Kryeministri Berisha bashkëbisedon me përfaqësues të agjencive të punësimit dhe akademikë mbi iniciativat për tregun e punës

Kryeministri Berisha bashkëbisedoi sot iniciativat në lidhje me tregun e punës, me përfaqësues të agjencive të punësimit, kryetarë të qarqeve, të cilët kanë aplikuar disa instrumente të rinj për aktivizimin e tregut të punës, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe akademikë.
Reformimi i tregut të punës synon rritjen eficensës për shërbimet e punësimit dhe përshtatjen e pagesave të papunësisë, për t’i kthyer në nxitës për punësimin. Bashkëbisedimi u ndërtua mbi diskutimin e përshtatjes së modelit Hartz në Shqipëri. Ky model konsiston në reformimin e sistemit të shërbimeve të punësimit, krijimin e qendrave one-stop-shop, de-rregullimin e tregut të punës, heqjen e kufizimit për punën me kohë të pjesshme, përsëritjen automatike të kontratës për moshat mbi 52 vjeç, financimin e fillimit të një biznesi të vogël (Kompania “Ime”), krijimin e vendeve të reja të punës (minijob dhe midijob) nëpërmjet reduktimit të taksave.
Adaptimi i këtij modeli në Shqipëri bëhet i mundur pas implementimit të reformave fiskale dhe administrative si reduktimi i një sërë taksash që ndihmojnë zhvillimin e biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës; përfundimi i informatizimit të shërbimit të punësimit; pilotimi me sukses i disa instrumenteve të ngjashëm në tregun e punës; përdorimi i programeve të punësimit, të vlerësuara për impaktin e tyre; mbështetja e biznesit social, i ngjashëm me minijobs dhe midijobs; pjesëmarrja e pushtetit lokal në programet e punësimit; reforma në sistemin e asistencës sociale, i kombinuar me shërbimet e punësimit; përgatitja e ndryshimeve në Kodin e Punës, për hapësirat e kontratave me kohë të pjesshme.
Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha mbi iniciativat për tregun e punës.
“Së pari dua t’ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj sot në këtë bashkëbisedim, për një problem themelor të ekonomisë së një vendi, problem themelor të çdo shoqërie në rrafshin social, tregun e punës. Kriza ekonomike globale faktoi në mënyrë të qartë se ajo pati rezonimin më të thellë social, pati ndikimin më negativ në papunësi, në ato vende ku tregu i punës nuk ishte në epiqendër të reformave. Kriza faktoi se vendet që kishin reformuar tregun e punës dhe që kishin proceduar me një seri ndërhyrjesh në tregun e punës patën pasoja më të vogla sociale nga kriza ekonomike. Ato vende patën papunësi disa herë më të ulët sesa vende të tjera. Është e njohur se e njëjta përqindje rritje ekonomike nuk jep të njëjtën përqindje punësimi, por, në rastin e tregut të punës, kjo bëhet edhe më evidente.
Shqipëria gjatë këtyre viteve, para vitit 2008 pati një rritje të lartë ekonomike. Shqipëria në kulmin e krizës sërish pati një rritje ekonomike dhe nuk ra në recesion. Kjo, falë reformave, të cilat ndikuan fuqishëm në lirinë e tregut, reformave që nxitën rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Mjafton të theksojmë se në katër vitet e fundit investimet private, vendase dhe të huaja, si dhe investimet publike janë rreth 12 miliardë dollarë, të cilat natyrisht janë të konvertuara sipas fushave, por në tërësi në rreth 200 mijë vende pune. Katër vitet që vijnë, ne kemi projektuar një seri reformash të tjera, të cilat synojnë rritjen ekonomike. Ndër këto reforma, më kryesorja është heqja e taksës mbi kapitalin, mbi çdo lloj kapitali, ruajtja e taksës së sheshtë dhe një seri stimujsh të tjerë fiskalë.
