Kryeministri Berisha uron Presidentin Obama me rastin e Ditës së Pavarësisë
Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA.
Në këtë letër të përzemërt Kryeministri Berisha shprehet:
“I dashur z.President, Obama!
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju uroj përzemërsisht për Ditën e Pavarësisë.
Me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, më 4 korrik 1776, vlerat e mëdha e të pandashme të njerëzimit, të jetës, lirisë dhe të së drejtës për të kërkuar lumturinë individuale, u sanksionuan, në mënyrën më spektakolare, si kurrë ndonjëherë më parë, si urdhëresat më të shenjta, mbi të cilat lartësohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çdo vend i lirë e demokratik.
Me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shndërruan në mbrojtësin dhe promovuesin, më pasionant e më të vendosur, të këtyre vlerave mbarëbotërore dhe të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe tregut të lirë, si institutet më të shkëlqyera për garantimin e jetës, të lirisë, mirëqenies e lumturisë të çdo individi, duke gëzuar mirënjohjen e përjetshme të çdo njeriu të lirë të planetit tonë.
Me bindjen e palëkundur në universalitetin e tyre për mbarë njerëzimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten edhe sot, rreth dy shekuj e gjysmë më pas, burimi më vezullues i shpresës, për miliona e miliona qytetarë të planetit tonë, që dëshirojnë dhe shpresojnë të jetojnë të lirë e me dinjitet, pa dallim race, përkatësie etnike, gjinie apo statusi shoqëror. Ndaj jemi të lumtur e mirënjohës, që, nën udhëheqjen tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten tërësisht të angazhuara dhe të japin kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin e paqes, të demokracisë e lirisë, në luftë kundër terrorizmit e varfërisë, kudo në botë.
I dashur z.President, Obama!
Kjo ditë e shënuar është një jubile i veçantë për të gjithë miqt e SHBA në botë, për ne shqiptarët dhe për mua, si Kryeministër i Shqipërisë, që pata rastin të përfaqësoj vendin tim në samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Kehl, si anëtar i denjë në Aleancën më të madhe të familjes së kombeve të lira. Takimi me Ju dhe dorëzimi nga Ju i Traktatit të Uashingtonit do të mbeten për mua dhe të gjithë shqiptarët një çast historik i paharrueshëm. Ndaj, në emër të të gjithë shqiptarëve, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin t’Ju shpreh mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen e mbështetjen e çmuar, që ju, administrata juaj dhe kombi i madh amerikan, miku më i madh e më i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të vendit tim, për të qenë anëtar i NATO-s si edhe për mbështetjen, që vazhdoni të na jepni, për përparimin e begatinë e mëtejshme të vendit dhe popullit tonë.
Gjithashtu, gjej rastin t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë për kontributin vendimtar e të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e pavarësimin e Kosovës.
Sot qeveritë e të dyja vendeve tona bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha. Shqipëria sapo përfundoi, me sukses, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat qenë më të mirat, të realizuara ndonjëherë përsa u përket standardeve. Ato u zhvilluan në një klimë tërësisht të qetë e konstruktive, duke dëshmuar, edhe një herë, se shqiptarët i përkasin denjësisht familjes euroatlantike, të vendeve e popujve të lirë. Shfrytëzoj rastin të ritheksoj vendosmërinë dhe angazhimin tim të plotë dhe të qeverisë, që unë kryesoj, se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe me administratën tuaj, si në kuadrin dypalësh, edhe në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të mirëqenies e të begatisë të të dy popujve tanë miq.
Më lejoni edhe një herë që, në përvjetorin e dyqind e tridhjetë e tretë të Ditës së Pavarësisë, t’Ju shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju personalisht, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për lumturinë e begatinë e popullit mik amerikan, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të përshtatshme për Ju.
Shfrytëzoj rastin për t’Ju ripohuar, z.President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”
Juaji
Sali BERISHA
03/07/2009