E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen nga jeta të Ambasadores çeke Marketa Fialkova-Nemcová

25 gusht 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi homazhe dhe shprehu sot ngushëllimet në emër të shtetit shqiptar në Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Ambasadores çeke Marketa Fialkova-Nemcova.

Pasi u përul me respekt para fotos me shiritin e zi të së ndjerës Ambasadore Fialkova të vendosur në mjediset e brendshme të Ambasadës çeke, Presidenti Topi shprehu edhe njëherë ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen e thellë, të shoqëruar nga hidhërimi për lajmin e papritur duke nënshkruar Librin e Zisë: “Humbja e parakohshme e jetës së Ambasadores së Republikës Çeke në Tiranë, zonjës Marketa Fialkova-Nemcova, ka shkaktuar një hidhërim të thellë tek mua personalisht dhe tek të gjithë ata që e kanë njohur gjatë veprimtarisë së saj diplomatike në Shqipëri.

Ambasadorja Fialkova, me përvojë të pasur politike dhe diplomatike, ka përfaqësuar me dinjitet të lartë Republikën Çeke në Shqipëri dhe ka kontribuar aktivisht në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona mike. Me këtë rast, i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, të afërmve, si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të saj!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›