Cili është qëllimi i këtij takimi? Ne duam të bëjmë gjithçka, të sjellim në epiqendër tregun e punës dhe reformimin e tij. Ai ishte në epiqendër të qëndrimeve tona. Ne kemi një ministri, e cila ka proceduar me një seri reformash. Me përpjekjen tonë për zhvillimin e arsimit profesional, ne kemi krijuar një seri shkollash profesionale shumë të mira, por edhe qendra shumë të mira trajnimi profesional. Ne kemi një portal të shkëlqyer për punësimin, e-punësimi, të inauguruar pak kohë më parë, i cili tashmë bën disponibël çdo vend pune të lirë dhe çdo krah pune të lirë. Kjo do të thotë një potencial shumë më i mirë menaxhuar. Ne kemi një Kod Pune që lejon kontratën e përkohshme. Ne kemi një sistem të mbështetjes ekonomike, të cilin e kemi dyfishuar gjatë këtyre viteve.
Preokupimi ynë madhor është si të ndihmojmë me efiçencë njerëzit e papunë; si të vendosim një qëndrim më aktiv ndaj tyre; si të sjellim në epiqendër të veprimtarisë sonë këto çështje; si të përdorim ndihmën për papunësinë dhe ndihmën ekonomike; si të bëjmë shumë më aktivë rolin e agjencisë së punësimit, bashkëveprimin e tij me të papunin; si të dinamizojmë kualifikimin dhe trajnimin. Unë pata dje një takim me investitorët e huaj. Ata shprehën ankesën e tyre se nuk gjenin punëtorë të kualifikuar. Përfaqësuesja e një fondacioni austriak kërkonte mbështetje, sepse do të trajnonte 300 saldatorë. Unë dua të theksoj këtu se ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të sjellë në epiqendër tregun e punës me formimin e tij.
Historiku i reformave është shumë interesat. Disa ndryshime të vogla graduale sollën një pikë kthese shumë të rëndësishme në Republikën Federale Gjermane dhe jo vetëm aty, por edhe në vende të tjera. Ndaj së bashku, le t’i marrim këta elementë. Ndoshta ne nuk mund të adaptojmë pikë për pikë, reformën e Hartz-it apo reforma të ngjashme të frymëzuara prej tij, por ju garantoj se ne kemi shumë elementë me të cilët mund të bëjmë lëvizje të fuqishme, të dinamizojmë, ta bëjmë shumë më interaktiv bashkëveprimin midis agjencive tona dhe të papunit. Ne mund ta dinamizojmë shumë më tepër kualifikim dhe rikualifikimin e krahut të punës. Ne si qeveri jemi të vendosur të ndërmarrin çdo masë për t’u dhënë mbështetjen më të fuqishme agjencive të punësimit në mbarë vendin, në mënyrë që ato të mund të përmbushin funksionin e tyre. Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë me agjencitë private të punësimit dhe e konsiderojmë shumë të domosdoshme punën e tyre. Objektivi ynë është se si të ulim koston për njësi pune; sesi të arrijmë në një nivel të caktuar rritje ekonomike të kemi maksimumin e mundshëm të punësimit.
Ne jemi shumë të interesuar për mendimet tuaja në të gjitha fushat, në të gjitha aspektet dhe në të gjitha drejtimet. Mendimet tuaja janë shumë të vlefshme dhe ne jemi shumë të interesuar për sugjerime, opinione, mendime, sesi të adoptojmë një qëndrim të ri ndaj tregut të punës. Ky është synimi ynë.
Përshëndetje! Vij nga Universiteti i Nju Jorkut. Ne rreth 6 vite më parë kemi krijuar zyrën e karrierës, e mbështetur kjo edhe nga iniciativa të tjera të tregut privat, por edhe të universiteteve publike. Ne kemi bërë gjitha përpjekjet që edhe gjatë studimeve, studentët të sigurojnë praktika mësimore, por edhe punë. Kemi qenë shumë të suksesshëm në këtë iniciativë, duke ndihmuar edhe ekonominë shqiptare në tërësi. Lind pyetja, a ka në dorë qeveria shqiptare të mbështesë këto iniciativa? Po, ka shumë në dorë. Po ju lexoj një letër që më vjen nga një nga kompanitë, së fundi, kur po negocioja për një praktikë. Ka problem në lidhje të praktikës me universitetet, pasi sipas legjislacionit tatimor, edhe studentët që kryejnë praktikën mësimore duhet të deklarohen në tatime dhe të sigurohen më një shumë minimale. Si rrjedhojë, - thotë kompania, - ne në përgjithësi evitojmë të hyjmë në marrëdhënie të tilla.
