Kryeministri Berisha vizitoi stabilimentin e prodhimit të mishit të pulës “Agrotek-Al” në Fushë –Krujë: Do të bëjmë gjithçka që gjatë katër viteve që vijnë ky sektor të rritet me 30 përqind

Vitet e fundit, sektori i shpendarisë ka pasur një zhvillim të shpejtë. Për tu njohur më nga afër me zhvillimin e këtij biznesi në Shqipëri, Kryeministri Berisha vizitoi sot Stabilimentin “Agrotek-Al” në Fushë –Krujë. Ky stabiliment njihet për prodhimin e mishin e freskët të pulës.
Pas inspektimit të stabilimentit ku është njohur më nga afër me teknologjinë e rritjes së zogjve, thertoren dhe më pas fabrikën e përpunimit, Kryeministri Berisha përshëndeti investitorët për punën serioze që ata kanë bërë.
Në mbështetje të këtij sektori, Kryeministri Berisha, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të investuar në rritjen e prodhimit të mishit të pulës, i cili sot shkon në 17 mijë ton.
Duke qenë se sot në botë mishi i pulës përballon 30 përqind të kërkesave të mishit, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e prodhimit të tij në vend si dhe do të mbështesë fuqishëm pultarinë për vezët.
“Sot Shqipëria prodhon rreth 1 miliard vezë në vit, është një prodhues i rëndësishëm që eksporton vezë në Rajon dhe më gjërë. Ne do të bëjmë gjithçka që gjatë katër viteve që vijnë edhe ky sektor të rritet së paku me 30 përqind. Punësimi në këtë sektor të rritet me 30 përqind, të ardhurat nga ky sektor të rriten me 30 përqind”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Pasi ka përmendur investimet e rëndësishme që ka bërë qeveria gjatë këtyre viteve, në infrastrukturë, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, pemëtarisë, blegtorisë etj, Kryeministri Berisha garantoi investitorët se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i mbështetjes më të fuqishme për çdo fermer shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:
“I nderuar zoti ministër
Të nderuar deputetë
I nderuar drejtues i kompanisë “Agrotek-Al”
Të nderuar punëtorë të kësaj kompanie
Të nderuar qytetarë të Fushë-Krujës
Ju përshëndes shumë përzemërsisht ju z. Bejko, punonjësit tuaj, që keni ndërtuar këtu një histori të vërtetë suksesi. Keni ndërtuar një njësi të prodhimit të pulave për mish, degë kjo jashtëzakonisht e rëndësishme në ekonominë tonë. Me investimin tuaj në pulari, në thertoren dhe më pas në fabrikën e përpunimit, ju keni arritur standardet më të larta që ekzistojnë në këtë fushë duke marrë të gjitha çertifikatat më cilësore Europiane.
Keni përgëzimet më të mëdha për këtë.
Për ne, në bindjen tonë më të thellë si Parti Demokratike dhe si qeveri, zhvillimi i Shqipërisë rurale, potenciali i madh i prodhimit bujqësor, blegtoral, shpendëve, peshkimi dhe të gjithë sektorët përbëjnë një përparësi, përbëjnë një kusht më kryesor për një Shqipëri të zhvilluar. Përbëjnë një kusht kryesor për një ekonomi të qëndrueshme të zhvilluar, për një bilanc tregtar sa më të balancuar, ndaj dhe ne ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, që prodhimi i mishit të pulës, i cili sot në shkallë vendi është 17 mijë ton dhe vetëm kjo sipërmarrje prodhon 1200 tonë, gjatë katër viteve që vijnë, së paku të dyfishohet. Do të bëjmë gjithçka, që të lehtësojmë dhe të ndikojmë fuqishëm në nxitjen e investimeve. Zoti Bejko ka investuar 4.2 milion euro në të gjithë sipërmarrjen e tij, së shpejti fillon prodhimin e zogjve në inkubator, dyfishimin e kapaciteteve brenda vitit. Zotohet të dyfishojë numrin e të punësuarve, ndihet i lehtësuar nga masat e qeverisë për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe për të gjitha inputet që i nevojiten për prodhimin. Ne do të shqyrtojmë me kujdes kërkesën tuaj, në mënyrë që tu krijojmë ju lehtësirat më maksimale. Sektori i shpendarisë, është një sektor jashtëzakonisht i rëndësishme ekonomik.
Sot në botën e zhvilluar, mishi i pulës përballon 30 përqind të kërkesave të mishit dhe kjo për cilësitë e shkëlqyera që ka për shëndetin e njeriut. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e prodhimit të tij në vend. Po në këtë sektor ne do të mbështesim fuqishëm pultarinë për vezët.
Sot Shqipëria prodhon rreth 1 miliard vezë në vit, është një prodhues i rëndësishëm që eksporton vezë në Rajon dhe më gjërë. Ne do të bëjmë gjithçka që gjatë katër viteve që vijnë edhe ky sektor të rritet së paku me 30 përqind. Punësimi në këtë sektor të rritet me 30 përqind, të ardhurat nga ky sektor të rriten me 30 përqind.
Vëllezër dhe motra
Këto vite ne kemi investuar më shumë se kurrë dhe më shumë se çdo gjë tjetër në Shqipërinë rurale, sepse infrastruktura moderne, rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësi, vaditja janë kushte themelore për funksionimin e ekonomisë në Shqipërinë rurale. Ne po mbjellim në të katër anët drurë frutorë, kur vetëm pak vite më parë, ne hodhëm idenë e pyllëzimit të vendit me dru frutorë, e pyjeve me dru frutor, kjo u duk si tepër e largët, madje pati nga ata që e morën edhe si një lloj shakaje, por nuk kishte asgjë më të vërtetë se ajo për ne. Të bëjmë Shqipërinë ashtu siç thoshte Faik Konica; “një kopsht shkëmbor, në brigjet e detit Adriatik”, e vërteta është se Shqipëria këto 3-4 vite ka mbjellë dru frutorë, ullinj, arrorë, vreshta, mollë më shumë se në tërë kohërat e saj.
Ndaj dhe ne mbetemi të vendosur të mbështesim fuqishëm fermerët tanë. Me ndërtimin e rrugëve, ne i kemi mbështetur ato, me ndërtimin e shkollave, ne i kemi mbështetur ato , me ndërtimin e ujësjellësave i mbështesim dhe dot i mbështesim, por tani me fonde të reja, në qoftë se katër vitet që shkuan kemi financuar 42 mijë fermerë, katër vitet që vijnë, ju jap fjalën këtu se grandet tona kreditë tona për fermerët shqiptarë do të jenë trefishi i atyre që dhamë katër vitet e shkuara.
Edhe njëherë ju përgëzoj, për këtë punë të shkëlqyer që keni bërë, për këtë sipërmarrje model që keni krijuar në përputhje me të gjitha standardet që duhet të jenë, për cilësitë më të larta dhe ju garantoj se mandate i ardhshëm do të jetë mandati i mbështetjes më të fuqishme për çdo fermer shqiptarë.
Faleminderit.”
02/04/2013