E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, zoti Jassim Mohammad Al-Kharaf

Kryeministri Berisha priti në një takim Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, zoti Jassim  Mohammad  Al-Kharaf.  Pasi  i uroi përzemërsisht  mirëseardhjen, kryeministri  Berisha e  vlerësoi  këtë  vizitë si një kontribut  të ri e  të  rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë miqësore dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe popujve.

Zoti  Al-Kharaf  e falenderoi kryeministrin Berisha, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore  dhe i transmetoi  atij përshëndetjet më të përzemërta, të kryeministrit të Kuvajtit  Sheikh  Nasser  Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah,  të Madhërisë së Tij Emirit të Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah   si dhe princit të Kurorës.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore  midis të dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi miqësinë tradicionale mes kombit shqiptarë dhe atij kuvajtian.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë së tij ndaj mbështetjes  së vazhdueshme  dhe ndihmës  gjeneroze , që madhëria e tij Emiri i Kuvajtit  dhe qeveria e Kuvajtit përmes fondit kuvajtian  i  kanë akorduar Shqipërisë  gjatë gjithë këtyre viteve, për realizmin e projekteve të rëndësishme.  Një ndër këta projekte, për të cilin është punuar intensivisht është rikonstruksioni i sheshit  Skënderbej. Duke i ripohuar edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për donacionin bujar që Emiri I Kuvajtit  i dhuroi Shqipërisë dhe qytetarëve të Tiranës, kryeministri Berisha,  e garantoi zotin  Al-Kharaf , se  qeveria shqiptare  po bashkëpunon ngushtësisht me bashkinë e Tiranës, për të realizuar sa më shpejt këtë projekte të rëndësishëm,  për  tu  rikthyer qytetarëve nyjen nevralgjike të qendrës se Tiranën në formën më dinjitoze që ata meritojnë.

Në takim u konfirmua  gjithashtu vendosmëria  dhe angazhimi  i plotë i të dy vendeve  për  të promovuar bashkëpunimin më të mirë në fushat me interes reciprok, si atë të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në fushën e turizmit dhe nxitjen e investitorëve kuvajtian, për të investuar në projekte të rëndësishëm në Shqipëri.

Në këtë kontekst  kryeministri Berisha, e njohu mikun kuvajtian me reformat e mëdha të ndërmarra nga qeveria shqiptare, për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e klimës më të mirë për bizneset dhe shprehu vlerësimin për një sërë investimesh të rëndësishme të investitorëve kuvajtianë, të cilat tashmë janë kthyer në histori suksesi për vetë  ata, por edhe për Shqipërinë dhe e garantoi se çdo investitor kuvajtian do të gjejë tek qeveria shqiptare, një partner dhe mbështetës të palëkundur dhe të besueshëm për çdo projekt të tyre në Shqipëri.

Z. Al-Kharaf  vlerësoi  arritjet e rëndësishme të  qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke  theksuar se të gjithë miqtë e Shqipërisë ndihen krenarë për  atë  çka  Kryeministri  Berisha dhe qeveria shqiptare, ka bërë dhe po bën  për të shndërruar  Shqipërinë  dhe promovuar imazhin e saj në botë.

Në përfundim të takimit kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të miqve kuvajtianë, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe miqësore.


07/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›