendase ka një rëndësi vendimtare për ekonominë. Përfitoj nga rasti t’ju falënderoj ju zoti Kryeministër dhe qeverinë tuaj për vendimmarrjen për heqjen e TVSH-së për imputet blegtorale bujqësore. Duke marrë këto masa, neve i japim mundësi biznesit, fermerëve të zhvillojnë ndërmarrjet e tyre. Mendoj se është e udhës që aplikimi të bëhet sa më i shpejtë, sepse ka shumë ndërmarrje që vazhdojnë të paguajnë akoma.
Një tjetër problem që doja të ngrija është që t’i japim mundësi kompetitive fermave, fermerëve tanë dhe ndërmarrjeve të tjera të transformimit, duke e mbrojtur akoma më tepër produktin vendas. Mund të marrim shembuj të vendeve që na rrethojnë, të cilat bëjnë pjesë në marrëveshjen e CEFTA-s dhe që aspirojnë si ne të hyjnë në Europë. Këto vende e mbrojnë produktin vendas, jo vetëm me taksën doganore që e kanë të barabartë me ne për produktet bujqësore e blegtorale, 10 përqind, e cila do të vijë shkallë-shkallë duke zbritur, por këto vende kanë dhe një fee që i vënë çdo kilogram produkti blegtoral dhe kjo fee nuk i shkon qeverisë, por i shkon fermerëve. Kjo i jep një shtysë të jashtëzakonshme prodhimit, e mbron prodhimin dhe e bën më kompetitiv në lidhje me produktet e tjera.
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për problemet që ngritët. Për të parën, ligji ka kaluar në qeveri dhe është në parlament, do të votohet dhe do të hyjë në fuqi. Është shumë i plotë. U vonua pak për t’u plotësuar me çdo gjë.
Për të dytën, ju falënderoj. Zoti Bode është këtu dhe më duket një sugjerim shumë i drejtë. Natyrisht jam absolutisht për dimensionin më të madh të lirisë së tregtisë, por reciprociteti të imponon. Në rast se na imponojnë kufizime, atëherë në detyrohemi për hir të barazisë, të ngrihemi në atë nivel. Ne bëjmë gjithçka për të nxitur prodhimin vendas.
Unë nuk jam prononcuar, por agresioni që u bë ndaj prodhimeve të disa fabrikave të qumështit këtu, e quaj jashtëzakonisht të nxituar. Unë jam mjek dhe nuk do ta imagjinoja kurrë të pranoja edhe gjënë më të vogël që do të dëmtonte shëndetin e të tjerëve. Por e vërteta është që kemi të bëjmë në rastin konkret, me një betejë transatlantike tregtare. Ky është realiteti. Në rast se aflatoksina në Europë është me 0.05 nanogram dhe në Shtetet e Bashkuara është me 0.5, do të ishte marrëzi, në qoftë se për një moment dikush mendonte se Drug & Food Organisation do të pranonte të cenonte me asgjë shëndetin e qytetarëve amerikanë. Nuk ka një institucion të dytë më serioz se ai, për sa i përket kontrollit të normave dhe standardeve. Europa ka adoptuar një standard të ri dhe ne dora-dorës do të ecim drejt tij. Këtu kemi pasur këtë problem edhe me mishin. E njëjta gjë u krijua me mishin.
Zotërinj, ne do t’i zbatojmë standardet europiane, por do t’i zbatojmë duke ecur drejt tyre. Në qoftë se unë vendos tani standardin europian, standard që për çdo lopë ka 3 euro në ditë subvencion, duhet të mendojmë për këtë punë. Standardi amerikan nuk e cenon kurrë shëndetin. Tani është vendosur ky standardi tjetër. Është vendosur, sepse kanë disa rregulla, ju i thatë vetë, konkurrence, mbiprodhimi, mbrojtja që u bëjnë çmimit etj.. E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe ka qenë një agresion psikologjik mbi qytetarët. Një studente nga Vlora më shkruante e tronditur nga lajmi se qumështi qenka toksik, me substanca të tilla. Amerika ka ushqyer botën dhe kjo është e vërteta, po t’i kthehemi pasluftës, sepse tani nuk ka nevojë. Po ashtu ka elaboruar metoda që rrisin prodhimin. Metoda që, e vërteta është, edhe ata që i kanë kundërshtuar për qëllime protektive, po shkojnë duke u hapur rrugën. Duke theksuar të gjitha këto, unë shpreh në mënyrë të qartë se Shqipëria ecën drejt Bashkimit Europian dhe do të zbatojë standardet, por duke ecur drejt tyre. Nuk mund të them se jam dakord në këtë moment që të jetë ky standard dhe standardi tjetër jo. Pse duhet të dëmtoj prodhimin tim, kur standardi tjetër ka zero impakt mbi shëndetin e qytetarëve?!
