E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Fiter Bajramit

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja  e tij, zonja Liri Berisha vizitoi sot në mesditë, selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e  festës së Fiter Bajramit.

Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça dhe shumë besimtarë të tjerë, të cilëve iu uroi këtë Ditë, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre, për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj, në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare.

Më pas, kryeministri i përcolli mesazhin e urimit të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, duke u shprehur:

“Një urim shumë të përzemërt të gjithë atyre që në përkushtim të madh ndaj Zotit agjëruan Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit, si dëshmi e gatishmërisë së tyre, për sakrificën në emër të Zotit, të shndërrimit të saj, në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare. Urimi është natyrisht për të gjithë besimtarët myslimanë, si dhe besimtarët e të gjitha besimeve, të cilët kanë tek i Gjithëfuqishmi, tek Zoti, gurrën e pashtershme të forcës, të energjisë, të frymëzimit.

Dua të shpreh edhe njëherë nderimin tim më të thellë, për të gjithë udhëheqësit shpirtërorë të kombit shqiptar, udhëheqësit  e të gjitha besimeve për kontributin  e tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e infrastrukturës shpirtërore, ndërtimin e besimeve fetare, nisur nga kushtet dhe rrethanat më të vështira, më të paprecedentë. Në një hark kohor të shkurtër ata ia dolën të ngrenë vlerat hyjnore, të ngrenë dhe të rindërtojnë besimet  e mëdha të shqiptarëve, në harmoni të plotë njëri me tjetrin, në tolerancë të shkëlqyer, në bashkëpunim, çka përbën kjo dhe virtytin më të madh të shpirtit të këtij kombi dhe të këtyre qytetarëve.


30/08/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›