Kryeministri Berisha uron studentët në mbarë vendin me rastin e fillimit të vitit të ri akademik
- Universiteti ‘Fan Noli” është shndërruar në vatrën më të fuqishme, gjeneratorin më kryesor të dijes dhe zhvillimit të rajonin e Shqipërisë Juglindore.
- Kam besim të madh tek të gjithë stafi akademik i universiteteve tona se me rezultatet e shkëlqyera që keni arritur deri më sot, me mundin dhe përkushtimin tuaj, me vizionin e shkëlqyer që ju keni për shkollat e larta dhe universitete ne do të ndërmarrim një rrugëtim të pandalshëm drejt niveleve të reja të cilësisë, në mënyrë që këto universitete janë dhe do të mbeten përgjithnjë burime të pashuara drite për shoqërinë shqiptare.
-
Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha vizitoi sot, Universitetin “Fan Noli”, nga ku u drejtoi një përshëndetje studentëve të mbarë vendit, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2011-2012, ditë e cila përkon edhe me 40 vjetorin e krijimit të universitetit “Fan Noli”.
Në takimin e zgjeruar me pedagogë e studentë, kryeministri Berisha, duke falënderuar për ftesën shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre në një ditë të shënuar për universitetin.
Kryeministri e vlerësoi universitetin e Korçës, si një universitet, i cili ka krijuar një trashëgimi të shkëlqyer në rrugën e dijes dhe i ka dhënë vendit gjatë këtyre 40 viteve me mijëra specialistë të përkushtuar në shumë fusha. “Ky universitet është shndërruar në vatrën më të fuqishme, gjeneratorin më kryesor të dijes dhe zhvillimit të rajonin e Shqipërisë Juglindore.” u shpreh kryeministri.
Duke shprehur respektin më të thellë per pedagogët themelues të universitetit dhe studentët e parë të tij, kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për ti krijuar këtij universiteti dhe të gjithë universiteteve të vendit, infrastrukturën më moderne, laboratorët më bashkëkohore, bashkëpunimin më intensiv me mbarë universitetet e botës.
Më pas, kryeministri u ndal në arritjet dhe sfidat e sistemit arsimor në Shqipëri, si dhe përpjekjet e pandalshme të qeverisë shqiptare, për arritjen e standardeve të vendeve më të zhvilluara, në fushën e arsimit. “Dua tu siguroj ju të nderuar pedagoge dhe pedagogë se për qeverinë time, arsimimi dhe shkollimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive.” tha kryeministri.
Së bashku me kryeministrin, të pranishëm ishin edhe Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafai,Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, rektori i universitetit zoti Gjergji Mero, drejtues dhe pedagogë të universitetit, studentë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në fjalën drejtuar studentëve dhe pedagogëve, kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar ministër Z. Tafaj,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Rektor, të nderuar dekanë, pedagoge dhe pedagogë të Universitetit Fan Noli,
Të dashur studente dhe studentë,
Të nderuar pjesëmarrës!
Faleminderit shumë zoti rektor për ftesën që më bëtë, për të festuar së bashku me ju ditëlindjen e 40 të këtij universiteti si dhe ditën e parë të vitit të ri akademik, këtu në Korçë dhe mbarë Shqipërinë, në universitetet e vendit.
Universiteti i Korçës, i cili e filloi veprimtarinë e tij si Institut Bujqësor, 40 vjet më parë ka krijuar tashmë një trashëgimi të shkëlqyer në rrugën e dijes dhe i ka dhënë vendit këto 40 vjet, me mijëra specialistë të përkushtuar në shumë fusha dhe sot me reforma të thella ky universitet është shndërruar në vatrën më të fuqishme, gjeneratorin më kryesor të dijes dhe zhvillimit në rajonin e Shqipërisë Juglindore.
Prandaj, le të shprehim sot së bashku, nderimin më të thellë, për pedagogët, pedagoget, studentet dhe studentët, që 40 vjet më parë hodhën farën e dijes këtu në Korçë, e cila u rrit dhe bëri të mundur këtë universitet, i cili sot numëron më shumë studentë seç numëronin të gjitha shkollat e vendit, në ditët kur unë studioja në universitetin e Tiranës.
Sot, Korça ka një staf akademik nga më të përgatiturit, 70 % e të cilit është me tituj dhe grada shkencore, ka një bazë laboratorike moderne, biblioteka dhe salla leksionesh, sisteme video-konferencash.
