Kryeministri Berisha priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme te Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxhaj dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare për nënshkrimin e Protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Kosovë, e cila është shndërruar tashmë në faktor real të paqes dhe promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në Rajon.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Enver Hoxha e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Thaçi dhe të të gjithë autoriteteve të larta të Republikës së Kosovës.
Në takim u vlerësua nënshkrimi i Protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë, si një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili përfshin kuadrin më të plotë e gjithëpërfshirës për zgjerimin, thellimin e konsolidimin e marrëdhënieve vëllazërore e bashkëpunimit të ngushtë, të frytshëm e të gjithanshëm midis dy vendeve. Në këtë kontekst u vlerësua si një hap shume i rëndësishëm aspekti i bashkëpunimit midis të dy vendeve e qeverive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përpjekjet e përbashkëta për të zgjeruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për një diplomaci sa më efikase në shërbim të kësaj njohjeje ashtu edhe në shërbim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe paqes në Rajon. Ministri Hoxhaj i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e tij, të qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për përpjekjet, përkushtimin, mbështetjen e paçmuar e të vazhdueshme që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare i ka dhënë e vijojnë ti japin Kosovës e institucioneve të saj në të gjitha aspektet.
Në takim u theksua rëndësia e ndërtimit mes të dy vendeve të standardeve më të mira të bashkëpunimit, që ekzistojnë sot në Bashkimin Evropian përsa i përket heqjes së barrierave doganore dhe të gjitha barrierave të tjera të bashkëpunimit ekonomik, të cilat do ti shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të të dy vendeve, rritjes së shkëmbimeve tregtare e të gjithanshme në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe zhvillimit ekonomik të mbarë Rajonit në përgjithësi .
Në takim u theksua domosdoshmëria e shfrytëzimit të të gjitha potencialeve natyrore, minerare dhe ekonomike të Kosovës, të cilat janë një burim shumë i çmuar për zhvillimin e ekonomisë e mirëqenies së popullit të Kosovës. Duke u ndalur te integrimi euroatlantik i Republikës së Kosovës Kryeministri Berisha e Ministri Hoxha e vlerësuan atë si e ardhmja më e mirë e saj e qytetarëve të Kosovës duke theksuar gjithashtu rëndësinë themelore që edhe qytetarëve të Kosovës, ashtu si edhe qytetarët e vendeve të tjerë të rajonit, tu njihet sa më parë e drejta e lëvizjes së lirë çka do të sillte veçse avantazhe ekonomike, kulturore e të gjithanshme jo vetëm për ta por edhe për mbarë rajonin edhe për bashkimin evropian.
Përsa i përket dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, zhvillimet e fundit u cilësuan si pozitive. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi dialogun bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në takim u ripohua rëndësia e implementimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura e që do të arrihen në të ardhmen midis këtyre dy vendeve sovrane, si faktor themelor për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe që do ti shërbejnë jetës së përditshme të qytetarëve të tyre si edhe paqes e bashkëpunimit në rajon.
15/03/2013