KKTRSH miraton lejen infrastrukturore për kaskadën e Devollit dhe e përcakton TAP çështje të rëndësisë kombëtare, dy investimet më madhore energjike mbi 2.7 miliardë euro

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Këshilli Kombëtar i Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKTRSH) miratoi sot lejen infrastrukturore për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, si dhe përcaktoi projektin e gazsjellësit TransAdraitik (TAP) si çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit. Kaskada e Devollit dhe TAP, dy projektet më të rëndësishme energjetike në vend, fillojnë realizimin në vitin 2013 dhe sëbashku janë një investim prej rreth 2.7 miliardë euro.
Kryeministri Berisha, në nisje të mbledhjes së Këshillit, e quajti atë historike për nga rëndësia e këtyre dy projekteve për Shqipërinë, rajonin e Europën.
“Këto projekte, për nga garancia, dalin jashtë kufijve të vendit dhe janë dy ndër projektet më të rëndësishme që nisin zbatimin e tyre vitin e ardhshëm, në Europë.”
Pozita gjeografike e Shqipërisë, tha Kryeministri, e bën projektin TAP më fizibël kundrejt trajektoreve të tjera dhe e shndërron Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të shpërndarjes së gazit në Ballkanin Perëndimor e Europën Perëndimore.
Kryeministri Berisha tha se impakti që këto dy projekte sjellin është jo vetëm në aspektin e fuqizimit të sistemit energjetik dhe të ekonomisë shqiptare, por edhe social, pasi sëbashku projektojnë 42 mijë vende të reja pune.
Ndërsa vlerësoi se përfundimi dhe aktivizimi i këtyre dy projekte përbën një ndër faktorët kryesorë për përmbushjen e ambicies, në përputhje edhe me premtimin e qeverisë shqiptare, për ta vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara brenda vitit 2017, Kryeministri tha se këto investime madhore “janë dëshmi e një besimi të madh tek sistemi funksional i ekonomisë së tregut në Shqipëri dhe mjedisi miqësor për biznesin.”
KKTRSH miratoi:
1. Leja infrastrukture për ndërtimin e hidrocentralit ne lumin Devoll komuna Stravaj, rrethi Librazhd.
Ky projekt shtrihet në qarkun e Korçës dhe të Elbasanit dhe është investim i Devoll Hydropower sh.a., me vlere mbi 800 milionë euro, me investitorë kompaninë austriake AVN AG dhe atë norvegjeze Statkraft AS. Me tre hidrocentrale, i bazuar në tunele me dhjetëra kilometra, HEC-et mbi lumin Devoll do të kenë fuqi të instaluar prej 319 MW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike 985 GWh/vit. Projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punonjës. Duke kaluar ndër zonat më të izoluara të vendit, ky projekt konsiderohet të sjellë një transformim të thellë urban të këtyre zonave.
Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë trajtimin e çështjeve mjedisore dhe e bashkëpunimin me komunitetin.
“Janë bërë me qindra takime me banorët e zonave në terrenin më të vështirë, që fillon në Banjë dhe përfundon në Maliq, një aks shumë i vështirë për t’u kaluar, por që do të jetë një nga rrugët më të bukura të vendit, me një peizazh mahnitës. Me banorët janë diskutuar të gjitha problematikat, duke i garantuar ata se ky ndërtim do të jetë një perspektivë e re shumë pozitive për të ardhmen e tyre.”
2. Për përcaktimin e projektit TAP si çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit.
TAP sjell gazin e Kaspikut dhe Azisë Qendrore drejt Europës Perëndimore, në trajektoren jugore të Europës dhe konsiderohet projekti më fizibël. Ai kalon në një gjatësi prej rreth 200 kilometra në territorin shqiptar, për të cilin janë parashikuar rreth 2 miliardë euro investime. Nga zbatimi i këtij projekti parashikohet të punësohen direkt mbi 20 mijë punonjës dhe rreth 15 mijë të tjerë indirekt.
Projekti TAP konsiderohet gjithashtu si një investim i rëndësishëm në sektorin e energjisë që do te ketë një ndikim shumë pozitiv dhe të rëndësishëm në gazifikimin e ekonomisë së vendit, si dhe në diversifikimin dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në tregun shqiptar dhe rajonal.