Doja t’ju falënderoja ju, zoti Kryeministër dhe këtë Task Forcë. Task Forca, me autorizimet, me licencimet nuk ndalon, por nxit politika që diku inkurajon dhe diku dekurajon. Mendoj se duhet të ndërmerret një politikë që të nxitet dhe inkurajohet më i miri, si dhe do të jetë mirë që këto mbledhje të zhvillohen herë pas here.
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për propozimin dhe ju garantoj se do të bëhet realitet. Task Forca nuk ka asnjë pengesë. Përkundrazi, është shumë e interesuar të ketë mendimin sa më të gjerë të bizneseve, të botës akademike, të grupeve të interesit. Jam plotësisht dakord me sugjerimin tuaj. Kjo do të bëhet një realitet. Po të jetë puna për siguri, asnjë qumësht nuk është më i sigurt se qumështi industrial. Këtë duhet ta dijë çdo njeri që synon sigurinë. Por është i sigurt edhe qumështi tjetër. Standardet janë standarde. Ata që mbrojtën standardin europian mbrojtën një standard të vërtetë, por e vërteta tjetër është se standardi amerikan nuk është absolutisht kërcënues për shëndetin. Të parët japin për çdo lopë 3 euro në ditë subvencion, ndërsa ne nuk kemi një mundësi të tillë, por do të gjejmë mundësi të tjera t’i nxisim dhe t’i mbrojmë. Faleminderit.
Lidhur me problemin e shërbimit urban të Tiranës. Prej 5 vitesh çmimi i biletës qëndron 30 lekë. Problemi është se na janë rritur kostot dhe kjo vështirëson shërbimin e transportit publik, ndaj kërkojmë të shihet mundësia për të lehtësuar aktivitetin tonë.
Kryeministri Berisha: Ju keni dërguar një material lidhur me transportin urban. Këtë material e kemi shqyrtuar dhe bashkia e Tiranës, mesa kam unë dijeni, është marrë e po dialogun me shoqatën tuaj. Ne dëshirojmë që të gjendet një zgjidhje. Sikundër ju siguroj se prirja jonë është e plotë, për të gjitha lehtësitë e mundshme që mund t’ju krijojmë dhe jemi të vetëdijshëm se duhet të marrin zgjidhje probleme që krijohen nga abuziviteti me abonetë e të tjera. Sidoqoftë të jetë një përllogaritje e kostos dhe mbi bazën e saj duhet të negociohet me ju për qëndrimet e reja.
Në problem lidhur me koncesionarët e makinave të reja. Koncesionarët kanë investuar shumë dhe sallonet e tyre janë të standardeve perëndimore. Deri në vitin 2011 pati një rritje të mirë të tyre, por me lehtësimin e futjes së makinave të përdorura, shitja e makinave të reja ra. Ne kërkojmë të lehtësohet puna jonë dhe të mos stimulohet futja e makinave të përdorura, pasi edhe koncesionarët krijojnë makina të përdorura që kanë të drejtë t’i shesin.
Kryeministri Berisha: Është e vërtetë që ne e kemi hapur. Ajo që mund të bëjmë është se ne mund të kontribuojmë që shqiptarët t’i blejnë makinat e reja në Shqipëri, sepse ekziston një praktikë që edhe mbështet tregun e brendshëm të makinave të reja, edhe i bën ato të mundshme të blihen. Ndërsa kufizimi që ne kemi bërë, jua them me sinqeritet, ka qenë arbitraritet shumë i rëndë. Kjo sepse shumica e shqiptarëve nuk janë në gjende të kenë makinë të re dhe kjo është një e vërtetë. Edhe kjo pjesë e qytetarëve proteston me të drejtë dhe në mesazhet e letrat që më dërgojnë më thonë: nuk kemi pse të penalizohemi, kur në vende të tjera nuk i kanë këto penalitete. Ajo masë nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër, veçse një qëndrim të drejtë ndaj qytetarëve.
