E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon presidentin francez Sarkozi

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë mesditën e të premtes në pritjen e organizuar në Pallatin Presidencial Elysee nga Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për nder të personaliteteve që morën pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, i cili u zhvillua në Paris në datat 5 - 6 janar. Në një prononcim të dhënë pas pritjes së dhënë nga Presidenti Sarkozy, kryeministri Berisha vleresoi se gjate zhvillimit te seminarit “Bota e re” Shqipëria u rendit në tregjet që po rriten.
Ndërkohë gjatë qëndrimit në Paris, Kryeministri Berisha u takua me Pierre Lelush, Sekretar i Shtetit i ngarkuar për Ekonominë dhe Tregtinë e Jashtme. Sekretari Lellouche i shprehu Kryeministrit Berisha urimet e tij në lidhje me suksesin e ekonomisë shqiptare në këtë periudhe krize mbarë botërore. Gjatë bisedës, sekretari Lellouche theksoi interesin dhe planin francez për projekte në fushën e energjisë hidro dhe të erës, në fushën e transportit rrugor e hekurudhor, në fushën e turizmit dhe këmbimeve tregtare. Një tjetër takim Kryeministri Berisha ka patur edhe me Patrick Kron, President i kompanisë Alstom, një kompani multinacionale me origjinë franceze, si dhe me përfaqësues të tjerë të këtij grupi. Gjatë takimit, Kron i paraqiti Kryeministrit Berisha vendimin e Bordit për të hyrë në Shqipëri me projekte në fushën e transportit. Kryeministri Berisha i falënderoi dhe garantoi mbështetje e transparencë nga qeveria e tij, për suksesin e çdo lloj projekti që ata do të fillojnë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ftoi ata në projekte të tjera madhore në fushën e energjisë dhe infrastrukturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›