E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet i lumturuari Karol Vojtila, Papa që vizitoi Shqipërinë më 1993-in

23-10-2012 / Gazeta 55

Dje, ditë e përkujtimit liturgjik të të Lumit Karol Vojtila, Kisha është në festë. Kujton papninë e jashtëzakonshme të Gjon Palit II, karakterizuar, ndërmjet tjerash, nga zelli i zjarrtë në veprimtaritë e gjithanshme, kushtuar Ungjillëzimit të Ri.
Madje ishte vetë Papa polak ai, që e përdori për herë të parë termin “ungjillëzimi i ri”, qysh në vitin e largët 1979, gjatë shtegtimit të tij të parë apostolik në Poloni. Po kujtojmë disa nga mendimet e Karol Vojtilës, kushtuar sfidës së madhe, që përballon sot Kisha në viset e traditës së vjetër kristiane. “E ndjej se ka ardhur çasti të impenjohen të gjitha forcat kishtare për ungjillëzimin e ri”: është viti 1990, kur Gjon Pali II ua lëshon këtë kushtrim mbarë besimtarëve. E bën me autoritetin më të lartë, me botimin e Enciklikës “Redemptoris Missio”. Në këtë dokument, Karol Vojtila pohon se "Kishat e krishterimit të lashtë, në sa merren me detyrën dramatike të ungjillëzimit të ri, nuk mund të jenë misionare në gjirin e jo të krishterëve në vende e kontinente të tjera, në se nuk shqetësohen seriozisht për jo të krishterët, në shtëpinë e tyre”. Jemi në qershorin e vitit 1979: i Lumi Vojtila ndodhet në Poloni, në shtegtimin e tij të parë apostolik. Atje, në sa regjimi komunist kërkon ta zbehë me të gjitha mjetet e mundshme vlerën historike të kësaj ngjarjeje, Papa, në Shenjtëroren e Shenjtes Krygjë të Mogilës, shqipton fjalët profetike: “Nisi ungjillëzimi i ri, që të krijon përshtypjen e një kumtimi të ri, ndonëse, në të vërtetë, është i njëjti. Kryqi qëndron lart, mbi botën, që rrotullohet”.
Gjon Pali II e mbështeti menjëherë impenjimin e ri, ungjillëzimin e mijëvjeçarit të ri, mbi themelin e doktrinës së Koncilit II të Vatikanit. Duke theksuar se të gjithë duhet të merren me këtë veprimtari: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, laikë. Në mënyrë të posaçme, u bëri thirrje laikëve, rolin e të cilëve e theksoi në Christifideles laici: “Christifideles laici’ pohon se ungjillëzimi i ri, që u drejtohet jo vetëm njerëzve të veçantë, por edhe të gjitha shtresave të popullsisë, në gjendjet, mjediset, kulturat e tyre të ndryshme, ka për qëllim formimin e bashkësive kishtare të pjekura, në të cilat feja të shpërthejë me vrull e ta realizojë në jetë gjithë kuptimin e zanafillës, bashkimin me Jezu Krishtin e me Ungjillin e tij, takimin e shkrirjen sakramentore me Të, jetën e jetuar me dashuri të krishterë e shërbim”(Fjalim drejtuar ipeshkvijve italianë, më 18 maj 1989).
Në vitet e fundit të papnisë, Gjon Pali II e lidhi ngushtë temën e ungjillëzimit të ri me atë të rrënjëve të krishtera të Evropës. Binom, në të cilin vërejmë përkimin e përkryer ndërmjet Papës së sotëm e Paraardhësit të tij të nderuar: “Kultura evropiane të krijon përshtypjen e një apostazie të heshtur nga ana e njeriut të ngopur, që jeton sikur Zoti të mos ekzistonte. Atëherë Evropa, nga Lindja në Perëndim, ka urgjencë të madhe për shpresë, që t’i japë përsëri kuptim jetës dhe historisë së saj e të ecë e bashkuar”( Lutja e Engjëllit të Tënzot, 13 qershor 2003).
Në vitet e fundit, Papa, i lodhur e i sëmurë, e kuptoi më mirë se kurrë sa rast i përshtatshëm për dëshmi ungjillore është dinjiteti i njeriut të sëmurë. E kështu, i Lumi Gjon Pali II ia kushtoi Ditën Botërore të të Sëmurit të vitit dymijë, pikërisht temës së ‘ungjillëzimit të ri’. Spitalet, ashtu si çdo shtëpi, në të cilën strehohen njerëz që vuajnë, shkruan Karol Vojtila, janë fusha të privilegjuara për ungjillëzimin e ri, përmes të cilit duhen bërë përpjekje që, pikërisht atje, të jehojë me forcë mesazhi i Ungjillit, burim shprese”. Fjalët: “E ndjej se ka ardhur çasti të impenjohen të gjitha forcat kishtare për ungjillëzimin e ri”, të Gjon Palit II vijojnë të tingëllojnë aktuale edhe sot, në Sallën e Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar transmetimit të Ungjillit, sidomos në këtë Vit të Fesë!
