Kryeministri Berisha pret studentët e parë të masterit për punonjësit e shërbimit civil
Formimi dhe konsolidimi i shërbimit civil në të gjitha nivelet e qeverisë, përbën një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit me përgjegjësi të qeverisjes
Fillimi i këtij masteri për qeverisjen vendore apo mirëqeverisjen territoriale është zhvillim shumë pozitiv, sepse, në të vërtetë, në thelb asgjë nuk është më përcaktuese për zhvillimin e një vendi, sesa zhvillimi i rajoneve.
Duke u ndodhur para vështirësisë që krijon ndarja aktuale në Shqipërinë e rajoneve po të shprehemi në këtë mënyrë, këtë vit, qeveria ka vendosur të shqyrtojë një ndarje të re rajonale, por që është thjesht ndarje pune dhe jo kushtetuese.
Politikat rajonale janë dhe mbeten politika parësore, të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit dhe luftën kundër varfërisë, për shfrytëzimin më racional të të gjitha potencialeve, për bashkëpunimin më të suksesshëm ndërkombëtar me vendet përreth.
Kryeministri Berisha prit sot në kryeministri grupin e parë të studentëve që do të ndjekin studimet master për punonjësit e shërbimit civil, të administratës publike vendore në universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.
Formimi dhe konsolidimi i shërbimit civil në të gjitha nivelet e qeverisë, tha Kryeministri Berisha, përbën një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit me përgjegjësi të qeverisjes. Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Shpreh kënaqësinë time që ju takoj sot, këtu dhe dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht shoqatën Maggis, Institutin e Formimit Politik “Pedro Arupe”, të gjithë pedagogët dhe docentët e universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, të universitetit të Palermos që bënë të mundur fillimin e masterit për punonjësit e shërbimit civil, të administratës publike vendore.
Formimi dhe konsolidimi i shërbimit civil në të gjitha nivelet e qeverisë përbën një nga kushtet më të rëndësishme të funksionimit me përgjegjësi të qeverisjes, të funksionimit të administratës mbi standardet dhe ligjet, në të cilat ajo bazohet, por edhe nga faktorët më përcaktues në zhvillimin e një rajoni, të një vendi.
Kohë më parë, unë u takova me ideatorët e kësaj nisme dhe mbeta jashtëzakonisht vlerësues për këtë nismë. Ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje shumë më të madhe formimit të administratës sonë publike. Në këtë kontekst, ne kemi vendosur të hapim universitetin për administratën publike dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Në qeverisjen vendore dhe atë qendrore administrata publike numëron një numër shumë të madh punonjësish të shërbimit civil, formimi i të cilëve me të gjitha njohuritë e nevojshme përbën një kusht për funksionimin e administratës dhe qeverisjes. Fillimi i këtij masteri për qeverisjen vendore apo mirëqeverisjen territoriale është zhvillim shumë pozitiv, sepse, në të vërtetë, në thelb asgjë nuk është më përcaktuese për zhvillimin e një vendi, sesa zhvillimi i rajoneve. Në procesin e shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar gjithçka kalon përmes zhvillimit të rajoneve. Zhvillimi i rajoneve kërkon, para së gjithash e mbi të gjitha, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, si burimet më të rëndësishme dhe përcaktuese në zhvillimin e tyre. Kusht vendimtar për të përcaktuar rrugë më të sigurta, strategjitë më të suksesshme, ndërhyrjet më eficente në një rajon është të përgatisësh njerëz që të kenë vlerësimin më të qartë, më kompetent për komunitetin, rajonin dhe potencialet e tij.
Ne jemi, do të thosha, vetëm në fillimet e konceptit të zhvillimit rajonal. Këtë vit, për herë të parë, ne kemi dërguar në parlament buxhetin dhe krijuar po në ligjin e buxhetit fondin për zhvillimin e rajoneve. Fondi për zhvillimin e rajoneve, implementimi, zbatimi dhe suksesi i tij, bazohet tërësisht në kapacitetet njerëzore të rajoneve. Syzet, dylbitë apo teleskopi i qeverisë qendrore nuk mund të jenë kurrë ato që mund të bëjnë vlerësimet më të mira, paraqitjen më të qartë dhe parashikimet më të sigurta për rajonet. Të tillë janë vetëm punonjësit, qeveritarët vendorë rajonalë, komunalë, bashkiakë e me radhë.
Ndaj unë e vlerësoj shumë këtë master, me të cilin ju do të pajiseni me të gjitha nocionet më të mira të qeverisjes rajonale dhe asaj territoriale. Ky master do t'u japë juve mundësi të mund të njihni dhe përcaktoni më qartë potencialet e secilit rajon. Ne bëjmë diskutime të shumta me zyrtarë dhe jemi të bindur se zhvillimi i rajoneve kalon, para së gjithash e mbi të gjitha, duke shfrytëzuar potencialet e tyre. Japonezët, vite më parë, ndërmorën një nismë: çdo fshat një produkt, një artikull. Dhe nuk ka zhvillim më të orientuar nga tregu se kjo, sepse në çdo rajon, në çdo komunitet, në çdo komunë ekziston një potencial i caktuar, më i madh se tek tjetra. Ndaj kjo kërkon, para së gjithash, njerëz të përgatitur si ju, për t’i identifikuar ato.
