Fjala e kryeministrit Berisha ne seancën e sotme parlamentare
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë, që ndiqni këtë seancë, të cilën në një seri seancash opozita e ka shndërruar në një show tragjik për veten e saj, në një show tragjik sepse kjo opozitë ka parë tek ky buxhet gjigand, më i madhi në historinë e vendit, tmerrin e vërtetë të qershorit, sepse çdo mirësi e transkriptuar në forma të ndryshme për qytetarët shqiptarë, opozita e sheh në votë kundër saj, në makthin e madh të sterilitetit dhe të shterpësisë së alternativës, së bazuar kryekëput në mashtrimin.
Opozita sot dëshmon se ka interesa të madha dhe do të meritojë të quhet akcizë opozita, e vetmja opozitë që kundërshton ndryshimet në akciza të kanë dy synime kryesore, krijimin e vendeve të punë në Shqipëri, procesin e përpunimit dhe qëllimin e dytë të padiskutueshëm luftën kundër kontrabandës.
Lufta kundër kontrabandës në disa sektorë delikatë i intereson grupeve të miliarderëve brenda opozitës. Nuk do ta harroj kurrë reagimin tuaj për lojërat e fatit në këshillin bashkiak dhe bëtë atë vetëm për Fidelin e Partisë. Në një kohë kur sot çdo natë, familjet shqiptare bien në fatkeqësi të madhe nga ajo industri mëkati dhe në një kohë kur opozita duhet të ishte e para që të thoshte duhet tu vihen drynat, opozita ishte ajo që protestoi në mënyrën më absurde në parlament për të mbrojtur kryebixhosxhiun e vendit që është edhe një nga miliarderët më të fuqishëm të partisë suaj, zotin Fidel Yllli dhe industrinë e tij.
Opozita është e dhimbshme, është unike në botë që nuk voton buxhetin, i cili më shumë se çdo buxhet tjetër në historinë e shqiptarëve, shndërrohet në para në kontot dhe xhepat, portofolat e 800 mijë familjeve shqiptare. Nuk voton buxhetin , i cili më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në rrugë, rrugica, shkolla, spitale për qytetarët shqiptarë. Nuk keni votuar buxhetet, të cilat kjo qeveri ka faktuar para shqiptarëve dhe botës konvertimin, kthimin më të fuqishëm të rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët, të pasurive në mirëqenie dhe vlera për qytetarët.
Nuk keni votuar buxhetet, të cilat në një hark kohor 6 vjeçar garantuan një stabilitet makroekonomik të tillë dhe ngritën Shqipërinë në çatinë e botës për thithjen e investimeve të huaja për frymë. Nuk keni votuar buxhetet, te cilat bënë të mundur të ndërtohen 10 mije km rrugë. Nuk keni votuar buxhetet, të cilat bënë të mundur të rriten rrogat e mësuesve në 120 deri në 150 %. Nuk keni votuar buxhetet, të cilat bënë të ,mundur ndërtimin dhe rindërtimin e 1300 shkollave në mbarë vendin. Nuk keni votuar buxhetet të cilat bënë të mundur furnizimin me ujë rubineti të mbi 96 % të shqiptarëve. Nuk keni votuar buxhete të cilat u bazuan mbi njëbarrë fiskale 2 herë më të vogël se e juaja, por në një luftë të egër me kontrabandën. A i morët të dhënat, ç’doganonit nga 1200 në 2700 ton kafe në ditë. A e harruat ju kur u thosha që Caci është i nxirë nga kafeja? E provoi që të bëhet ministër por i doli diçka tjetër tani dhe s’mund të bëhet më kurrë. As ti Mimi ç është e vërteta. Se e keni bërë si ato kaushët e kokoshkave këtë punë.
Pra, nuk votuat buxhetet sepse ato u bazuan në 9 miliard më shumë në 6 vite, se sa të qeverisjes suaj. Nuk votuat buxhetin sepse ai u shndërrua në shtyllë kryesore, në parapritë të një krize të fuqishme me të cilën ekonomia shqiptare po bën betejën e Davidit me Goliasin dhe po e fiton. Nuk e votuan buxhetin sepse u dyfishuan pensionet minimale, u dyfishuan ndihmat ekonomike. Nuk e votuat buxhetin sepse jepnit për të sëmurët shqiptarë 50 milion rimbursim dhe sot ka 250 milion dollarë rimbursim.