Sinodi punon për rezultatet përfundimtare. Bilanci i dy javëve, në intervistën me kardinal Betorin/Të krishterët duhet ta dëshmojnë Ungjillin në botë me guxim, duke e kapërcyer frikën me fe e duke qenë të vetëdijshëm se çdo zemër njeriu ka mall për Zotin: ky është thelbi i mesazhit të Sinodit për Ungjillëzimin e Ri, i cili po përgatit rezultatet përfundimtare. Boca e mesazhit hapet me një imazh, që të kujton pikërisht etjen e njeriut për Hyjin: një amforë bosh, e cila pret të mbushet me ujë të pastër jete. Toni i përdorur nga etërit sinodalë është i drejtpërdrejtë, i qartë, i karakterizuar nga bindja se përballimi i sfidave të ungjillëzimit të ri do të jetë një detyrë mjaft e vështirë. Megjithatë, pa pesimizëm, të gjithë, të shuguruar e laikë duhen përfshirë në kumtimin e Ungjillit. Nuk është e nevojshme të shpiken strategji të reja, theksojnë ipeshkvijtë, sepse Lajmi i Mirë i Krishtit nuk është ndonjë prodhim për t’u hedhur në treg. Por, duhen rizbuluar mënyrat e metodat për t’i afruar njerëzit e sotëm me Jezu Krishtin. Në dokumentin e përkohshëm, i cili do të votohet më pas nga ipeshkvijtë, përmenden disa fusha të rëndësishme, për të cilat tërheq vëmendjen Sinodi: dialogu ndërfetar, veprat e bamirësisë, edukimi dhe ungjillëzimi, që fillon nga vetë anëtarët e Kishës. Për çdo kontinent bëhen sugjerime të veçanta. Vërehet se Kisha gjendet sot përballë problemeve të mëdha, por është e gjallë e jo duke vdekur. Për një bilanc të këtyre dy javëve të Sinodit në Vatikan, për mikrofonin e Radio Vatikanit flet kryetari i Komisionit për mesazhin përfundimtar, kardinalin Xhuzepe Betori: “Pavarësisht nga ndryshimi ndërmjet kulturave dhe gjendjeve shoqërore, nuk ka asnjë Kishë kontinentale, që nuk vuri në plan të parë përmasën familjare të përvojës së fesë, si duke e konsideruar familjen vatër, në të cilën feja transmetohet nga brezi në brez, ashtu edhe duke e parë si mjedis, në të cilin, sot, ky transmetim i fesë është në krizë, për shkak të sulmeve të shumëfishta të kulturës, shoqërisë e politikës, kundër familjes”.
Sot, familja po e humbet identitetin e vet. Ka familje me prindër të ndarë e të rimartuar… fëmijët vijnë nga martesa të ndryshme. A ka ndërmend Kisha të flasë me këto realitete?
Do të thosha se nuk ekziston e as ka ekzistuar kurrë ndonjë mur ndërmjet Kishës e personave. Për rastet, që përmendët, duhen krijuar hapësira, në mënyrë që, edhe kur nuk është e mundur pjesëmarrja në Kungimin e Shenjtë, këta njerëz ta ndjejnë veten anëtarë të Kishës, të marrin pjesë në jetën e saj, në shërbimin e bamirësisë, apo në veprimtari të tjera. Askush “nuk flaket jashtë” nga bashkësia, për shkak të parregullsisë në gjendjen e tij familjare. Edhe pse, pjesa më e madhe ka nevojë që dikush t’i dëgjojë e t’i përkrahë. E duhet menduar sidomos për fëmijët, që ndoshta, vuajnë më shumë nga këto gjendje.
Cili është mendimi juaj personal për këto dy javë të Sinodit? Na bëni një bilanc të shkurtër…
Para së gjithash, vëllazërimi ndërmjet ipeshkvijve. Ne vijmë nga zonat më të largëta të botës, por takohemi këtu dhe ndjejmë se jemi pjesë e një familjeje të vetme. Edhe pjesëmarrja në ëndrrat, në problemet, në vuajtjet, por edhe në gëzimet e të tjerëve, më duket një përvojë e bukur bashkimi. Pastaj, më ka bërë shumë përshtypje sjellja e Atit të Shenjtë, i cili dëgjon me përvuajtëri, mban shënime me laps, ashtu si çdo ipeshkëv i botës, sepse edhe ai është ipeshkëv i Romës, qendra e bashkimit tonë. Prandaj, kur e shohim aty, bashkë me ne, gati të dëgjojë të tjerët, na bën përshtypje. Ai, që është mësuesi ynë, bëhet, në një farë mënyre, dishepulli ynë, dishepulli i të gjithë neve, që jemi dishepuj të Zotit, për të dëgjuar ç’thotë Shpirti i Shenjtë përmes zërit të secilit prej ipeshkvijve të pranishëm.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›