Task Force për reformën në sistemin e inspektorateve miraton skemën për zvogëlimin nga 33 në 12 inspektorate në vend
Rekomandimet e grupit të ekspertëve na mundësuan të përzgjedhim një model që unë e vlerësoj se do jetë një model i vërtetë suksesi.
Reforma ka një dimension, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, nëse ne nuk vendosim tërësisht sistemin e-inspektorat.
Brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor.
Kryeministri Berisha drejtoi dje në mbrëmje takimin e Task Force-s për reformën e inspektorateve, e cila, në përmbyllje të një periudhe diskutimesh e analizash, arriti në përfundimin për thjeshtimin e sistemit të inspektorateve në vend nga 33 aktualisht, në 12 dhe riorganizimin e brendshëm të tyre.
Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar reformën e sistemit të inspektorateve të një rëndësie themelore, shprehu bindjen se modeli i përzgjedhur do të jetë një model suksesi.
“Ne, - tha Kryeministri - duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet.”
Kryeministri Berisha konsideroi se një dimension i rëndësishëm i kësaj reforme, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, është vendosja e sistemit të e-inspektorat.
“Vetëm duke vendosur këtë sistem, - tha Kryeministri - ne do të imponojmë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve tona.”
Kryeministri kërkoi që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor.
Në analizën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Le të falënderojmë shumë përzemërsisht ekspertët e Bankës Botërore për ndihmën shumë të rëndësishme që i dhanë qeverisë në një projekt që e kam konsideruar gjithnjë të një rëndësie themelore, atë të reformës së inspektorateve. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë punonjësit dhe ju, zotërinj ministra, për angazhimin shumë serioz në këtë reformë, e cila bën të mundur një transformim tërësor të procesit të inspektimit apo inspektorateve në Shqipëri, të falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, sekretariatin e kësaj Task Force, për përkushtimin dhe punën e mirë që ka bërë.
Pas diskutimesh dhe analizash të shumta, ne kemi arritur në një përfundim, së pari, në thjeshtimin e sistemit të inspektorateve në vend, nga mbi 33 aktualisht, zbresim në 12 inspektorate, çka përbën një diferencë shumë të madhe. Mendoj se rekomandimet e grupit të ekspertëve na mundësuan të përzgjedhim një model që unë e vlerësoj se do jetë një model i vërtetë suksesi. Reforma e inspektorateve është reformë e vështirë. Zbatimi i saj gjithashtu është akoma edhe më i vështirë dhe kërkon angazhimin dhe përkushtimin total të Task Force-s, që ta shndërrojmë atë sa më shpejt në realitet. Nga një proces i zgajtur, që mori të gjithë kohën e nevojshme, për të kthjelluar mendjet tona dhe për të shqyrtuar të gjitha rekomandimet, por, siç e patë, në mënyrën më të natyrshme ne ardhëm në mbledhjen e fundit në përfundime pothuajse tërësisht konsensuale.
Tani koha nuk pret. Ne duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet. Në këtë aspekt, unë do të thosha se, pavarësisht nga të gjitha shkurtimet që bëjmë, të mos heqim asnjë qindarkë nga fondi i pagave të tyre, përkundrazi t’u japim trajtimin më të mirë të mundshëm mbi atë fond pagash që kemi për mbi 33 inspektoratet dhe të kuptojnë që vendosen në një stad të ri, të konsiderojnë edhe ato një fillim të ri. Fillimi i ri është gjithnjë shumë motivues për njeriun dhe ne duhet ta shndërrojmë këtë moment në një fillim të ri për inspektoratet e ristrukturuara. Prandaj, të bëjmë çdo gjë që puna të fillojë me një stad të ri të tyre.
Përcaktuese është dhe do jenë raportet me inspektoratin qendror. Skema që propozon grupi i ekspertëve mendoj se është e drejtë dhe e ndershme. Ne duhet t’i aplikojmë plotësisht kompetencat që sugjerohen për inspektoratin qendror, të cilat nuk janë më të mëdha. Grupi i Bankës ka përzgjedhur një inspektorat qendror që do ta quaja të vogël dhe unë jam dakord, ka përcaktuar kthjelltë e qartë misionin e kompetencat e tij. Por reforma ka një dimension, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, nëse ne nuk vendosim tërësisht sistemin e-inspektorat. Vetëm duke vendosur këtë sistem, ne do të imponojmë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve tona. Ndaj këtu, ne kërkojmë ndihmën e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, të Bankës, që, krahas të gjitha hapave, të ndërtojmë sistemin dixhital, si një kusht për transparencë, për luftën kundër korrupsionit, arbitraritetit, por edhe si një tjetër kusht përcaktues që inspektorati të përmbushë misionin e tij. Vetë fakti që inspektori do të jetë i detyruar të kryejë të gjitha veprimet në platformë dixhitale, përbën një frenim për arbitraritetin e tij. Ndaj mendoj që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor. Po ashtu, siç kemi rënë dakord, të fillojë menjëherë konsolidimi i inspektorateve në ministri. Afatet për miratimin e ligjit horizontal duhet të afrohen nga dhjetori, minimumi në tetor, sepse një agoni e zgjatur kërcënon inspektoratet.”
13/04/2010