Kudo në Shqipëri ekzistojnë potenciale reale, të cilat, nëse do t’i shfrytëzonim e përdornim me mençuri, absolutisht, harta e varfërisë sot nuk mund të them se do të zhdukej, por do ishte disa herë më e vogël. Për të ndërtuar strategjitë e zhvillimit duhet njohur realiteti dhe pas njohjes së tij është ndërtimi i këtyre strategjive, është përcaktimi i përparësive, projektimi i zgjidhjeve, monitorimi i zbatimit të projekteve, pra, është një proces i tërë, i cili kërkon që punonjësit e shërbimit civil, si korpusi më konstant i administratës, të kenë të gjithë dijet, të gjithë arkivin e potencialeve rajonale, në mënyrë që të mund të ndikojnë fuqishëm.
Sot, ne ecim drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ju keni dëgjuar të bëhet fjalë për Europën e kombeve dhe këtë e theksojnë më së shumti për të karakterizuar BE-në si një bashkim kombesh me kultura të ndryshme, me identitetet e tyre dhe ky është realitet. Europa është bashkimi i kombeve me identitete të forta, i shteteve, të cilat ndofta në kohëra jo të shkurtra u zhvilluan si kombe shtet, por krahas saj flitet për Europën e rajoneve. Europa e rajoneve është Europa e vazhdimësisë territoriale, e burimeve të përbashkëta, e potencialeve për t’u shfrytëzuar. Në Bruksel, Komisioni Europian ka respektuar të dy këto Europa, ka respektuar Europën e kombeve dhe negocion direkt me qeveritë, por ka respektuar po kaq Europën e rajoneve dhe negocion direkt me rajonet për fonde të mëdha e ndërhyrje të fuqishme zhvillimore.
Në kushtetutën e vendit, rajone janë qarqet. Në tërësi, realiteti shqiptar nuk pajtohet me atë të shumicës së vendeve të BE-së përsa i përket rajonit, por ka ndonjë vend anëtar si Finlanda, e cila ka përafërsisht një ndarje të ngjashme me ne. Duke u ndodhur para vështirësisë që krijon ndarja aktuale në Shqipërinë e rajoneve po të shprehemi në këtë mënyrë, këtë vit, qeveria ka vendosur të shqyrtojë një ndarje të re rajonale, por që është thjesht ndarje pune dhe jo kushtetuese, nuk e ka të bazuar në Kushtetutë, sepse për ta bazuar në Kushtetutë duhet të ndryshohet Kushtetua. Kjo ndarje që zvogëlon numrin e rajoneve bazohet në një set statistikash, tërësi treguesish. Në një farë mënyrë, Komisioni Europian është pajtuar me këtë gjë. E theksoj kjo është një ndarje pune, gjer sa forcat politike të mund të bien dakord për të bërë reformën e qeverisjes vendore në tërësi, pasi reforma e bërë 20 vjet më parë tani është shumë larg së qeni e vlefshme. Ka me dhjetëra komuna të falimentuara, sepse unë quaj të falimentuara ato komuna që nuk mbahen dot me taksat e tyre dhe nuk po them se nuk zhvillohen apo ndërtojnë infrastrukturën me to, por nuk mbahen dot as si aparate. Ato sigurisht kryejnë disa shërbime, por ne mund t’ua realizojmë ato me sportelin unik elektronik të shërbimeve, sepse ne do të ecim drejt tij. Lëshimi elektronik i dokumenteve zëvendëson shumë burokracinë. Sidoqoftë ndarja e re përbën një përpjekje serioze për t’u përshtatur në ndarjen rajonale që Shqipëria duhet të ketë, në përputhje me kërkesat e BE-së, pasi, sikurse e theksova më lart, në të gjithë Europën, me përjashtim të Finlandës me të cilën ne kemi ngjashmëri, me vende të tjera jo.
Dua ta mbyll duke ju siguruar se politikat rajonale janë dhe mbeten politika parësore, janë dhe mbeten të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit dhe luftën kundër varfërisë, për shfrytëzimin më racional të të gjitha potencialeve, për bashkëpunimin më të suksesshëm ndërkombëtar me vendet përreth. Edhe një herë dua të falënderoj me shumë mirënjohje universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”, universitetin e Palermos, shoqatën Maggis dhe Institutin e Formimit Politik “Pedro Arupe”, të cilët shndërruan në realitet këtë master, i pari i këtij lloji në vendin tonë, si dhe t’i siguroj se ne e llogarisim shumë të bashkëpunojmë në të ardhmen në konkretizimin sa më shpejt të nismës së qeverisë për të pasur një universitet për administratën publike në këtë vend, universitet, i cili mund të hapet edhe në kuadrin e partneritetit publik privat, mund të jetë tërësisht publik apo tërësisht privat. Ne po përpiqemi të sheshojmë gjithnjë e më shumë dallimet në qëndrimin tonë ndaj sektorit publik e privat në arsim dhe shpresoj që brenda fundit të këtij viti, të kemi përcaktuar mekanizmin e ri të financimit të universiteteve, mekanizëm që vë në kushte të barabarta sektorin publik dhe privat të arsimit universitar e pasuniversitar të vendit.”
12/04/2010