Zv/Kryeministri Oketa: Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, një nga prioritetet kryesore të qeverisë
-Zv/Kryeministri Oketa merr pjesë në Konferencën vjetore të monitorimit të Strategjisë Kombëtare për fëmijët
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa mori pjesë, sot paradite, në Konferencën vjetore të Monitorimit të Strategjisë Kombëtare për fëmijët, të organizuar nga ministria e Punës eÇështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen e UNICEF-it.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, përfaqësues të ministrisë së Arsimit, përfaqësues të UNICEF-it, të Parlamentit Rinor dhe forumeve të tjera rinore e sociale.
Zëvendëskryeministri Oketa siguroi se qeveria shqiptare po vazhdon me vendosmëri reformat që kanë në qendër fëmijët, mbrojtjen e tyre, për t'i përfshirë të gjithë dhe për të siguruar për ta kujdes shëndetësor cilësor, arsim gjithëpërfshirës, shërbime sociale, pasurim të jetës sociale, kulturore e sportive të tyre.
Por, pavarësisht sukseseve në këtë drejtim, zoti Oketa tërhoqi vëmendjen se mbetet ende shumë punë për t'u bërë, pasi ka shumë fëmijë që mbeten jashtë këtyre zhvillimeve pozitive, ka fëmijë që braktisin shkollën, që punojnë, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë të komuniteteve në vështirësi, etj. "Ende duhet punuar për zbatimin e ligjit të arsimit të detyrueshëm, përmirësimin e metodave të mësimdhënies në shkolla, apo të punohet më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara", tha zoti Oketa.
Duke folur edhe në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, zv/Kryeministri Oketa ftoi të gjithë aktorët e shoqërisë të bëhen partnerë të këtij Komiteti dhe i të gjitha strukturave publike e jo publike, për të realizuar të drejtat e fëmijëve dhe për të krijuar një botë më të mirë e të përshtatshme për rritjen dhe edukimin e tyre.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Oketa u shpreh:
"Normalisht, objektivat e të gjitha kamerave sot duhet të ishin të fiksuara tek ju, por media këtu tek ne është e përqendruar më tepër tek politikanët. Ndoshta sot ju duhet të ishit në radhë të parë.
Konferenca e sotme i kushtohet fëmijëve, atyre që janë e ardhmja e shoqërisë sonë. Falë fëmijëve, shoqëria shqiptare është një shoqëri vitale dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë nëse ne të gjithë, si politikanë dhe vendimmarrës, nëpunës publikë e shoqëri civile, prindër, familjarë dhe profesionistë të të gjitha fushave, i realizojmë siç duhet detyrat dhe rolet tona.
Kjo konferencë, nga viti në vit, na fton të gjithëve të analizojmë punën, arritjet, por edhe mosarritjet, të rishikojmë detyrat dhe të përmirësojmë objektivat tona për të ardhmen. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë një shoqëri miqësore për fëmijët, një mjedis të përshtatshëm për ta, ku ata të jetojnë mirë fëmijërinë e tyre, të hedhin baza për t'u bërë të rritur, produktivë, qytetarë aktiv në komunitet dhe më gjerë. Por të gjitha këto nuk mund t'i bëjmë pa dëgjuar zërin e fëmijëve, ata vet duan dhe mendojnë për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Qeveria shqiptare vëren me kënaqësi se fëmijët po aktivizohen dhe nxisin pjesëmarrjen e tyre gjithnjë e më shumë në organizimet e tyre në shkolla, shoqatat që mbrojtjen e tyre, po bëhen më institucionale marrëdhëniet e tyre me strukturat shtetërore, po bëhen partnerë në procesin e hartimit të politikave dhe strategjive për mbrojtjen e tyre.
Megjithatë, pavarësisht këtyre, duhet të kujtojmë se ka shumë fëmijë që mbeten jashtë këtyre zhvillimeve pozitive, ka fëmijë që braktisin shkollën, fëmijë që punojnë, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë të komuniteteve në vështirësi, fëmijë të ngujuar, fëmijë në emigracion, fëmijë të zonave të largëta rurale, etj.
Qeveria shqiptare po vazhdon me vendosmëri reformat që kanë në qendër fëmijët, mbrojtjen e tyre, për t'i përfshirë të gjithë dhe për të siguruar për ata, në radhë të parë, kujdes shëndetësor cilësor, arsim gjithëpërfshirës, shërbime sociale, ku fëmijët të ndihen si në shtëpi, mbështetje më të madhe për familjet në vështirësi, pasurim të jetës sociale, kulturore e sportive të tyre.
Mbrojtja e fëmijëve është një nga prioritetet e programit të qeverisë, është një koncept kompleks dhe shumë sektorial. Reformat e ndërmarra, legjislative, strukturore e administrative në fushën e shërbimeve sociale, të kujdesit shëndetësor, arsimit, kulturës dhe realizimi i të drejtave të fëmijëve, po japin rezultatet e tyre.
Do të dëshiroja të ndalesha shkurtimisht në disa fusha, gjithmonë duke u lënë hapësirën e duhur specialistëve të fushës, duke thënë se të gjitha janë sfida të një procesi ku sa më shumë të investojmë sot, aq më shumë do të shpërblehemi në të ardhmen.