Kryeministri Berisha: A janë mundësitë e qeverisë për të mbështetur këtë kompani? Absolutisht po! Deri në heqjen e pengesave ligjore që ekzistojnë, mbështetja e pagesës së sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore, por, në rast nevoje, edhe trajnimin e tyre. Ne këtë kërkojmë sesi të jemi më aktivë në mbështetje të këtyre nismave, si t’i bëjmë këto më eficiente dhe jo ta lëmë një çështje që ecën vetvetiu. Sa i përket ligjit, ne do ta shqyrtojmë me përparësi.
Përshëndetje! Jam përfaqësuese e një agjencie private ndërkombëtare të punësimit, Trenkwalder. Jemi në treg prej shumë vitesh, bashkëpunojmë ngushtë me shkollat dhe agjenci të ndryshme. Shqetësimi im shkon në linjën e paketës fiskale, e cila duhet të jetë një mbështetje për bizneset. Një nga shërbimet që ne ofrojmë është edhe shërbimi i outsource-it të personelit. Ne marrim përsipër menaxhimin e kontratave të punës dhe dokumentacionit, deklarimeve të personelit që punon për kompani të tjera, pasi ka ardhur momenti që këto kompani duan të fokusohen në biznesin e tyre dhe të jenë më të lirshëm nga burimet njerëzore. Ka kompani që i kërkojnë këta punonjës për 2-3 ditë në muaj, gjatë gjithë vitit ose 6 ditë në muaj, gjithë vitin. Për këta persona që punojnë 2-3 ditë, ne jemi të detyruar të paguajmë sigurimet e tyre shëndetësore dhe shoqërore mbi pagën minimale, sikurse do të ishin gjithë muajin të siguruar.
Shqetësimi dytë vjen mbi aplikimin TVSH-së. Ne marrim staf të kompanive të tjera dhe kur ne i bëjmë faturën kësaj kompanie, aplikohet TVSH mbi totalin e pagës. Pra, tatohet paga, e cila është një zë njëherë i tatueshëm dhe mbi të vihet edhe TVSH. Kjo i largon bizneset të deklarojnë ata punonjës që i kanë në të zezë. Një zgjidhje alternative duhet të ishte që TVSH-ja të adresohej mbi fee-në e shërbimit të kompanisë së rekrutimit, sepse ky është fitimi, ndërsa paga të njihet si kosto dhe nuk duhet të jetë serish e tatueshme me TVSH. E theksoj si të rëndësishme, sepse na ka ndodhur që bizneset kanë mënjanuar taksën e 27.9 përqind e sigurimit shëndetësor dhe shoqëror, vetëm për të ulur kostot e tyre.
Kryeministri Berisha: Unë e gjej të arsyeshëm sugjerimin tuaj dhe do të bëhen ndërhyrjet e duhura ligjore, sepse agjentët tatimorë janë të detyruar të zbatojnë ligjin, por kjo reformë është themelore. Kjo do të diktojë të gjitha ndryshimet e nevojshme të ligjeve, në mënyrë që të ecim përpara, pasi është një interesin më të mirë të zhvillimit ekonomik, në interesin më të mirë të punësimit.