Nuk e votuat buxhetin sepse në një kohë që rritët në stratosferë rrogat tuaja shpenzonit si faturë sociale në tërësi, një faturë që po rrënonte të gjitha shërbimet. Nuk e votuat buxhetin sepse këto buxhete bënë të mundur që Shqipëria të ketë 3 herë më shumë studentë se 6 vite më parë. Njëherë sulmoni universitet private dhe pastaj u riktheheni universiteteve publike. Ju duken studentë si lugetër për votat. Ata do të votojnë Partinë Demokratike. Ata e kanë bërë kontratën. Nuk e votuat buxhetin sepse në çdo sukses të tij ju shihni një disfatë në qershor. Por disfata nuk vjen nga këto që ka bërë Partia Demokratike. Jo se ajo nuk kërkon vota për këto. Disfata ju vjen nga mashtrimet e përditshme që ju bëni shqiptarëve. Jeni shndërruar në një megamakineri shpifjesh dhe trillimi të përditshme. Më së fundi bëtë zbulimin gjenial që Banka e Shqipërisë të vlerësoi borxhin si % e GDP. Por ka gjë më qesharake dhe primitive se kjo. Nuk e votuat buxhetin se ju doni që biznesi të falimentojë dhe ky buxhet me këto ligje që votohen sot ,dukje bërë zero TVSh për të gjitha makineritë e bizneseve të mëdha, për të gjitha makineritë e bizneseve të mesme dhe të vogla. Pra me këtë ligj ju kuptoni se do të krijoni dhjetëra mijëra vende pune të reja. Ju besoni mashtrimet tuaja. Ky është problemi, nuk është i yni. Ju keni krijuar në selinë e partisë suaj, fabrikën e mashtrimit dhe të gjithë korifenjtë e saj janë 99-shat që kanë zero njohuri nga puna, ekonomia, sociologjia dhe gjithçka tjetër, që kanë të zhvilluar shkencën e përvetësimit të parave të shoqërisë civile dhe shndërrimit në vila të përkryera. Nuk e votuat buxhetin se gjithçka e bazoni në mashtrimin e përditshëm që ju bëni qytetarëve shqiptarë, por unë ju bëj thirrje, votoni këto ligje se këto ligje kanë mbrapa krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës. Do të hiqet tvsh-ja për të gjitha makineritë për të gjitha kategoritë e bizneseve. Kjo është një opozitë e cila po shkon drejt një disfate të pashmangshme
Para se ta mbyll, do t’ju bëj edhe një thirrje. Janë 3 ligje të cilat prekin, në disa mënyra, të ardhmen e shqiptarëve, dinjitetin e shqiptarëve, kontot dhe mirëqenien e shqiptarëve. Këto janë ligjet që pret Komisioni Evropian, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin. Unë ju bëj thirrje; ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj si politikanë dhe i votoni këto ligje. Për tre muaj me radhë, u përpoqët çdo ditë të mashtronit shqiptarët se ato nuk janë kushte dhe se Komisioni Evropian, në tetor, botoi raportin dhe dha mendim pozitiv për Shqipërinë, me kushtin që ju të votoni 3 ligjet me të cilat ju po mbani peng statusin e Shqipërisë dhe e keni ngritur atë si mur i tmerrshëm bllokimi, për ta shembur ne, në qershorin që vjen. Vazhduat njëlloj si ditën e ftesës për në NATO, me mashtrimin se vende anëtare nuk do të lejojnë që Shqipëria të marrë statusin. Madje rendët, kur një parti ekstremiste dhe anti-islamiste në një vend mik, ia doli që, sapo mori rekomandimin, të diktojë se Shqipërisë nuk do t’i jepet statusi, por që më vonë, edhe ajo e ndryshoi mendimin. Sepse ajo qeveri është një qeveri demokratike, është një qeveri që vlerëson vlerat. Pra, edhe aty ku besuat ju se nuk do kishte rekomandim, edhe aty u përmbys.