Duhet të uleni me doganat e të përcaktojmë ca rregulla për t’ju ndihmuar juve. Mundësitë gjenden. Këtu janë të gjitha markat e makinave, ndër më të mirat dhe janë krijuar siç e thoni ju, sallone të autoveturave ndër më dinjitozet. Të shohim sesi mund ta orientojmë publikun që blen makina të reja drejt tyre, por publiku tjetër duhet të ketë gjithashtu të drejtën të blejë makina sipas mundësisë së tij.
Mendojmë edhe se dy vitet e para nuk është e nevojshme të bëhet kolaudimii makinave të reja, pasi janë makina të reja janë të kolauduara nga fabrikat.
Kryeministri Berisha: Ministri i Transportit thekson se kjo është hequr dhe për dy vitet e para nuk bëhet kontroll. Por gjatë këtyre kohëve kam marrë disa ankesa nga qytetarët për organizimin e këtij shërbimi në tërësinë e tij, për pagesën e taksës, kontrollin. Ministria po shqyrton një formë të re organizimi më të përshtatshëm, të shërbimit ndaj qytetarëve për kontrollin e makinave.
Mendoj se dy reformat që prezantohen sot janë dy lajme të mira për ndërmarrjen private. Ne mbështesim projekte të tilla për uljen e kostove dhe burokracinë shtetërore, për të ndihmuar e asistuar më shumë e mirë të bërit biznes. Nga kjo pikëpamje janë dy reforma shumë të mira e që vijnë edhe në kohën e duhur. Ka ardhur koha të bëhet edhe reforma e institucione të biznesit duhet bërë një reformë për të rregulluar marrëdhëniet institucionale mes biznesit e qeverisë. Gjatë këtyre viteve janë ngritur disa organizma që ndihmojnë bashkëbisedimin mes nesh, por mendoj se janë shumë burokratike. Ne kemi propozuar që disa këshilla si Këshilli Konsultativ i Biznesit, Këshilli Tatimor, Këshilli Kombëtar i Punës të bëhet Këshilli Social Ekonomik, siç e kanë vendet evropiane. Mendoj se ka ardhur koha që kjo të bëhet.
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj shumë për sugjerimet që bëtë dhe jam absolutisht dakord në lidhje me Këshillin Social Ekonomik. Duhet të përcaktohet ndërtimi i Këshillit Social Ekonomik të vendit dhe opozita mund ta votojë ose jo, nuk mund ta paragjykoj qëndrimin e saj. [ndërhyrje e ministrit të Punës: projektligjin e kemi gati] Nëse ligjin e kemi gati, atëherë ta çojmë në parlament për votim.
Përsa i përket pranisë së një përfaqësuesi tonë në mbledhjet e Task Forces, nuk mendoj se duhet të jemi permanentë në mbledhjet e saj. Unë dua të propozoj një rrugë më të thjeshtë, që në mbledhjet e Task Forces të bëhen të hapura me shoqatat e biznesit, problemi i të cilëve diskutohet në atë mbledhje. Ne mendojmë se do ta shfrytëzojmë konkurrencën politike për shkak të zgjedhjeve dhe Biznes Albania ka menduar që të gjithë shoqatat të sjellin propozimet e tyre që do t’ia bëjmë prezent qeverisë së parës e partive politike parlamentare dhe po hartojmë dokumentin e politikave ekonomike që është quajtur Libri i Bardhë dhe do të jemi sëbashku në tryeza për të diskutuar për këto propozime. Ne i kemi mirëpritur të gjitha lehtësitë që ju keni menduar për biznesin, por ne kemi edhe të tjera.
Kryeministri Berisha: Sa i përket Task Forces, ajo do të mblidhet në mbledhje të hapura, por nuk mund të përjashtohen mbledhjet e mbyllura pastaj, pasi aty do të renditen çështjet e diskutuara për miratim. Ne mblidhemi rregullisht, i marrim konkluzionet një e nga një dhe i miratojmë. Edh propozimi juaj bën kuptim që për të kursyer kohë, Task Forca mund të mblidhet më gjerësisht me një sektor, kur ky sektor ka një problem.
