Kryeministri Berisha pret fituesit dhe organizatorët e Festivalit të 48-të në RTSH
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë realizimin e evenimenteve të tilla, kaq të rëndësishme, si dhe ardhjen e ekselencave të muzikës dhe të artit shqiptar, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë vendit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë dhe të përzemërt stafin organizator, si dhe këngëtaren fituese të Festivalit të 48-të të Këngës në Radio Televizion, i cili mbylli siparin e tij mbrëmë. Në këtë takim merrnin pjesë drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, zoti Petrit Beci, drejtoresha e Festivalit zonja Zamira Koleci, regjisor i Festivalit zotin Osman Mula, autori i muzikës së këngës fituese, artisti i mirënjohur Ardit Gjebrea, autori i tekstit të këngës fituese Pirro çako, këngëtarja fituese Juliana Pasha, muzikanti i njohur Shpëtim Saraçi, si dhe artisti i mirënjohur shqiptar me banim në Itali Olen çezari.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha uroi këngëtaren dhe autorin e këngës për fitoren, të cilën kryeministri e cilësoi si plotësisht të merituar, si dhe stafin organizues të festivalit për punën shumë cilësore në realizimin e Festivalit të 48-të Këngës në Radio Televizion. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo këngë do të përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në evenimentin e rëndësishëm në Festivalin Evropian të Këngës, i cili do të zhvillohet në maj të vitit 2010 në Oslo. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht, realizimin e evenimenteve të tilla, kaq të rëndësishme për kulturën e vendit, si dhe ardhjen e ekselencave të muzikës dhe të artit shqiptar, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Të pranishmit e falënderuan kryeministrin për mbështetjen e qeverisë në realizmin e këtij projekti të madh të muzikës shqiptare dhe shprehën të gjithë angazhimin e tyre në mënyrë që Shqipëria të paraqitet me dinjitet në Festivalin Evropian të Këngës, duke qenë kështu një promovim i vlerave të artit shqiptar në skenën evropiane.29/12/2009