Në fushën e shërbimeve sociale, një grup në nevojë përbëjnë fëmijët pa kujdes prindëror dhe nga familje në vështirësi. Për ta, qeveria është munduar të ndërmarrë reforma të rëndësishme, si ngritja e një rrjeti shërbimesh komunitare, në bashkëpunim me strukturat e qeverisjes vendore. Ky rrjet duhet konsoliduar për t'u përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve për shërbimet në përgjithësi dhe me përparësi nevojave të fëmijëve. Organizatat që kanë krijuar modele të suksesshme të shërbimeve për fëmijët, po mbështeten nga qeveria dhe po konsolidohen si ofrues të shërbimeve sociale. Së bashku me këto organizma, po punohet për shërbime të reja; Kujdestaria e fëmijëve që synojmë të ofrojmë për çdo fëmijë në nevojë, pra një familje mikpritëse, institucionalizimi dhe përshtatja e shërbimeve për të shkuar sa më pranë mjedisit familjar, mbështetja në vazhdimësi për këta fëmijë, etj.
Në fushën e shëndetësisë kemi rezultate optimiste, të cilat duhen ruajtur dhe duhen përmirësuar më tej, veçanërisht në këto sektorë, kujdesin për nënën dhe fëmijën, mbulesën vaksinale. Në takimin e fundit që kemi pasur, na u dha një shifër shumë optimiste, rreth 98 për qind e popullsisë shqiptare është e vaksinuar, kur mesatarja e rajonit shkonte në 95 për qind. Po ashtu punohet në drejtim të menaxhimit të sëmundjeve të fëmijërisë së hershme, promovimin e të ushqyerit të shëndetshëm për të gjithë grupmoshat e fëmijëve.
Në fushën e arsimit, dëshiroj të veçoj rritjen e aksesit të fëmijëve në të gjitha nivelet e arsimit dhe lehtësimin e procedurave për përfshirjen në arsim. Arritje që sigurojnë një brez të edukuar janë edhe puna e koordinuar mes mësuesve, punonjësve socialë, psikologëve, shkollave e prindërve, për shmangien e braktisjes së shkollës, apo edhe vazhdimi i programeve si shans i dytë, të cilat u japin përsëri mundësi fëmijëve për të ndjekur dhe përfunduar cikle të ndryshme arsimore.
Por ende duhet punuar për zbatimin e ligjit të arsimit të detyrueshëm, përmirësimin e metodave të mësimdhënies në shkolla apo të punohet më shumë me fëmijët me aftësi të kufizuar. Pasurimi i jetës kulturore e sociale të fëmijëve në çdo skaj të vendit, si objektiv madhor, po përmbushet, duke shtrirë në çdo rajon programet dhe nismat për përfshirjen e fëmijëve dhe sigurimin e mjediseve çlodhëse dhe argëtuese. Por duhet bërë më shumë për të përkrahur talentet e reja në nivel qendror apo lokal, për të bërë më funksionale qendrat kulturore të fëmijëve.
Po ashtu, në fushën e legjislacionit, hartimi dhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, që përfshin strukturat e drejtësisë dhe të rendit, ka ecur paralel me zhvillimet e reja në shoqëri, kanë marrë vëmendjen duhur. Por duhet intensifikuar më tej përpjekjet për përmirësime.
Reformat që përmenda, të mbështetura edhe në Strategjinë Kombëtare të Fëmijëve, tashmë po koordinohen edhe nga një Komitet Ndërministror dhe sekretariat teknik në mbështetje të tij.
Të nderuar pjesëmarrës!
Sot kam nderin të përshëndes këtë konferencë, jo vetëm si Zëvendëskryeministër, si prind, por edhe si Kryetar i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve. Ky komitet, që përbëhet nga disa ministra që hartojnë dhe zbatojnë politika për fëmijët, si dhe nga përfaqësues të organizatave të fëmijëve, ka vetëm pak ditë që është mbledhur. Ky komitet do të nxisë politikat dhe zhvillimet në shoqëri, në mënyrë që fëmijët të marrin kujdesin dhe vëmendjen e duhur për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Sekretariati teknik i këtij Komiteti, i vendosur në Ministrinë e Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, monitoron zbatimin e Strategjisë kombëtare të fëmijëve në nivel qendror, rajonal e vendor. Dëshiroj t'ju informoj se në mbledhjen e komunitetit, të zhvilluar vetëm pak ditë më parë, u diskutua mbi sigurimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave e interesave të fëmijëve. U analizuan, realizimet, mosrealizimet e çdo ministrie, në zbatimin e strategjisë dhe programeve kombëtare për fëmijët.
Nga mbledhja e këtij Komiteti dolën mjaft detyra që kërkojnë një angazhim më të madh nga të gjithë aktorët dhe faktorët që janë të përfshirë në misionin e mbrojtjes së fëmijëve. Në këtë kuadër, ju ftoj të gjithëve të jeni partnerë të këtij Komiteti, Sekretariatit teknik dhe i të gjitha strukturave publike e jo publike, për të realizuar të drejtat e fëmijëve dhe për të krijuar një botë më të mirë e më të përshtatshme ku ata rriten dhe edukohen
Duke mbyllur këtë fjalë, do të doja t'ju shprehja disa fjalë që nuk janë të miat. Pak kohë më parë, pata fatin, në një konferencë ndërkombëtare në Washington, të dëgjoja një fjalë të ish Presidentit Bush, i cili në fjalën e tij, pasi bëri një historik të shkurtër të mosarritjeve dhe sukseseve të tij, tha se në fund të karrierës mua më kanë mbetur 3 tituj; baba, bashkëshort dhe gjysh. Kështu, ne si politikanë, si prindër, duhet të punojmë shumë në mënyrë që titullin prind ta meritojmë denjësisht deri në fund të karrierës sonë. I uroj suksese Konferencës".