Përsa i përket dokumentit, ne e mirëpresim në çdo kohë. Ne jemi të hapur të shqyrtojmë të gjitha propozimet që vijnë nga biznesi dhe i konsiderojmë ato shumë të çmuara. Ne kemi dialog konstant me biznesin. Tradita jonë është dialogu konstant. Ka një gjë që ne nuk mund ta pranojmë: rritjen e taksave. Atë nuk e pranojmë dhe jam i bindur se jeni dakord edhe ju. Sigurisht, është tipike të mbështeten alternativat më të përshtatshme.
Zoti Kryeministër, përfaqësoj Shoqatën e Artizanëve të Shqipërisë. Unë kërkoj që për këto artizanë, që janë bërë biznese familjare, të shihet më me kujdes që për 3 deri në 5 vjet të ndihmohen nga fondi që ka përcaktuar qeveria.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen dhe do t’ju siguroj se për mua, për qeverinë, nxitja dhe zhvillimi i artizanatit është i një rëndësie shumë të madhe, para së gjithash, për punësimin që krijohet. Ky sektor punëson qindra mijëra, por ka edhe një filozofi, e cila ka funksionuar. Kjo filozofi e ky parim thotë se në çdo fshat ka apo prodhohet diçka më e mirë, se kudo tjetër në botë dhe kjo është një e vërtetë. Ky parim është ndjekur për dekada e dekada dhe ne duhet ta vazhdojmë atë. Ne kemi caktuar një fond dhe do ta rrisim atë, edhe pse unë personalisht jam kundër grandeve, por shoh efektin e shkëlqyer dhe praktikën e shkëlqyer që u krijua në bujqësi. Të dashur miq, në bujqësi nga 2007 e deri më sot, ne u kemi dhënë 42 mijë familjeve të fermerëve shqiptarë, grande, absolutisht, të gjitha me kontroll dhe shikoni efektin e tyre sot. Ato janë dhënë në meritën e atyre që kanë menaxhuar procesin lokalisht. Unë mund t’ju them se nga 2007 e deri më sot nuk kam pasur më shumë se 10-15 ankesa në total. Ne kemi krijuar një praktikë pozitive që në pamje të parë mund të mendosh se është problematike, sepse ata fitojnë pasi propozojnë projektet. Por unë si kryeministër nuk kam pasur nga 2007 e deri më sot, më shumë se 10-15 ankesa për padrejtësi për vlerësim jo objektiv. Ne të njëjtën gjë do të bëjmë me artizanatin. Ne do ta nxisim dhe do të bëjmë gjithçka për punësimin. Më vjen mirë që ju jeni organizuar dhe ju e dini që unë jam shumë i interesuar dhe qeveria është e interesuar. Le të organizojmë një tryezë tjetër të hapur si kjo, në një kohë të shkurtër, ku të parashtroni të gjitha problemet dhe të përpiqemi t’u japim mbështetjen më të madhe. Tradita jonë është e shkëlqyer dhe ne do ta nxisim atë.
Zoti Kryeministër, përfaqësoj sektorin e minierave. Lidhur me lejet dhe licencat, ne jemi dakord që ato të thjeshtohen dhe të behën sa më pak, por më pas, ajo që do të quhet leje dhe licencë mendoj se duhet të këtë vlerën e vet dhe pastaj gjithë institucionet përgjegjës ta vlerësojnë atë.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen dhe shqetësimi është i drejtë. Ka një problem dhe do ta them haptas. Në mënyrë absolute, në çdo rast që një kompani ankohet, jepet urdhër i prerë të zbatohet ligji. Çfarë po e pengon zbatimin e ligjit? Zbatimin e ligjit po e pengon një praktikë abuzive e disa prej këtyre kompanive, të cilat nga njëra anë ankohen se këto po ia marrin punën dhe nga ana tjetër, ua blejnë po atyre, sepse punojnë në të zezë. Gjë, e cila është tmerrësisht e dëmshme për sektorin minerar dhe çon në krijimin e fermave të kromit, të nikelit, të bakrit etj., pra, secili në oborr të vet, e nxjerr. Përse ndodh kjo? Sepse kompania madhe që kemi licencuar, këtej ankohet për ta, andej ua blen atyre. Ne duam që këto kompani që marrin licencën të ushtrojnë biznesin e tyre dhe të zhvillohen më shumë. Nuk zhvillohen minierat me kompani të vogla. Minierat zhvillohen me kompani të mëdha dhe kjo është praktikë botërore. Prandaj, edhe me të gjitha kompanitë minerare do të bëjmë një takim për këto çështje. Ne jemi të gatshëm t’ju japim plotësisht mbështetje, por në mënyrë të përsëritur, ajo që na pengon më shumë është ky lloj by pass-i që na bëhet neve, për interesa të kompanive të mëdha. Ndaj, ne do të qëndrojmë plotësisht në mbështetjen tuaj.
