Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kompanisë së përpunimit të peshkut “Koral”, në Durrës: Sektori i peshkimit përbën një potencial të madh zhvillimi në ekonominë shqiptare

Prodhimi dhe përpunimi i peshkut është një tjetër sektor me mjaft peshë në industrinë agro-përpunuese. Për tu njohur më nga afër me praktikën e punës, Kryeministri Berisha vizitoi sot ambientet e kompanisë “Koral” në Durrës, e cila merret me importimin dhe përpunimin e peshkut të cilin e eksporton në Itali.
Pas inspektimit të ambienteve moderne të kësaj kompanie, Kryeministri Berisha përshëndeti përzemërsisht drejtuesit e saj, të cilët me punën që kanë ngritur kanë kapur tregjet botëror duke përpunuar rreth 2400 ton peshk dhe punësuar 103 punonjës dhe kanë një perspektivë reale për rritjen e mëtejshme të numrit të të punësuarve.
Duke u ndalur tek peshkimi, Kryeministri Berisha u shpreh se, - ky sektor përbën një potencial të madh zhvillimi në ekonominë shqiptare.
Kryeministri u shpreh se, qeveria është e vendosur që në katër vitet që vijnë të ketë një plan kombëtar për peshkimin.
Gjithashtu kryeministri Berisha shprehu besimin e qeverisë, për ridimensionimin dhe mbështetjen e fuqishme në këtë sektor, e cila parashikon shumëfishimin e numrit të të punësuarve, shumëfishimin e të ardhurave nga ky sektor dhe shndërrimin e peshkimit në një degë serioze të ekonomisë shqiptare.
“Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar. Reformat e reja, të cilat ne kemi ndërmarrë këto muajt e fundit dhe do të ndërmarrim fill pas zgjedhjeve janë dhe do të jenë një tjetër nxitje e madhe e fuqishme për rritjen ekonomike, për rritjen e të ardhurave për rritjen e punësimit. Le të ecim ne drejt mandatit të sigurtë, drejt mandatit të tretë, tu lëmë atyre ngjalat që unë sapo i pash poshtë”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:
“I dashur zoti President i kompanisë “Koral”
Zoti ministër
Të dashur punëtor dhe punëtore, inxhinier, teknikë, specialistë të kësaj kompanie
Së pari unë dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, për suksesin e vërtetë familjarë që ke arritur të ndërtosh në përkushtim të madh me aftësi dhe me sakrifica. Nga një restorant disa vite më parë, sot në një kompani, e cila përpunon rreth 2400 ton peshk dhe ka kapur tregjet më të njohura të Europës, Itali, Spanjë dhe vende të tjera. Kompania ka sot 103 punëtor të punësuar dhe ka një perspektivë reale për rritjen e mëtejshme të punësimit. Kompania “Koral” ka përfituar gjithashtu nga një kredi e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ka ngritur një linjë ndër më modernet, të përpunimit, përgatitjes dhe eksportimit të produkteve të saj. Kompania “Koral” është bërë një emër i respektuar dhe i njohur, për klientët e vet në Itali, Spanjë dhe unë pata rastin të takoj këtu ekspertë të shquar italian të kësaj fushe, të cilët kanë ardhur të njihen me produktet e mrekullueshme që prodhon kompania “Koral”, për tregun e huaj dhe tregun vendas.
Të dashur miq
Peshkimi dhe ky sektor në tërësi, përbën një nga potencialet e mëdha të zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri. Shqipëri është një vend me një bregdet rreth 400 kilometra, në ujërat e detërave të vendit rriten specie peshqish, nga më të kërkuarat në tregun shqiptarë dhe tregun botëror. Shqipëria ka liqene, në të cilat gjenden specie unike ndër më të rrallat në Europë dhe më gjërë. Shqipëria ka ujërat e brendshme, ka rreth 620 rezervuar dhe liqene të tjerë natyror të vegjël. Shqipëria ka një potencial realisht të madh në këtë fushë, ka një potencial të madh për tu zhvilluar dhe për tu shfrytëzuar. Aktualisht eksporti i produkteve të peshkut arrin në 20 milion euro, por fatkeqësisht të shumtit e këtyre produkteve janë një ri eksport i peshqve që importohen për përpunimi, në një kohë që ekzistojnë të gjitha potencialet, që këtu në vend të ngrihet një industri e fuqishme dhe të funksionojë e tëra me prodhimet e detërave, liqeneve dhe ujërat e tjera të ëmbla të Shqipërisë.
