Kryeministri Berisha takon ministrin e Jashtëm serb, Mirkiç: Qeveria shqiptare mesazhe të qarta për bashkëpunimin dypalësh
Të kapen shanset e humbura, duke u kapërcyer diferencat e të shkuarës dhe të hapet një kapitull i ri i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ky ka qenë mesazhi kryesor, i takimit mes Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivan Mirkic, që po viziton vendin tonë. Sikundër bëhet me dije në njoftimin zyrtar, shefi i diplomacisë serbe është shprehur se në këtë vizitë ai sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të qeverisë së re serbe për popullin shqiptar. Merkic theksoi se vërtet ekzistojnë diferenca në marrëdhëniet dypalëshe, por, pavarësisht tyre, këto marrëdhënie në të ardhmen duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta. Kryeministri Berisha e ka siguruar ministrin e Jashtëm serb se qeveria shqiptare ka dhënë gjithmonë mesazhin e qartë të bashkëpunimit dypalësh, dhe se është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve, kjo në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian. Dallimet mes dy vendeve - ka theksuar kryeministri Berisha - nuk duhet të behën pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi etj. Në këtë kuadër kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj. Kështu ndërtimi i autostradës Nish – Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën qendrore do të krijojnë hapësirat të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen. Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se në këtë kuadër është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.
...