Kryeministri Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures
Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Kryeministri Berisha i përcolli Kryetarit të Kryegjyshatës Baba Dede Reshat Bardhi dhe të gjithë besimtarëve bektashinj urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë, si dhe i uroi atyre festat e fundvitit.
Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të gjithë bektashinjve shqiptarë i uroj nga zemra gëzuar këtë ditë të madhnueshme, ditë të bekuar, Ditën e Ashures. Kjo është një ditë për të shprehur nderimin më të madh për veprën e ndritur të bektashinjve në historinë tonë kombëtare, për ndihmesën e tyre të madhe në tolerancën fetare, por edhe atdhetarinë që ka karakterizuar në të gjitha kohërat bektashizmin shqiptar.
I shpreh respektin tim më të madh Baba Dede Reshat Bardhit për punën e tij të çmuar dhe përkushtimin e madh në rindërtimin e vlerave bektashiane në Shqipëri. Dëshiroj t’a mbyll me urimin më të përzemërt për të gjithë bektashinjtë shqiptarë për vitin 2010-të, i uroj një vit me gëzime, mbarësi, suksese dhe çdo të mira për t’a.29/12/2009