Kryeministri Berisha viziton zonat e përmbytura në qarkun e Lezhës
Kryeministri Berisha vizitoi sot zonat e përmbytura në qarkun e Lezhës. I shoqëruar nga ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit z. Genc Ruli, Kryeministri Berisha vizitoi zonën e Tales, e përmbytur nga batica e detit Adriatik.
Kryeministri Berisha u takua me përfaqësues të pushtetit lokal dhe anëtarë të Shtabit të Emergjencës, prej të cilëve u njoh më nga afër me situatën. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha u shpreh se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e fryrjes së detit dhe se duhet të përgatitemi pasi kjo do të jetë gjithmonë e më e shpeshtë, sidomos në zonën nga Shkumbini deri në Fushë-Kuqe. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatës.
“Një baticë e fuqishme, një ngritje e detit, ka çarë argjinaturën, ç’ka nuk ka ndodhur dhe nuk është regjistruar ndonjëherë në këtë shkallë. Ne do të përgatitemi mirë, sepse i gjithë gjiri i Drinit është shumë i kërcënuar, siç është i kërcënuar në përgjithësi bregu i Adriatikut,më shumë se bregu i Jonit, pasi Adriatiku ka bregdet fushor, ndërsa Joni është shkëmbor. Këto janë efektet direkte të ngrohjes globale. Kjo valë erdhi nga Afrika. Shkarkimet e ujërave kanë qenë shumë të mëdha nga Mati, por prapë nuk janë ato që kanë sjellë këtë situatë. Fatmirësisht argjinaturat e Matit kanë funksionuar shumë mirë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
“Hidrovori funksionon tërësisht. Këto janë ujërat që vijnë nga sipër dhe hidrovori i evakuon ato, ndërsa deti është rreth dy metra më larg sesa ujërat e ëmbla dhe kjo për shkak të rritjes së nivelit të tij, pasi kjo është një gjë e pazakontë. Kjo situatë e re emergjente për vendin kërkon masa jashtëzakonisht aktive, sepse tërë kjo zonë është e ulët. Madje, në këtë situatë janë edhe përtej Shëngjinit, pjesa e Rërës së Hedhur dhe Velipoja. Kështu që ne po bëjmë ringritjen e argjinaturave, por këtu duhet një projekt i madh kombëtar për të bërë atë që ka bërë Holanda në shekuj, për shkak të nivelit të ulët të tokës, ne nuk kemi pasur atë problem, por tani për shkak të ngritjes së nivelit të deteve nga ngrohja globale, ky fenomen shfaqet, dhe rrezikon të bëhet një fenomen edhe këtu. Faktikisht ndonëse nga hidrocentralet e Shkopetit dhe të Ulzës kanë shkarkuar, të marra së bashku, rreth 700 apo 800 metër kub në ditë, përveç turbinave, kanë funksionuar shumë mirë argjinaturat e Matit dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Problemet kësaj here i kemi nga rritja e nivelit të detit.
Sidoqoftë, situata këtu është krejt nën kontroll. Nën nën kontroll është situata edhe në Fushë Kuqe dhe kudo. Ne kemi situatë të rënduar në Shkodër, ku unë do të shkoj, sepse prefekti ka marrë porosi të shpallë gjendjen e emergjencës, në komunat e Dajcit, Velipojës, Obotit, në ato zona. E vërteta është se prurjet në lumenjtë e veriut që derdhen në Drin janë shumë të mëdha dhe do të imponojnë një regjim të ri shkarkimi, në mënyrë që të vendosim sigurinë të parën.” – ka përfunduar Kryeministri.02/01/2010