Kryeministri Berisha uron Kryetarin e Partisë Fidesz, Viktor Orbán për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari
Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi Kryetarit të Partisë Fidesz, Viktor Orbán, me rastin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Hungari.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha shprehet:
“Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores së shkëlqyer e spektakolare të Partisë Fidesz në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të zhvilluara në Hungari, t’ju dërgoj, në emrin tim, të qeverisë shqiptare, si dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në realizimin e misionit fisnik të drejtimit të vendit, që ju besuan qytetarët hungarezë me përkrahjen e tyre të jashtëzakonshme.
Kam ndjekur me kënaqësi dhe admirim strategjinë fituese të fushatës suaj elektorale dhe jam thellësisht i bindur se me përkushtimin, vizionin dhe vendosmërinë, që ju karakterizon, të dëshmuara qartësisht edhe gjatë mandatit si Kryeministër i Hungarisë, në vitet 1998-2002, ju do të udhëhiqni me sukses vendin tuaj në rrugën e reformave për rivitalizimin e zhvillimit ekonomik e modernizim të mëtejshëm. Me votën e tyre, qytetarët hungarezë ju përzgjodhën ju e projektin tuaj si më të mirin për të ardhmen e vendit dhe të jetës së tyre dhe, për këtë, unë shpreh bindjen dhe sigurinë për suksesin tuaj në realizimine aspiratave të tyre, në të mirë të vendit e të popullit tuaj.
Duke shpresuar t’ju pres së shpejti në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë e shqiptarëve dhe si mik i imi personal, shfrytëzoj rastin t’ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”
12/04/2010