“Shqipëria - tha Kryeministri - nis e sigurt, në katërvjeçarin që vjen, gazifikimin e familjeve shqiptare në të gjithë territorin e saj, duke ju garantuar atyre energji për ngrohje e gatim, me koston më të ulët se të gjitha format e energjisë që përdoren sot.”
Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha ndërsa e vlerësoi atë një projekt madhor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën, pasi diversifikon burimet e gazit për Europën Perëndimore, tha se Shqipërinë, e cila ka në këtë projekt një pozicion nevralgjik shumë të rëndësishëm, ka detyrime të mëdha për të përmbushur. “Fatlume janë këto projekte, të cilat nuk kërkojnë tre të pestat, sepse nuk do të kishim të bënim vetëm me murin e bllokimit të statusit, por dhe me murin e bllokimit të dy projekteve, të cilat përbëjnë levën e Arkimedit për shndërrimin e Shqipërisë, në mandatin që vjen, në një vend të zhvilluar. Fatlume janë këto dy projekte, që në trajektoren e tyre nuk kaluan asnjë metër në territorin e bashkisë së Tiranës, e cila në mënyrë absolute do t’i kishte bllokuar ato, deri më anëtarësimin në konsorcium të përfaqësuesve të saj. Por këtë mur nuk e ndërtojnë dot dhe projektet do të ecin. Përsëri vazhdon projekti “Shqipëria - superfuqi energjetike në rajon”.
3. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentraleve “Lenie”, “Shalës”, “Strelcë”, rrethi Korçë.
Ky projekt shtrihet përgjatë rrjedhjes së lumit Strelcë, në qarkun Korçë. Me një vlere investimi prej 354 milionë lekë, projekti parashikon të realizojë një total të fuqisë së instaluar prej 2.170 kW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike mesatarisht prej 10 milion kWh.
Kryeministri Berisha tha se në funksion të mbështetjes dhe fuqizimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme janë edhe disa vendime të rëndësishme të marra nga qeveria së fundmi: Heqja e TVSH-së për të gjitha makineritë për ndërtimin e hidrocentraleve, - por edhe për të gjitha makineritë e të gjitha kategorive të biznesit, nga biznesi i vogël e deri tek biznesi i madh; vendimi për heqjen e TVSH-së për çimenton dhe çelikun për ndërtimin e HEC-eve; vendimi për blerjen për afat të gjatë të energjisë së prodhuar nga këto hidrocentrale, me një çmim të barabartë me atë të importit, plus çmimin e transmetimit. Ndërkohë që operatorët janë të lirë ta shesin energjinë kudo në botë.
4. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentralit “ZallTore”, komuna Stravaj, rrethi Librazhd.
Ky projekt, me vlerë investimi prej 1 miliardë e 56 milionë lekë, ka një fuqi totale të instaluar prej 7.600 kW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike mesatarisht prej 31.5 milion kWh. Edhe ky hidrocentral është një investim në një nga zonat më të thella të vendit dhe pritet të sjellë një impakt të konsiderueshëm në punësimin e qytetarëve të këtyre komuniteteve.
5. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “ura e Fanit” dhe “Fangu”, rrethi Puke dhe rrethi Mat.
Projekti për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “ura e Fanit”dhe “Fangu” është investim me vlerë prej 16 miliardë e 320 milionë lekë. Në total hidrocentralet do të kenë fuqi të instaluar prej 87.700 kW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike mesatarisht prej 377.5 GW.
“Kjo kaskadë bën një shfrytëzim optimal të burimeve të dy luginave, të Fanit të Madh dhe të Fanit të vogël, si dhe punëson mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë të këtyre zonave. Ajo ka një specifikë, sepse kalon paralel me Rrugën e Kombit dhe i shtohet asaj si një dekor natyror madhështor. Pra, kemi të bëjmë me dy vepra të ndërtuara në atë luginë, tërësisht transformuese dhe që e bëjnë atë një nga peizazhet më të bukura që ka krijuar ndonjëherë njeriu. E treta e vërteta, do të jetë ndërtimi i hekurudhës në atë luginë”, - u shpreh Kryeministri pas prezantimit të projektit.
