Kryeministri Berisha takon zv. Drejtorin e përgjithshëm të Vodafone, z. Victor Colao
Kryeministri Berisha ka pritur sot në zyrën e tij z. Victor Colao, zv. Drejtor i përgjithshëm i grupit të madh Vodafone. Në këtë vizitë të parë në Shqipëri, z. Colao ka kërkuar takim me kryeministrin Berisha për t'i shprehur atij mirënjohje për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë përmes reformave dhe ligjeve në përmirësimin e klimës së biznesit dhe të konkurencës së lirë në Shqipëri. Z. Colao ka shprehur gjithashtu interesin që kompania Vodafone ka për rritjen e investimeve në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit, duke e shtrirë atë edhe në frekuenca të tjera bashkëkohore. Kryeministri Berisha, pasi ka vlerësuar punën e Vodafone, si një nga investitorët kryesorë në Shqipëri në fushën e telekomit, ka theksuar se praktika e uljes së tarifave të shërbimit që ka filluar tashmë, duhet të zhvillohet edhe më tej, në kushtet e konkurencës së lirë. Në fund të këtij takimi, kryeministri Berisha dhe z. Colao ranë dakort se shërbimi I popullsisë dhe biznesit me cilësi dhe kosto sa më të ulët përbën prioritet të përbashkët për kompaninë Vodafone dhe qeverinë shqiptare.