Unë dua të flas për sektorin e frutikulturës që ka Dibra. I është dhënë një frymëmarrje këtij sektori, por duam që të mbështet edhe më tej, sikundër duhet të bëhet edhe rruga.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen dhe ju siguroj që shpejt do të jem në Peshkopi për një bashkëbisedim me qytetarët dhe do të dëgjoj me shumë kënaqësi të gjitha kërkesat, vërejtjet, sugjerimet, kritikat. Meqenëse jemi përballë kamerave, duhet të bëjmë një shpjegim. Në një proces qeverisje fiksohen përparësitë, por përparësitë fiksohen në varësi nga mundësitë që ke. Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan nuk ka qenë një premtim elektoral i kësaj qeverie dhe jo sepse e konsideronim të pavlefshëm, por shumë të kushtueshëm. Ndaj kishim një projekt tjetër që kalonte në trajektoren Baldushk-Pajovë, por me krijimin e mundësive, ne e përparësuam atë për shumë arsye dhe në mënyrë absolute, jo për të lënë pa ndërtuar rrugën e Arbrit. Rruga e Arbrit do të ndërtohet në mënyrë të padiskutueshme. Duhet të them se autostrada Tiranë-Elbasan spostoi disa projekte. Çfarë do të bëjmë për rrugët? Do të ndërtojmë rrugën Çerenec-Maqellarë dhe do të vishet e tërë rruga, sepse jemi të vetëdijshme se është një nga akset e shkatërruara që do të ndërtohet. Vërtetë ndërtohen rrugë të reja, por qëllimi ynë është t’i rikthejmë në formë edhe rrugët e vjetra. Ne po ndërtojmë rrugën Tiranë-Elbasan, por nuk do braktisim rrugën ekzistuese. Kjo është politika jonë rrugore.
A ekziston mundësia që Kryeministri ta shohë variantin e detyrimeve të prapambetura, të na i kthejë në kompensim për TVSH-në dhe tatim fitimin, sepse organet tatimore po na bllokojnë llogaritë, aktualisht?
Kryeministri Berisha: Ju e bëtë propozimin, formulojeni. Unë nuk mund t’ju jap një përgjigje këtu, por ju siguroj që do të shqyrtohet.
Ajo që ndodhi me industrinë e qumështin tregon që kemi ecur mjaft përpara dhe tregon se zhvillimi i industrisë nuk ka vetëm ullinj, por ka edhe “thika”. Duhet të jemi të përgjegjshëm për të marrë ato masa, të cilat ngrenë sistem dhe nuk bazohen tek dëshirat. Ndaj duhet të ngrihet gjykata administrative sepse ballafaqimi i biznesit me administratën shtetërore do të vazhdojë. Ne kërkojmë ngritjen e kësaj gjykatë dhe do t’ia kërkojmë edhe kryetarit të opozitës. Së dyti, ka ardhur koha që të ngremë sistemin e mbajtjes së përgjegjësive jo vetëm administrative, por dhe ligjore.
Kryeministri Berisha: Lidhur me Gjykatën Administrative, unë ju garantoj në emër të mazhorancës se brenda javës, në rast se ju në dialog me palën tjetër shihni një vullnet nga ata për ta votuar, atëherë brenda javës ne e votojmë. Ndërkohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë një punë shumë serioze për ngritjen e kësaj gjykate, pasi, për fat të keq, në ligjin e saj u bënë ca përcaktime, imponime absurde, që nuk pranoheshin nga askush, por morën zgjidhjen më të mirë, përndryshe, mbetej e bllokuar, sepse kërkohej me ligj që të huajt të merrni fuqi ekzekutive. Çmenduri të paimagjinueshme! Natyrisht, asnjë i huaj nuk mund t’i lejoje vetes që të marrë fuqi ekzekutive në një vend tjetër. Por këtij problemi i dha përgjigje KLD-ja.
