Kryeministri vlerëson procesin e kthimit dhe kompesimit të pronave, si kusht vendimtar për stabilitetin e tregut dhe shoqërisë
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha foli mbi rëndësinë e ngritjes së Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, si një akt të domosdoshëm për zgjidhjen e problemit të pronësisë.
Ndër të tjera, në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:
"Të një rëndësie të veçantë, do të veçoja në këtë mbledhje miratimin e vendimit për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompesimit të pronave si një akt, në të cilin në përputhje me ligjin qeveria merr tërësisht përsipër këtë proces jetik për paqen sociale, për stabilizimin e tregut të lirë, për vendosjen në bazat e veta të rendit të ri kapitalist. Zgjidhja e problemit të pronësisë, kompesimi dhe rikthimi i pronave është një kusht vendimtar për stabilitetin e tregut dhe të shoqërisë.
Unë shfrytëzoj rastin të siguroj pronarët se kjo qeveri, pasi zhveshi ligjin nga të gjitha nuancat klasore që shprehnin urrejtejn ideologjike të së shkuarës ndaj tyre, pasi përcaktoi standarte më të mira ndërkombëtare në ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave, do të punojë me përkushtim për zbatimin sa më të plotë dhe sa më serioz të këtij ligji, i cili "de fakto" është një ligj i ri, është një ligj i ndryshuar në më shumë se 60 % të tij. Ne besojmë se sot janë krijuar kushtet, ekziston i tërë potenciali fizik dhe monetar për ti dhënë këtij problemi një zgjidhje përfundimtare.
Nisma " Shqipëria një euro" e cila po pushton me shpejtësi mendjen e investitorëve të huaj dhe vendas e lehtëson këtë proces, e ndihmon atë. Vetëm një vend që krijon prona me shpejtësi, zhvillohet me shpejtësi. Ne ecim paralel, rikthimin dhe kompesimin e pronave zotërve të tyre, krijimin me shpejtësi të pronave të reja si kusht vendimtar për të kapur kohën e humbur. Asnjë komb tjetër në Europë, nuk humbi më shumë kohë se kombi shqiptar, asnjë komb tjetër në Europë nuk vuajti më shumë nga varfëria se sa kombi shqiptar. Ndonëse nisma "Shqipëria një euro" është pritur shkëlqyeshëm, nuk kanë munguar dhe kronikanët e mashtrimit, që në thelb janë thjesht, zëdhënes të kleptokracisë. Cili komb ka humbur një të katërtën e tij siç ka ndodhur me kombin shqiptar që ka emigruar. Asnjë prej tyre nuk ka emigruar se i mungonte dashuria për Shqipërinë, që të gjithë kanë emigruar se nuk kanë patur mundësitë reale të ndërtojnë jetën e tyre siç kanë dashur në Shqipëri. Ndaj duhet të ecim paralel dhe me shpejtësi në të gjitha këto aspekte.
Legalizimi po ecën shumë mirë, po me këto ritme duhet të ecë kompensimi, po me këto ritme duhet të ecë nisma "Shqipëria një euro". Ka 15 vjet që taksapaguesit shqiptarë paguajnë më shumë se të gjithë taksapaguesit e Europës për hekurudhën e tyre të vjetëruar. Ata udhëtojnë me trenat më të shkatërruar. Kur Britania e Madhe e privatizoi hekurudhën me një paund, ajo kishte një nga hekurudhat më të mira dhe ishte ajo që kishte ndërtuar pothuajse gjysmën e hekurudhave të botës, por e privatizoi me një paund sepse nuk deshi ta shndërronte atë në një gllabëruese të taksave të taksapaguesve britanikë që ishin ndër më të pasurit në atë kohë.
Fundjavën e kaluar isha në një konferencë në Zvicër, në një zonë malore, në të cilën kostoja e një apartamenti shkonte në mbi 1 milion dollar. Në krahasim me këtë zonë malore, alpet e Shqipërisë janë me stane të standarteve të mesjetës së hershme, por kanë të njëjtat bukuri, të njëjtat pasuri, të njëjtat potenciale me Alpet në të cilat unë isha të shtunën e kaluar. Ndaj duhet të veprojmë me shpejtësi dhe në shumë plane. Vetëm ata që nuk dëgjojnë sirenat e varfërisë, sirenat e mjerimi, sirenat e mërgimit mund të kenë një alternativë tjetër.
Duke i përgëzuar ministrat për punën e bërë i ftoj që deri në datën 10 shtator të kenë kompletuar jo vetëm listat por edhe projektet konkrete. Shqipëria është një ndër vendet më të pasura në Europë, në burimet ujore. Në rast se ne do ta bëjmë Shqipërinë më të lirë, qindra hidrocentrale të vogla mund të ndërtohen brenda një kohe të shkurtër, në një kohë që sot ato janë vetëm troje erozive që gërryejnë tokën pa asnjë lloj leverdie ekonomike. Koha është e globalizmit. Askush nuk ka nevojë të fitojë më shumë nga globalizimi sesa ne. Ndaj duhet të nxitojmë, të lëvizim me shpejtësi në këto drejtime sepse është një shans i madh për vendin dhe për shqiptarët që të kapin kohën e humbur dhe të ngadhënjejnë përfundimisht mbi atë armik që ka bërë ligjin, jetën, vdekjen e tyre, më shumë se kushdo tjetër, varfëria.