Jam kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Së pari, dua t’ju falënderoj për mundësinë që më jepni për të shprehur disa konsiderata bazuar në eksperiencën e Këshillit të Qarkut Shkodër me nxitjen e punësimit. Këshilli i Qarkut Shkodër ka miratuar një dokument strategjik, ku një ndër pesë masat më kryesore është nxitja e punësimit dhe formimi profesional i të rinjve. Ne kemi ndërmarrë disa hapa, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punës, e cila na ka mbështetur në këtë drejtim. Ne kemi krijuar edhe Bordin e Punësimit, kemi krijuar edhe Fondin e Punësimit, mekanizëm financiar që mbështet iniciativat e punësimit. Në projekt, falë Organizatës Botërore të Punës kanë marrë pjesë 7 subjekte, me një fond rreth 90 mijë euro dhe janë punësuar 300 të rinj, të cilët kanë marrë edhe trajnim profesional gjatë kësaj periudhe. Ne e vlerësojmë këtë si një model që të përhapet në tërë Shqipërinë. Bordi ka marrë pjesë në analizën e tregut të punës, i pari dokument që bëhet në Shqipëri, në nivel rajonal, si dhe edhe guidën e qendrave private dhe shtetërore. Ne kemi zgjuar interesa të donatorëve të ndryshëm. Në bashkëpunim me rajonin Emilia-Romagna kemi bërë të mundur edhe dhënien e 15 bursave për të rinj që vijnë nga jetimoret. Në këtë proces janë përfshirë biznese në fusha të ndryshme. Në këtë kuadër, ne jemi pjesë e një tjetër projekti, të financuar nga qeveria zvicerane. Mendoj se kjo është një eksperiencë që duhet të përhapet edhe në qarqe të tjera.
Kryeministri Berisha: Një eksperiencë e suksesshme. Në tërësi zyrat janë të ndërtuara mbi bazën e qarqeve ose qyteteve të mëdha. Qarku ka një avantazh, sepse ka një vizion të qartë mbi mundësitë e punësimit dhe të zhvillimit jo vetëm të zonave urbane, por edhe të zonave rurale. E vërteta është që pa pasur ndonjë tendencë për t’iu kundërvënë procesit të urbanizimit, pasi ai është një proces i dobishëm, përsëri përqindja e shqiptarëve në zona rurale është e lartë. Nuk duhet të harrojmë se zonat rurale janë një potencial i madh për krijimin e vendeve të punës dhe krijimit të vende të punës me koston më të ulët. Krijimi i një vendi pune mund të kërkojë 5 mijë dollarë, por edhe 1 milionë dollarë. Ky është realiteti. Ne nuk kemi të zhvilluar në shkallën e duhur konceptin e biznesit të këtyre zonave.
Pak ditë më parë isha në Kosovë të Lushnjës dhe një fermer më tha se stallën e lopëve nuk e ndërtonte dot në fshat, por ishte detyruar ta zhvendoste në një distancë të caktuar. Por aty i mungonte energjia. Ato nuk janë stallat e dikurshme, ku i ngujoje lopët brenda, iu lidhje një qen te porta edhe kaq. Ato janë e tëra biznes, biznes dhe i përllogaritur në çdo gjë. Ata kanë ecur përpara. Ata duhet t’i kapim, sepse ata e kanë bërë punën e tyre. Qarqet kanë një vështrim të plotë rajonal dhe në këtë kontekst, ndërhyrja e tyre është shumë e fuqishme.
Vij nga Universiteti Evropian i Tiranës. A mos do të ishte më mirë që personat, të cilët marrin përkrahje sociale të integrohen si vullnetarë në punët e pushtetit lokal, se më pas mund të integrohen si forca pune?
Kryeministri Berisha: Parimi më themelor i kësaj reforme është se çdo punë është më e mirë sesa ndihma e shtetit. Në qoftë se marrim fondin e ndihmës ekonomike, ai është i konsiderueshëm. Në qoftë se marrim shkallën e informalitetit të saj, është shumë i lartë. Absolutisht, në rast se vjen problemi për t’u shtuar pagë dite është pikërisht ky kontingjent, ku qeveria, qendrore apo vendore, mund ta plotësojë me një rrogë të plotë atë. Kushti themelor i reformë që po diskutojmë është: duhet të pranosh punën që të ofrohet. Përndryshe bën një vetëdënim. Ti ke të drejtë të kërkosh punë, e drejta më themelore, por ke edhe detyrë t’u përgjigjesh. Pra, i papuni ka të drejta, ka edhe detyra. Aty është një rezervë e madhe reale.
Një pjesë e madhe e ndihmës ekonomike shkon në zonat rurale. Unë ju garantoj se do të kishte qenë shumë më e vlefshme, në qoftë se ajo ndihmë do t’u ishte dhënë fidanë, atyre familjeve dhe sot do të kishin një pemëtore. Për të mos thënë e kanë shpërdoruar, një pjesë e tyre bëhet pa ndonjë kontroll. Aty është një potencial shumë i madh yni, sado që në pamje të parë reforma mund të zbatohet.