Gjatë tre viteve të fundit janë investuar mbi 150 milion lekë dhe unë ju garantoj ju, zoti rektor se do të bëjmë gjithçka për ti krijuar këtij universiteti dhe të gjithë universiteteve të vendit, infrastrukturën më moderne, laboratorët më bashkëkohore, bashkëpunimin më intensiv me mbarë universitetet e botës.
Duke shprehur respektin më të thellë për të gjitha ata, të cilët u diplomuan në këtë universitet, kontributin e tyre të çmuar në të gjithë zhvillimin e vendit shpreh besimin tim të madh tek të gjithë ju, pedagogë dhe pedagoge, studentë dhe studente, se ju nga ky universitet do të projektoni me kompetencë të madhe të ardhmen e merituar të Korçës, por edhe të mbarë Shqipërisë.
Gëzuar 40 vjetorin e lindjes së universitetit Fan Noli!
Të dashur studentë dhe studente,
Sot është dita e parë e mësimit në të gjitha shkollat e larta dhe universitet e Shqipërisë, ndaj dhe unë dua tu përshëndes përzemërsisht ju, si dhe të gjithë studentet dhe studentët, pedagogë e profesorë të universiteteve të mbarë vendit. Tu uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm në profesionin tuaj, në garën fisnike të dijes.
Sot është dita e parë e mësimit, por edhe çdo ditë tjetër në universitete e vendit është para së gjithash ditë përgjegjësish të rëndësishme për të gjithë vajzat dhe djemtë që në auditorët, laboratorët, në seminaret, debatet kanë mundësi të njohin veten e tyre të njohin talentin,të zhvillojnë intelektin e tyre, për vete, familjet dhe shoqërinë.
Vitet e formimit tuaj në universitet janë vitet më të rëndësishmet të jetës suaj, vite në të cilat ju shndërroni në realitet ëndrrën tuaj më të bukur, personale,rinore, ëndrrën e diplomës universitare, të pasaportës suaj intelektuale, të pushtetërimit më të pushtetshmin e të gjitha pushteteve, me pushtetin e dijes. Suksesi jua është i një rëndësie kapitale, jo vetëm për ju dhe familjet tuaja, por për mbarë shoqërinë tonë. Vitet e universitetit janë vite të bukura, por të mbushura plot me sfida dhe vështirësi të llojeve dhe të origjinave nga më të ndryshmet, personale, familjare, ekonomike, sociale shëndetësore, të gjithanshme.
Unë, të dashur studente dhe studentë ju bëj thirrje, të guxoni të ngriheni mbi to, të vlerësoni forcën e madhe që ju keni, të mos pranoni tu dorëzoheni vështirësive. Përkushtimi juaj ndaj studimit, leksioneve dhe seminareve, angazhimi në debate të lira janë rruga e vetme dhe më sigurtë për të për të zvogëluar çmimin e pamerituar të vështirësive me të cilat përballeni. Mos harroni se ju dhe vetëm ju, vajzat dhe djemtë e dijes së universiteteve të vendit shkruani dhe firmosni fatet tuaja, të ardhmen tuaj. E ardhmja juaj është e ardhmja e vendit dhe e shoqërisë, pra e ardhmja e Shqipërisë varet tërësisht nga ju.
Kjo që mësoni sot, në universitet përcakton më shumë se çdo gjë tjetër aftësinë tonë si komb për tu përballur me sukses me sfidat e mëdha të së ardhmes, për të vendosur ekonominë dhe zhvillimin tonë, mbi bazat e dijes, inovacionit, revolucionit teknologjik dhe post teknologjik. Ndaj dhe për mua është një rast i lumtur tu uroj një vit të mbarë studenteve dhe studentëve të Shqipërisë.
Uroj të bëni përpjekjet më të mëdha për të arritur suksese në qendrushmërinë, ne rrugën që keni nisur. Kjo ditë është një ditë përgjegjësie e madhe për familjet tuaja, të cilat me sakrificën e tyre, me mbështetjen e ngrohtë që ju rezervojnë, me vendimin që kanë marrë, ju bëjnë ju dhuratën më të madhe, më të bukur të jetës suaj, shkollimin në universitete.
Me këtë rast unë dua të përshëndes bashkë me ju dhe me mirënjohje të thellë të falënderoj të gjitha familjet tuaja, këtu në Korçë dhe në Shqipëri, kudo ku janë. Përgjegjësitë kanë hierarkinë e tyre, sa më lart që të ngjitesh, aq më të mëdha bëhen ato. Kështu ato janë më të mëdha për pedagogët që duhet të mëkojnë tek ju, t’ju frymëzojnë ju me pasionin për dijen,kërkimin shkencor, eksplorimin, norma etike dhe morale thelbësore për intelektualin dhe njeriun në tokë. Ndaj dhe unë dua që me respekt të veçantë dhe mirënjohje te thellë të përshëndes të gjithë stafin akademik të universitetit “Fan Noli”, por edhe të gjitha universitetet e vendit, në këtë ditë të rëndësishme për universitetet dhe të vendit në tërësi.