Çfarë ndodh me ju? Ju përpiqeni të gjeni çdo fije bari për t’u kapur dhe për t’i bërë dëm procesit të integrimit. Mblidhet Këshilli i të gjithë Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe paraqet si kërkesë plotësimin e tri kërkesave të Komisionit Evropian, ndërsa ju nuk citoni 27 ministra të BE-së, por citoni deklaratat konfuze të një ambasadori apo të një tjetri, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët dhe nuk shprehin askurrkund mendimin e Këshillit Evropian, që shprehet gjithnjë nëpërmjet ministrit kryesues të presidencës së radhës së BE-së. Ju harruat se këtë gjë bëtë edhe kur u anëtarësua Shqipëria në NATO. A i keni ende midis jush, apo i keni shkarkuar, për gafat që bënë në atë kohë, njerëzit që merreshin me politikën e jashtme, vetëm e vetëm se dilte dhe u thoshte një x apo y person, se nuk është e sigurt ftesa për anëtarësim në NATO, në Bukuresht?. Madje bërtitët me forcë se nuk do të votojë as senati amerikan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Mos u merrni me thashetheme, mos u bëni opozita e thashethem-it, hiqni dorë nga “darkat e gabuara” në mbrojtje të Enver Hoxhës, besojini transparencës evropiane, të Bashkimit Evropian, të institucioneve të tij. Unë kam dëgjuar këtu edhe eksponentë kryesorë të Komisionit parlamentar të Integrimit që të thonë në emisione televizive; mos përmendni Parlamentin Evropian për statusin, sepse nuk ka vlerë Parlamenti Evropian. Çmenduria nuk mund të ketë emër tjetër, marrëzia dhe injoranca nuk mund të kenë emër tjetër, përves këtij. Por, Parlamenti Evropian është institucioni qendror dhe, të gjithë ata që njohin ligjin e ri të BE-së, e dinë se cili është roli i këtij parlamenti në të gjitha proceset e integrimit, përveçse për opozitës shqiptare, e cila thotë se ajo rezolutë nuk ka rëndësi.
Duhet të dalin çdo tri ditë, të huajt e t’ua lexojnë kushtet, vetëm e vetëm që t’ju thonë “mos u bëni e keqja e Shqipërisë”. Ata të huaj që jua thonë, duan që të mos shohin të keqen e vendit. Ata nuk e bëjnë për mua atë thirrje, sepse ata e dinë që unë bej interpretim të saktë, nuk e bëjnë për qeverinë, sepse e dinë që qeveria ka bërë interpretim të saktë të dokumenteve të tyre. Ata e bëjnë për ju, me keqardhje të madhe, ata nuk duan të shohin një forcë politike si të keqen e qytetarëve të vet, ata nuk mund të shohin në Evropë një forcë politike si të keqen e procesit të integrimit, sepse e tillë nuk ka qenë as partia e Sheshelit, se të tilla nuk kanë qenë as partitë më ekstremiste të Ballkanit. Ata nuk duan të shohin në Evropë, një forcë politike të përbërë nga 75 ministra e kryeministra të qeverisjes së saj, që tani bëhen bllok -kallkan në procesin e integrimit të vendit. Ata nuk duan të shohin një forcë politike e cila, për 3 ligje, mban peng 200 milionë euro për rrugët, rrugicat, ujësjellësit dhe shkollat e fëmijëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që ua rikujtojnë çdo 3 ditë dhe që ju i detyroni të përgënjeshtrojnë mashtrimin tuaj, që bëni çdo tre ditë. Keni angazhuar në media megapropagandën e mashtrimit, që t’u thonë shqiptarëve se statusi është i lidhur me zgjedhjet, a thua se shqiptarët jetojnë në anën e pasme të Hënës e nuk e dinë se çfarë janë zgjedhjet, se shqiptarët nuk dëgjojnë çdo ditë mediat, të cilat u thonë se statusi është i lidhur me 3 kushtet që bllokon Edi Rama për karrigen e tij. Dilni mbi interesat e karriges së Kryetarit, sepse ju jap fjalën e nderit se, në këtë mënyrë, ai nuk do ta shohë veçse me dylbi karrigen e Kryeministrit. Faleminderit.
20/12/2012