6. Leje infrastrukture për ndërtimin e antenave te telefonisë celulare “Eagle”
Vendimi u miratua pas kërkesës së kompania Eagle Mobile, operatori i 3-të i telefonisë celulare në Shqipëri, për leje infrastrukture me qëllim përmirësimin e aktivitetit GSM.
Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh: “Kjo kompani është me një kontribut të madh në tregun shqiptar të komunikimeve, me ambicie të mëdha pozitive në këtë treg. Përbën një zhvillim shumë pozitiv fuqizimi i tregut me 3 G është standardi aktual më i mirë i telekomunikimit dhe furnizimit me internet të qytetarëve në shtëpi, në zyra, në xhep, tek telefonat celularë, paçka se Google e hoqi tani sinkronizimin e Blackberry-t dhe me radhë. Uroj që Eagle të ketë ambicien e madhe, siç e ka dëshmuar deri më sot, për të ecur drejt 4 G me vendosmërinë më të madhe, pas shtrirjes së rrjetit të 3 G-së. Ne duam ta shohim këtë kompani në sukses të vazhdueshëm sikundër kompani të tjera.”
7. Plani i Përgjithshëm Vendor, Bashkia Kamzë
“Bashkia Kamzë, - tha Kryeministri pas prezantimit të Planit, - në regjistrimin e fundit të banesave, faktohet të jetë qyteti i 6-të më i madh në Shqipëri. Kamza është produkt i mrekullueshëm i iniciativës së lirë të qytetarëve shqiptarë. Në qoftë se qeveria ka investuar në këto vite, me përparësi në infrastrukturën e saj, ku janë ndërtuar më shumë se 500 kilometra rrugë, janë ndërtuar shkolla më shumë se në kryeqytetin e vendit, është ndërtuar sistemi ujësjellës-kanalizim, është investuar në furnizimin me energji elektrike, duhet të mos harrojmë se qytetarët kanë investuar në këtë qytet miliarda euro mund, djersë, energji, projekte dhe i kanë dhënë vendit, në 20 vjet, qytetin e 6-të më të madh të tij.
Ju patë këtu projektin e zhvillimit të Kamzës së këtij shekulli. Dua të përgëzoj bashkinë dhe studion përkatëse që kanë bërë këtë plan dhe dua të garantoj qytetarët e Kamzës se qeveria do të mbështesë fuqishëm urbanizimin e mëtejshëm, modern, të këtij qyteti. Por dua të përgëzoj bashkinë edhe për faktin se gjatë tre viteve të fundit, në përpjekjen e saj për një klimë sa më miqësore ndaj biznesit, ka arritur të vendosë në territorin e saj kompani të rëndësishme, shumë prej të cilave të larguara nga kryeqyteti, të cilat kanë punësuar në total, vetëm në fason dhe këto lloj industrish, rreth 11 mijë punëtorë. Me masat e reja që mori qeveria, me votimin sot në parlament për heqjen e TVSH-së për çdo makineri prodhuese, ne favorizojmë punësimin. Po ashtu, në territorin e bashkisë dhe nën kujdesin e saj, një konsorcium po ndërton Parkun Logjistik, ndër më të mëdhenjtë në rajon, me kapacitet punësues deri ne 20 mijë punëtorë e specialistë të fushave të ndryshme.”
8. Plani i Përgjithshëm Vendor, Bashkia Berat
Pas prezantimit të Planit, Kryeministri Berisha u shpreh: “Unë dua të përgëzoj bashkinë e Beratit për vendosmërinë, seriozitetin me të cilin ka trajtuar kushtetutën e zhvillimit të këtij qyteti të një rëndësi të madhe jo vetëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por të një qyteti që i bën dritë, i bën krenarë të gjithë njerëzve të qytetëruar të planetit që kanë në Berat një trashëgimi kulturore më të çmuar, të njohur nga UNESCO. Por, nga ana tjetër, dua ta përgëzoj bashkinë e Beratit për bashkëpunimin me autoritetet qendrore dhe mbështetjen financiare që autoritet qendrore kanë dhënë për hartimin e këtij projekti. Partneriteti midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore është në interesin më të mirë të qytetarëve dhe nuk cenon aspak pozicionet politike të përkatësive të këtyre qeverive.”