Këto përgjegjësi janë më të mëdha për drejtuesit e universiteteve , qeveritë qendrore dhe vendore të vendit, për të përmbushur detyrimet e mëdha që kanë ndaj jush, ndaj universiteteve dhe shkollat e larta të vendit, si arena të kultivimit të mendjes, shtretër të nxehtë të mendimit intelektual të kombit dhe shoqërisë, laboratorë të së ardhmes sonë.
Në këtë kontekst, unë dua tu siguroj ju të nderuar pedagoge dhe pedagogë se për qeverinë time, arsimimi dhe shkollimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Në një hark kohor të shkurtër vetëm ne 5 vite ne ia dolëm që një sistem, i cili po degradonte dhe po shembej të vendosej në shinat e zhvillimit. Në 5 vitet që shkuam ne mbidyfishuam rrogat e mësuesve, shtrimë internetin në çdo shkollë, rindërtuam dhe ndërtuam mbi 1200 shkolla, por mbi të gjitha ne ia dolëm që mbi 91 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të të hyjnë në shkollat e mesme,nga më pak se 70 % që ishte kjo shifër në pak vite më parë. Por arritja më e madhe në këto 5 vite qëndron në faktin se në këtë hark të shkurtër kohor numri i studentëve në universitetet tona u rrit nga 52 mijë në tërësi, në vitin 2005, në 138 mijë sot, pra një rritje shumë e madhe. Sot në të tri ciklet ulen në bankat e universiteteve ulen 52 mijë studente, aq sa c’kishin të gjitha universitetet e vendit në të gjitha kurset në vitin 2005.
Sot, në Shqipëri 70% a atyre që mbarojnë shkollat e mesme ulen në bankat e universiteteve dhe kjo është një nga përqindjet më të larta në botë. Sot, në sistemin universitar studiojnë mbi 138 mijë djem dhe vajza në 556 programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë që zhvillohen nga një staf akademik prej 10 mijë pedagogësh, nga të cilët 6534 janë me grada dhe tituj shkencorë.
Atyre që bërtasin dhe shpallin se i kemi kthyer universitetet në pellgjet e papunësisë dhe me absurditet apo ligësi kundërshtojnë këtë politikë, sot nga universitet “Fan Noli”, nga Korça e Abetares së gjuhës sonë, dua t’ju përgjigjem se sulmet tuaja janë të pavlerë, janë cinike dhe fyese për lumin e sakrificave që bëjnë në këtë institucion studentët dhe pedagogët e tyre.
Së pari, pothuaj trefishimi i numrit të studentëve në universitete dhe shkollat tona të larta, brenda pesë viteve, dëshmon se dëshira, pasioni dhe ëndrra për dijen, pra ëndrra universitare tek të rinjtë, djemtë dhe vajzat e këtij vendi, ishte së paku tre herë më e madhe se sa shanset që u ofroheshin atyre dhe se burokracia e pashpirt shqiptare rrënonte ëndrrën më të bukur të të rejave dhe të rinjve shqiptarë, duke shndërruar universitetet në “mollën e ndaluar” për ta dhe privilegjin e një pakice të të rinjve shqiptarë.
Hapja e dyerve të universiteteve për djemtë dhe vajzat e këtij vendi shënon “de fako” dhe “de juro” vendosjen e shanseve të barabarta për të rinjtë e këtij vendi. Unë besoj se kjo e ka bërë shoqërinë shqiptare më të ndershme, më të drejtë. Por, përveç këtyre unë dua tu them këtyre zotërinjve që derdhin lot poshte e përpjetë se universitetet u shndërruan në pellgjet e papunësisë se në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës universitet nuk shpërndajnë diploma punësimi, por studimet në Shqipëri dhe në mbarë botën kanë faktuar se të diplomuarit i kanë 50 % më të mëdha shanset e punësimit se sa të padiplomuarit, se të diplomuarit, të ardhurat e tyre që sigurojnë i kanë 50 % më të larta se sa të moshatarëve të tyre të padiplomuar, ndaj dhe duhet që interpretimi të bëhet indershëm dhe i saktë.