Lidhur me përgjegjësinë bilaterale, jam plotësisht dakord. Ka një gjë: është rritur në mënyrë të ndjeshme disbursimi i TVSH-së, sepse ai ishte inekzistent më parë. Por kjo nuk do të thotë që problemi që shtruat nuk qëndron. Jam absolutisht dakord që për vonesat, shteti të paguajë kamatën. Kur vjen puna tek paraja, ajo i ka shumë të përcaktuara qëndrimet ndaj saj: në qoftë se të vonoj, unë do të të paguaj interesin. Shumë shpejt do të vendosen pagesat online. Brenda muajit qershor do të vendoset pagesa online në dogana, pa pasur nevojë të kontaktosh me askënd, por pagesën për detyrimin doganor e bëni nga shtëpia, nga telefoni juaj. Kjo praktikë po eksperimentohet në Gjibraltar, në Gjeneve dhe ne kemi dërguar ekspertët tanë, për të marrë modelin që ta vendosim dhe ne.
Zoti Kryeministër, industria e turizmit është një nga industritë më të rëndësishme të vendeve të Mesdheut. Shqipëria siguron rreth 43 përqind të eksporteve nëpërmjet industrisë së turizmit dhe sigurisht është industria që siguron numrin më të madh të të punësuarve. Ne kemi mbështetur reformën rregullatorë dhe heqjen e licencave në këtë sektor, por do të kërkonim përshpejtimin e përmirësimit ligjor që po bëhet në ligjin për turizmin, për të futur certifikimin e agjencive turistike dhe klasifikimin e hoteleve, të cilat janë të domosdoshme për t’u ballafaquar me sistemin ndërkombëtar të kësaj industrie. Një tjetër pikë e rëndësishme është problemi i TVSH-së. Është një industri për eksport dhe tatohet me një TVSH 20 përqind. Nga të gjithë vendet e Europës, vetëm dy vende e kanë TVSH-në mbi 15 përqind. Të gjithë vendet e Mesdheut e kanë nga 3-10 përqind. Ne kërkojmë që të jemi të përafruar me vende e Ballkanit.
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj për propozimin dhe komentin. Është e vërtetë që qeveria duhet të ketë një dialog më intensiv me përfaqësuesit e kësaj dege kryesore të ekonomisë shqiptare. Ekziston një dialog, por duhet të jetë edhe më intensiv. Ato që kërkoni janë krejtësisht normale. Ju kërkoni renditje dhe e vetmja gjë që e pengon atë është si të gjejmë mënyrën më objektive për ta bërë dhe jo spekulim. Në rast se i vendos yjet hotelit, duhet t’u përgjigjesh standardeve. Këtu është i gjithë problemi. A është e mundur? Po, është plotësisht e mundur. Ligji është gati, por le të hapim një debat me ju. Qeveria ka interes për ta bërë renditjen, por, së pari, qeveria është e interesuar për procedurën më transparente dhe jo abuzive. Bashkë me ministrinë e Kulturës le të ulemi dhe të përcaktojmë rregulla të ndershme. Por jo dikë ta lumturojmë dhe tjetrin ta dëmtojmë, nëpërmjet një sistemi.
Për sa i përket propozimit të dytë, ne do ti shqyrtojmë të gjitha propozimet tuaja me seriozitetin më të madh.
Kam një vërejtje. Ata që dërgojnë përfaqësues të Task-Forcave, të dërgojnë njerëz kompetente që të trajtojnë problemet ekonomike. Para disa ditësh, një media kishte shkruar se hiqet tatimi për pagat 300 mijë lekë, pa thënë nëse ishin me lekë të reja ose të vjetra. Dhe së dyti, thoshte se fasonët do t’i detyrojnë punonjësit që ato lekë t’i kthejnë përsëri në arkë. Më vjen shumë keq për këtë.
Së dyti, unë jam pasionant pas tregtisë. Kam vënë re se që kur m’u hoq detyrimi për të paguar kuotat te Dhoma e Tregtisë, Dhoma e Tregtisë nuk ekzistojnë më. Dhomat e Tregtisë nuk bëjnë me panaire, madje disa janë mbyllur, sepse nuk ka se kush u jep më financime?