Qeveria është e vendosur që në katër vitet që vijnë dhe unë ju premtoj të gjithë sipërmarrësve të kësaj fushe, të gjithë peshkatarëve dhe industrisë përpunuese, se katër vitet që vijnë ne kemi një plan kombëtar për peshkun. Plan i cili do të synojë shumëfishimin e të gjitha kapaciteteve të këtij sektori. Plan i cili do të fillojë me ripërtëritjen e plotë të të gjithë flotës së peshkimit të vendit mbi bazën e një kredie të butë. Plan, i cili fillon me heqjen e çdo lloj detyrimi tatimor për çdo lloj import. Çdo material importi që nevojitet për zhvillimin e kësaj fushe. Plan, i cili synon të subvencionojë të gjithë rasatin që duhet për popullimin e ujërave të vendit. Plan, i cili synon të shumëfishojë fermat e peshkut në detërat dhe ujerat e tjera të Shqipërisë.
Ne kemi besim se në këtë sektor me ridimensionimin e mbështetjes së fuqishme që ne parashikojmë, të shumëfishojmë numrin e të punësuarve, të krijojmë mijëra e mijëra vende të reja pune, të shumëfishojmë të ardhurat nga ky sektor dhe ta shndërrojmë peshkimin në një degë serioze të ekonomisë sonë.
Sot peshku dhe produktet e tij janë në krye të listët për preferencën ushqimore, janë në krye të listës, për ushqimet më të shëndetshme edhe në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të nxisim, të inkurajojmë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie.
Zonja dhe zotërinj
Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar, por Shqipëria e zhvilluar mund të jetë vetëm një Shqipëri me zhvillim harmonik, një Shqipëri e cila shfrytëzon të gjitha potencialet e mëdha të saj. Një Shqipëri e cila zhvillohet në respekt të plotë të rregullave më të mira të mjedisit. Një Shqipëri e cila shkon progresivisht duke rritur mirëqenin e qytetarëve të saj prosperitetin e vet.
Ky mandat është i një rëndësi vendimtare për hapin përfundimtarë, ne kemi arritur gjatë këtyre viteve të renditim Shqipërinë ne vendet e zhvilluara në disa nga treguesit më themelor të qytetarit dhe të njeriut. Ne sot rreshtohemi me vendet e zhvilluara përsa i përket jetëgjatësisë mesatare. Rreshtohemi me vendet e zhvilluara përsa i përket banesave për 1 mijë banorë, vdekshmërisë foshnjore, amtare dhe asaj të përgjithshme, ndjekjes së shkollave të mesme dhe universiteteve , por ne kemi edhe shumë tregues për ti arritur ato dhe treguesi më themelor janë të ardhurat për frymë. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët kudo që janë të krijojnë sa më shumë të ardhura për vete familjen dhe shoqërinë e tyre. Asnjë vend nuk ka arritur me shpejtësi marramendëse të ardhurat sa ç’i ka arritur Shqipëria këto vite. Ishte një shans i madh reformat që ne ndërmorën, të cilat mbrojtën Shqipërinë nga recensioni në kulmin e krizës Europiane. Reformat e reja, të cilat ne kemi ndërmarrë këto muajt e fundit dhe do të ndërmarrim fill pas zgjedhjeve janë dhe do të jenë një tjetër nxitje e madhe e fuqishme për rritjen ekonomike, për rritjen e të ardhurave për rritjen e punësimit. Le të ecim ne drejt mandatit të sigurtë, drejt mandatit të tretë, tu lëmë atyre ngjalat që unë sapo i pash poshtë.”
03/04/2013