Atyre që kanë frikë nga rritja e përqindjes së të diplomuarve në vend, dua t’ju them se ora e tyre ka mbetur në kohën kur, i gjithë vendi kishte student ndoshta më pak se çka sot universiteti i Korçës. Ajo kohë nuk kthehet më. Ne jetojmë në një botë të hapur dhe ne në rrugëtimin tonë kemi një dhe vetëm një alternativë, të ndjekim garën. Le tu referohemi fakteve. Shqipëria në vitin 2001 kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 8 herë më pak se SHBA-të, kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 7 herë më pak se vendet e gadishullit skandinav. Kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 6 herë më pak se një numër i madh i vendeve të zhvilluara të Evropës. Megjithë përpjekjet që kemi bërë të dashur pedagogë dhe pedagogë dhe pedagoge, sërish jemi disa herë mbrapa këtyre vendeve, kemi gjithsej 240 mijë të diplomuar, duhet të kishim së paku tre herë më shumë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diplomat universitare. Historia e zhvillimit ka faktuar se për të arritur vlera të larta në ekonomi, shkollimi është një nga kushtet më përcaktuese, për ndjekur orën globale, për të ndjekur revolucionin teknologjik dhe të komunikimit, revolucionin post-teknologjik dhe inovacionin, për të vendosur ekonominë mbi bazat e dijes.
Natyrisht kushti më kryesor është te kesh njerëz të shkolluar dhe të përgatitur, prandaj ne i qëndrojmë kësaj politike, i qëndrojmë dhe do ti qëndrojmë asaj, në rrafshin moral se tek çdo fëmijë që mbaron gjimnazin dhe do të hyjë në universitet do ti ketë dyert e hapura. Nuk vritet ëndrra, ëndrra është projekti më i bukur i njeriut, dhe njeriu gjithçka që krijon në jetën e tij , e krijon mes përpjekjeve për të bërë ëndrrën e tij realitet. Ndaj dhe ndonjëherë lëndohem kur marrë sms nga student të cilët më thonë se unë nuk i mora pikët, pasi ma kishin korigjuar gabim. Marr vesh se Ministria ka vendosur që gabimin ta lërë gabim. Zoti ministër, kjo praktikë do të hiqet menjëherë. Ajo çka është e burokracisë nuk mund ta paguajë askush tjetër veç burokratit. Të gabosh është njerëzore, por asnjë ëndërr, nuk mund të lëndohet për gabimin tonë. Çdo i ri që plotëson ato kushte dhe që janë lehtësisht të plotësueshme duhet të ketë fatin të ulet në bankat e universiteteve. Aty pasta ai shkruan fatin e tij, shkruan të ardhmen e tij dhe ne bëjmë gjithçka që ai të ketë sukses.
Zonja dhe zotërinj.
Unë jam i bindur se ne rast se ne kemi arritur një tregues jashtëzakonisht të rëndësishëm se 70 % e atyre që mbarojnë shkollat e mesme të hyjnë në universitete, ne jemi larg standardeve të vendeve të zhvilluara, në aspekte të tjera si atë të cilësisë, kërkimit shkencor dhe në tërësi të bazës së universiteteve. Ne, kjo nuk na dekurajon, përkundrazi, këtë distancë, këtë prapambetje ne do ta marrim si një sfidë, si një mundësi për ta zgjidhur me vendosmërinë më të madhe, ndaj dhe ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo investim për çdo laborator që ju nevojitet ju, për kërkimet me komplekse shkencore, për kushtet më të mira të mësimdhënies, por kjo kërkon që ne së bashku stafi akademik dhe studentët, ministria dhe qeveria të angazhohemi në një reformë të pandërprerë.
Zonja dhe zotërinj,
Kudo reformat duhet të jenë “perpetum mobile”, por në universitete në të cilat koha është më e shenjtë se kudo tjetër, më e pamëshirë se kudo tjetër, ne duhet të jemi në mënyrë permanente në reforma, në mënyrë që të qëndrojmë , të kapim horizontin që shfaqet. Kjo kërkon së pari të fillojmë dhe të konsolidojmë liritë tuaja. Liria dhe universiteti janë një dhe të pandarë. Kjo vjen nga fakti se ju që mësoni të vërtetat dhe e vërteta është që po të marrësh lirinë në rrafshin filozofik, nuk është gjë tjetër veçse një tërësi të vërtetash dhe askund tjetër, e vërteta nuk qëmtohet më shumë se kudo, veçse në universitete.
Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të respektojmë lirinë e studentit në mësim, lirinë e debatit, e kërkimit shkencor. Liria mund të cenohet dhe cenohet nga qeveria, e cila duhet ti vërë vetes çdo lloj kufizimi për të respektuar lirinë akademike, por si njëri prej jush që jam, që kam kaluar më shumë vite brenda universitetit sesa jashtë tij dua tu them se liria ka dhe problemet e saj intrauniversitare, prandaj unë i kam kërkuar edhe ministrit dhe duhet ta shohim me vëmendjen më të madhe. Unë i kam kërkuar ministrit që ju të keni autoritet të plotë mbi fondet për kërkimin shkencor dhe veprimtari të tjera dhe do ta keni këtë. Nuk ka pse një drejtori në ministri të merret me projektet tuaja, sepse më mirë se i njeh projektet dekani, më mirë se i njeh trupa pedagogjike e atij fakulteti të harrojmë se do ta njohin të tjerët, por ama të kërkojmë që edhe rektoratet të jenë me decentralizuese drejt dekanateve dhe dekanatet drejt departamenteve. Duhet të kemi besim tek dhuntitë e njeriut të lirë. Sigurisht bëhen gabime dhe ka edhe çmime për këto gabime, por të jeni të sigurtë se ajo që fiton është shumë më e madhe. Është jetike që ju të thelloni bashkëpunimin ndërkombëtar. Zoti rektor , fakulteti juaj i bujqësisë mund të bëjë studimet më të shkëlqyera me një rezonancë ndërkombëtare për prodhimet e kësaj toke, të cilat janë të cilësisë më të arrirë. Ne do të bëjmë gjithçka për tu pajisur ju me laboratorët më të mira, por edhe bashkëpunimi i fakultetit tuaj me fakultet më të mira të Evropës dhe SHBA-ve dhe që ekziston një gatishmëri, është një kusht shumë i rëndësishëm për universitetin. Ju keni vendosur dhe keni marrë një vendim shumë të drejtë që doktoraturat ti keni me prani ndërkombëtare. Ju garantoj se është një nga vendimet më të drejta dhe e them këtë nga besimi im i thellë në kapacitet tuaja intelektuale, shkencore, por ballafaqimi të ndihmon të dish se ku je dhe ky është një proces konstant.
Për sa i përket teksteve të përkthejmë, të mos i besojmë teksteve që shkruajmë ne. E them dhe njëherë dhe do ta përsëris prapë. Në kohën time shkruaja tekste bashkë me e shok timin, ai ishte gjeodez shumë i zoti dhe më thotë,- Sali e di c’më ndodh. Vendos 10 tekste në tavolinë dhe më del se faqja që shkruaj unë është më e dobta e tekstit prej tyre. Nuk është nevoja të bëhemi tekstshkrues ne. ne duhet të përkthejmë tekste më të mira. Qeveria duhet të përcaktojë fonde në buxhet për përkthimin e teksteve në universitete. Studentët kanë tani internet, kanë mundësi të marrin tekste, por ndërkohë ju ofrohen dhe tekstet më të mira të kohës. Po ndryshojmë mekanizmin financiar. Reforma është reformë. Pse po ndryshojmë mekanizmin financiar. Po e ndryshojmë që të konsolidojmë lirinë akademike, po e ndryshojmë që ju të keni mundësi të bëni një menaxhim shume më të mirë. Po e ndryshojmë edhe për një arsye tjetër që aty ku takoheni me qeverinë të jeni më të lirë se duhet të vendosim disa mekanizma në mënyrë që ju të merrni vendimet që doni. Qeveria është e detyruar të qëndrojë pas atyre fiskalë, por diversifikimi i mekanizimit të financimit dhe vendosja e sistemi më të mira të financimit është kushti i të gjitha kushteve për suksesin akademik, për cilësinë në universitete. Unë u ndala në këto moment për të theksuar se jeni në një reformë permanente dhe me këto reforma ne nuk synojmë gjë tjetër veçse të kapim sa më shpejt horizontin që na del përpara. Unë kam besim të madh tek ju pedagoge dhe pedagogë të universiteti “Fan Noli”, kam besim të madh tek të gjithë stafi akademik i universiteteve tona se me rezultatet e shkëlqyera që keni arritur deri më sot, me mundin dhe përkushtimin tuaj, me vizionin e shkëlqyer që ju keni për shkollat e larta dhe universitete ne do të ndërmarrim një rrugëtim të pandalshëm drejt niveleve të reja të cilësisë, në mënyrë që këto universitete janë dhe do të mbeten përgjithnjë burime të pashuara drite për shoqërinë shqiptare.
Ju faleminderit!
10/10/2011