Kryeministri Berisha: Natyrisht, mediat janë të lira të bëjnë komente, por jam i bindur se kjo paketë është një nga paketat më historike dhe më të rëndësishme në tërë historinë e ekonomisë së vendit. Kjo, pavarësisht nga vështirësitë e pamohueshme që do krijojë në buxhet, është mbështetja më e madhe dhe më e drejtë që ne mund t’i bënim prodhimit dhe punësimit. Kriza që sot ka pllakosur vendet e zhvilluara të Europës nuk është afatshkurtër, është një krizë e gjatë. Ne e kemi bërë këtë si një lëvizje që, pavarësisht nga kriza, të nxisim më tej rritjen. Të nderuar miq, ndërhyrjet që kemi bërë si në taksën mbi të gjitha produktet që nxisin prodhimin dhe veçanërisht me dy ndërhyrje të tjera, për tatimin për të ardhurat personale për ata që kanë pagë nën 30 mijë lekë të reja dhe për të rinjtë deri në 3 vjet, ne i japim krahut të forcës punëtore të vendit një dimension tërësisht tjetër. Kjo do të thotë që për të njëjtën përqindje të rritjes së GDP-së, shkalla e punësimit do të jetë shumë më e madhe në këto kushte. Ne besojmë në ato që bëjmë.
Gazetave nuk ke çfarë tu bësh. Ata i interpretojnë në mënyrë të ndryshme. Ka dhe diçka, të jem i hapur me ju, që mediat tona kanë mungesë kulture ekonomike dhe e kanë shumë të theksuar këtë gjë. Por ka një grup gazetarësh të rinj që po punojnë gjithnjë e më shumë, për të bërë raporte në fushën ekonomike, më të sakta e më të drejta.
Ne mbyllje të këtij takimi, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kjo është praktikë e re që ne si Task Forcë do ta ndjekim gjithnjë. Unë dua t’ju falënderoj shumë për të gjitha mendimet e çmuara që shprehët. Dua t’ju garantoj se ato çka u premtuan, do të jenë realitet. Ato që u premtuan për t’u bërë do të bëhen, të tjera do të studiohen e shqyrtohen.
Ne kërkojmë që ky dialog të vazhdojë. Ne kërkojmë që ju të përpiqeni të studioni dhe të shqyrtoni praktikat më të mira, se, në fund të fundit, e tërë beteja është për të vendosur praktikat më të mira. Nuk është për të bërë shpikje. E gjitha është si të vendosim praktikat më të mira që ekzistojnë. E vërteta është se kemi ndjekur këtë parim. Ne si një vend me traditë të ndaluar për 40 vjet në iniciativën e lirë, në disa aspekte shumë të rëndësishme renditemi sot në 10 vendet e para të botës, 20 vendet e para të botës, në 25 vendet e para të botës. Kjo përbën një arritje madhore të kësaj Task Force dhe të përpjekjeve tona të përbashkëta. Është e një vlere shumë të çmuar, kur sheh treguesin paga/produktivitet dhe vendi yt renditet në 20 vendet e para të botës. Një tregues shumë i rëndësishëm ky. Është jashtëzakonisht inkurajuese kur sheh se në garantimin e investimeve të huaja, vendi renditet në 20 vendet e para në botë, në pozicionin më të lakmueshëm. Është jashtëzakonisht inkurajuese kur sheh se në përmasat e administratës shtetërore, e cila është e tëra mbi supet tuaja, jeton falë taksave që ju paguani, por ne jemi 1 nga 10 vendet me administratën shtetërore më të vogël në botë. Ju garantoj që ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Janë këto masa, të cilat, siç keni dëgjuar, kanë bërë që Shqipëria, përsa i përket performancës ekonomike gjatë krizës, të vlerësohet ndër më të paktat vende që nuk njohu recesionin, të vlerësohet në unison si një sukses në historinë e zhvillimit.
Por kjo duhet të jetë një stacion për ne dhe duhet të rendim me vendosmërinë më të madhe, për të kapur horizonte të tjera, lehtësi të tjera. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Ajo rezistoi në vitet më të vështira të krizës dhe tani i ka të gjitha mundësitë që të rrisë më tej rritjen ekonomike, të rrisë më tej punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ne mbetemi të zotuar për këtë. Së bashku me ju do të vazhdojmë këtë dialog për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse që ekziston ndokund ndaj biznesit. Ne nuk ngurojmë, nga Zelanda e Re në Norvegji, për të marrë praktikat më të mira që ekzistojnë ndaj biznesit dhe për t’i zbatuar ato. Ju falënderoj shumë për kontributin dhe ju siguroj se kjo do të vazhdojë gjatë muajve që vijnë, në takime të vazhdueshme me ju.
15/03/2013