Kryeministri Berisha takon delegacionin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Sot, Kryeministri Berisha u takua në Durrës me një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili zhvilloi një vizitë në Shqipëri. Më pas, delegacioni i Kongresit të SHBA-ve vizitoi Portin e Durrësit, ku programi ICITAP, i financuar nga qeveria e SHBA-ve, ka investuar në sistemin e sigurisë së pasagjerëve dhe automjeteve.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Berisha dhe bashkëkryetarët e delegacionit të Kongresit Amerikan, zoti Duncan dhe zoti Costello, bënë komentet e meposhtme për mediat:
Zoti John Duncan: Unë jam anëtari i Kongresit John Duncan nga Tenesi. Kam privilegjin të jem kryetari i këtij delegacioni. Kemi ardhur këtu në Shqipëri për të shprehur dëshirën tonë për të patur marrëdhënie më të ngushta si përsa i përket miqësisë ashtu edhe tregëtisë në vitet në vazhdim. Gjithashtu erdhëm këtu për të mësuar më shumë mbi Shqipërinë dhe nevojat e vendit. Ne jemi krenarë që Shtetet e Bashkuara po bëjnë ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në botë për të ndihmuar popullin e Shqipërisë. Dhe të gjithë ne në këtë delegacion kemi parë ato që besojmë të jenë mundësi të mëdha për të ardhmen këtu.
Ju keni bukuri dhe burime të mëdha natyrore në këtë vend. Dhe ne besojmë se me udhëheqjen e duhur dhe institucionin e reformuar të tregut të lirë dhe largimin e korrupsionit, me qëllim që të keni një sistem të fortë ligjor, veçanërisht për sigurinë e kontratave dhe titujve të pronësisë, mund të ketë investime të mëdha nga biznese amerikane në këtë vend. Ishte një nder i madh për ne që u pritëm nga Kryeministri juaj i mrekullueshëm, nga Kryetarja e Parlamentit dhe anëtarë të tjerë të qeverisë suaj.
Delegacioni ynë përbëhet nga 12 anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ky është delegacioni më i madh i Kongresit të Shteteve të Bashkuara që ka vizituar ndonjëherë Evropën. Në udhëheqje të këtij delegacioni bashkë me mua është edhe anëtari i Kongresit Jerry Costello nga shteti i Illinois, dhe do t'i kërkoja atij që të thotë disa fjalë në këto momente.
Zoti Jerry Costello: Faleminderit shumë Z. Duncan. Siç tha edhe zoti Duncan, ky është një delegacion prej 12 anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Është një delegacion bipartizan, i përbërë nga pesë përfaqësues republikanë dhe shtatë demokratë. Edhe pse nuk biem dakord mbi çdo çështje, ne e dimë që në mënyrë që demokracia të funksionojë, duhet të ulemi së bashku, të përpiqemi të negociojmë dhe të arsyetojmë për çështje që janë të rëndësishme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për vende të tjera.
Ne na kanë lënë mjaft mbresa përmirësimet që janë arritur në Shqipëri dhe shtegu që është përcaktuar për përmirësime të mëtejshme jo vetëm në infrastrukturë, por edhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në këtë vend të mrekullueshëm. Ne presim të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Kryeministrin dhe qeverinë tuaj, për shumë vite në vazhdim.
Kryeministri Berisha: "Ishte një nder dhe privilegj i madh për mua të mirëpres sot zotin Duncan dhe zotin Costello, në krye të njërit prej delegacioneve më impresive të Kongresit Amerikan që ka vizituar ndonjëherë Shqipërinë. Pata rastin të shpreh mirënjohjen dhe krenarinë e thellë, në emër të qeverisë dhe shqiptarëve, për ndihmën e madhe dhe të jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeveria e SHBA-ve, Presidenti Bush, i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Marrëdhëniet mes dy vendeve, siç e ka theksuar edhe Presidenti Bush, janë të shkëlqyera. Shqiptarët janë shumë mirënjohës dhe krenar, pasi në të gjitha arritjet e tyre është mbështetja e madhe dhe e gjithanshme e SHBA-ve, qeverisë dhe taksapaguesve të këtij vendi.
Ne jemi sot këtu, në portin e Durrësit, në të cilin institucionet e Shteteve amerikane kanë dhënë një kontribut të madh në sigurinë e tij. Ne e siguruam delegacionin e Kongresit Amerikan se jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për të rritur sigurinë në porte, aeroporte dhe në të gjitha pikat kufitare të vendit.
Kjo vizitë e tyre sot këtu është një inkurajim shumë i madh për ne në përpjekjet për të zhvilluar Shqipërinë, e cila paraqet portën e perëndimit drejt Ballkanit, në një nga portat më të sigurta. Pata rastin të njoh delegacionin e Kongresit amerikan me të gjitha përpjekjet e qeverisë, reformat që ajo ka ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, krijimin e klimës së përshtatshme për biznesin dhe me nismwn "Shqipëria një euro" .
Jam shumë i bindur se kjo vizitë shënon një hap të ri të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona. Faleminderit".