***
Fjala e Kryeministrit në nisje të mbledhjes së KRRTRSH.
“Kjo mbledhje do të hyjë në histori, sepse sot vendoset për dy projekte gjigande, të cilat në tërësi përbëjnë investime prej rreth 2.7 miliardë euro. Këto projekte, për nga garancia, dalin jashtë kufijve të vendit dhe janë dy ndër projektet më të rëndësishme që nisin zbatimin e tyre vitin e ardhshëm, në Europë.
Një nga këto projekte është kaskada e Devollit, e cila do të realizohet nga kompania numër një e hidrocentraleve në Europë dhe ndërtuesi kryesor i hidrocentraleve në botë, e cila menaxhon mbi 200 hidrocentrale, kompania norvegjeze Statkraft dhe nga kompania austriake EVN. Projekti i kaskadës së Devollit është një projekt i madh, me mbi 800 milionë euro investim. Me tre hidrocentrale, i bazuar në tunele me dhjetëra kilometra, ky projekt transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjetik të vendit dhe përbën një hop cilësor drejt shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi energjetike rajonale. Projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punëtorë, teknikë, inxhinierë, menaxherë, juristë, ekonomistë e drejtues. Faktikisht, ky është projekti i punësimit më të madhtë shqiptarëve.
Hidrocentrali i Devollit kalon në një zonë në një nga zonat më të izoluara dhe të thella të vendit, sepse infrastruktura e ndërtuar i ka përmbysur konceptet e thellësisë së vendit. Në qoftë se para një viti Kalaja e Dodës ishte një nga zonat më të thella të Shqipërisë, aq sa kur lideri i opozitës udhëtoi një herë iu duk sikur u ngjit në Polin e Veriut – ju kujtohet kur doli sikur të ishte një udhëtar polar – tani Kalaja e Dodës arrihet për 1 orë e 40 minuta nga qendra e Tiranës dhe me një udhëtim shumë të këndshëm. Projekti i Devollit kalon në një trajektore shumë të izoluara dhe i shndërron ato ndër zonat më të urbanizuara të vendit, kryesisht zonat e rrethit të Gramshit.
Hidrocentralet e kaskadës së Devollit janë të parat hidrocentrale të rëndësishme, me jetëgjatësi shekullore. Për shkak të ndërtimit të tyre bazuar kryesisht në tunele, ato kanë meritën e kapërcimit të shekujve, vetëm me ndërrimin e turbinave dhe sistemi i tyre ujor mbijeton shekuj e shekuj.
Vendimi që pret sot Bordi i Statkraft është dëshmi e një besimi të madh tek Shqipëria, tek ligjet dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit. Nuk ka diskutim që këto ligje e ky mjedis ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm, por, nga ana tjetër, është pa mëdyshje e vërtetë se këto ligje e ky mjedis përbëjnë një bazë solide e të fortë për investime të përmasave europiane e botërore, siç është investimi i Statkraft i Norvegjisë në kaskadën e Devollit, është dëshmi e një besimi të madh tek sistemi funksional i ekonomisë së tregut. Ndaj u shpreha që në fillim se kemi të bëjmë me një seancë historike të këtij Këshilli.
Në rendin e ditës kemi edhe një seri vendimesh për hidrocentrale të tjera, por unë dua të ndalem në një vendim tjetër të një rëndësie shumë të madhe, vendimi i shpalljes së projektit të gazsjellësit TransAdtriak si çështje e rëndësisë kombëtare. E vërteta është se TAP është një projekt i një rëndësie të madhe ndërkombëtare. Shqipëria pati fatin e bëri çdo përpjekje që të jetë pjesë e këtij projekti historik. Projekti i parë madhor që sjell gazin e Kaspikut dhe Azisë Qendrore drejt Europës Perëndimore, në trajektoren jugore të Europës. Ky projekt është investim gjigand. Vetëm në fushën e Shah Deniz 2 investohen për furnizim me gaz të këtij gazsjellësi, 25 miliardë euro. Në ndërtimin e tij, si investim i parë investohen mbi 12 miliardë euro, nga të cilat rreth 2 miliardë euro në Shqipëri. Projekti ndryshon në kahje pozitive situatën energjetike në Europën Perëndimore dhe Juglindore.
Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të lakmueshëm në Ballkan. Pas Gjibraltarit e Dardaneleve, Otranto është një ndër ngushticat më të rëndësishme të Mesdheut, çka e bën projektin e gazsjellësit TransAdriatik më fizibël në këtë trajektore, se të gjitha trajektoret e tjera. Kjo së bashku me politikën e jashtme të qeverisë shqiptare në mbrojtje të interesave kombëtare, bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë e Azerbaxhanit, me qeverinë e Turqisë dhe të qeverive të tjera mike ka bërë të mundur që ky projekt të shkojë drejt preferencës më të parë, - vendimi përfundimtar do të merret muajt që vijnë, - por deri tani mund të themi se është projekti më fizibël, më serioz e më i besueshëm nga të gjithë gjigandët energjetikë që marrin pjesë në realizimin e tij, me investimet e tyre në konsorciumin Shah Deniz 2, apo në ndërtimin direkt të TAP.
Por, zonja e zotërinj, edhe ky projekt është dëshmi e një besimi të madh të gjigandëve të gazit e naftës, kompanive më të mëdha të kësaj fushe në botë, të qeverive të këtyre vendeve, tek klima dhe mjedisi i favorshëm për biznes në Shqipëri, është dëshmi e palëkundur e tyre në funksionalitetin e ligjit dhe të ekonomisë së tregut në këtë vend. Me këtë projekt, Shqipëria merr një rol qendror në shpërndarjen e gazit në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Perëndimore, pasi ajo do të jetë një nyje nga e cila gazi do të kalojë drejt bregut tjetër, por do të ngjitet gjithashtu drejt veriut në vendet e tjera ballkanike.
Shqipëria nis e sigurt, në katërvjeçarin që vjen, gazifikimin e familjeve shqiptare në të gjithë territorin e saj, duke ju garantuar atyre energji për ngrohje e gatim, me koston më të ulët se të gjitha format e energjisë që përdoren sot. Shqipëria ka edhe depozitat natyrore të mëdha të gazit, të cilat do të vihen në dispozicion të këtij projekti dhe përbëjnë një aspekt shumë të çmuar, për suksesin e këtij projekti. Në këtë projekt, i cili kalon në një gjatësi prej rreth 200 kilometra në territorin tonë, do të bëhen rreth 2 miliardë euro investime dhe këtu punësohen direkt mbi 20 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe rreth 15 mijë të tjerë indirekt.
Viti që vjen është fillimi i projekteve të mëdha, përfundimi i të cilave e vendos Shqipërinë, në mënyrë të sigurt, në grupin e vendeve të zhvilluara. Përfundimi i të cilave do të jetë faktori kryesor në dyfishimin e të ardhurave dhe kalimin e saj në grupin e vendeve të zhvillua. Siç e shihni, premtimi im solemn se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë - vend i zhvilluar do të fillojë të bëhet i prekshëm që vitin që vjen dhe do të kompletohet në fundin e mandatit të tretë, në vitin 2017.
Siç e thashë sot miratojmë vendimet edhe disa hidrocentrale të tjera të rëndësishme si i Stravaj, Lenies, ZallTores etj., për të cilat unë përgëzoj kompanitë.
Gjithashtu sot marrim në shqyrtim edhe planin rregullues të territorit të bashkisë së Beratit dhe të Kamzës, por e vërteta është se edhe një seri qytetesh të tjera i kanë përfunduar dhe dorëzuar. Ndërkohë ky proces, që është jetik për kontrollin e territorit, uroj të vazhdojë me shpejtësi. Tirana u detyrua ta ribëjë për shkak të klientelizmit që kishte sunduar tërësisht në të ashtuquajturin plan të ish kryetarit të bashkisë. Klientelizëm që në mënyrën më të papranueshme kishte ndëshkuar zonat me banorë autoktonë të Tiranës. Aty kishte gjetur të gjithë pasionin për t’i lënë ato në gjendjen siç janë ndërtuar 100 apo 200 vjet më parë dhe për të bërë miliarderë në zona të tjera. Praktikë kjo që merr fund. Nuk mund të ketë diskriminime të tilla.”
20/12/2012