Ata kanë pasur disa pengesa serioze. Ne nuk i kemi ato pengesa. Ata e kanë nisur këtë reformë në kulmin e shtetit social. Ne e kemi rrugën të gjatë për t’u ngjitur deri atje, por çdo realitet ka avantazhet dhe disavantazhet e tij. Çështja që ju shtroni është shumë e drejtë dhe është pjesë përfshirëse e kësaj reforme.
Kryetari i një bashkie më tha se kishte në zyrë 230 kërkesa punësimi dhe nuk ia merrnin. Ndërsa kjo reformç thotë: çdo punë është më e mirë sesa ndihma e shtetit. Është e vërtetë që është më e mirë, është faktuar që është më e mirë.
Ju falënderoj për këtë mundësi. Iniciativa private ka ecur pak më përpara se iniciativa publike. Unë dot t’ju sugjeroja, meqenëse ne e kemi studiuar reformën Hartz, që ministria e Punës dhe sektori publik të bëjë një studim të mirëfillte të nevojave të tregut të punës në Shqipëri. Njëkohësisht, t’u jepej angazhim dhe zyrave rajonale të punës.
Kryeministri Berisha: Në tërësinë e saj, reforma, një nga kushtet më kryesore ka bashkëpunimin e zyrave publike me ato private. Oursource te zyrat private, te agjencitë private. Ju e dini, bëhet një klasifikim i të papunëve, lehtësisht i punësueshëm apo vështirësisht i punësueshëm. Këto kontingjente kanë rregullat e trajtimit nga agjenti publik, rregullat e kalimit te agjenti dhe agjencia private. Ministria e Punës më ka shprehur shqetësimin se agjencitë private merren më së shumti me kërkesat e kompanive të huaja jashtë vendit, çka për ne nuk përbën një problem. Përgjigja ime ishte që ne duhet të bëjmë gjithçka që ato të merren intensivisht edhe me këtë problem. Ne nuk duam tu ngushtojmë atyre fushën e veprimit. Gjermanët edhe aty ku nuk ishin i krijuan. Përkohësisht ato funksione ua lanë agjencive publike, por, detyrimisht, oursource dhe funksionimi i agjencive private, paralelisht me atë publike, është kusht i domosdoshëm për suksesin e reformave.
Vij nga Universiteti Amerikan i Tiranës. Ju, zoti Kryeministër, e vutë theksin te tregu i punës. Do të thosha që nuk ka treg pune pa sistem arsimor. Sistemi arsimor duhet të orientohet drejt tregut të punës dhe këtë e dëgjojmë shpesh. Dua të ndalem te çështja e tregut të huaj të infermierëve profesionistë dhe mjekësor. Pesë vendet që eksportojnë më shumë infermierë janë Filipinet, Kanada, Indi Nigeri dhe Ukrainë. Sot, mbi 30 mijë infermierë filipinesë udhëtojnë drejt SHBA-ve për t’u punësuar çdo vit. Me kolegë të tjerë jemi njohur në panaire me tregun e huaj të punës dhe punësimit të punonjësve shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe kemi mësuar shumë për tregun e punës. Ajo që do të theksoja është se sistemi ynë arsimor duhet të orientohet drejt tregut vendas të punës, por në mënyrë absolute ka resurse të jashtëzakonshme edhe drejt tregut të huaj të punës. M’u kujtua një bisedë e bërë me dekanin e një prej fakulteteve të universitetit të Vjenës. Kur e pyeta si e priti tregu i punës implementimin e Kartës së Bolonjës, ai m’u përgjigj: keq dhe jo vetëm në Austri, por në të gjithë Europën. Pra, theksin do ta vija tek bashkërendimi i të gjitha strategjive dhe tek orientimi i sistemit arsimor drejt tregut vendas e të huaj të punës.
Kryeministri Berisha: Kjo që ju thoni bëhet edhe më e rëndësishme, për faktin se duke ecur drejt statusit të vendit anëtar në Bashkimin Europian dhe hapur negociatat, një nga detyrimet dhe privilegjet është hapja totale e tregut të punës. Ligji i ri i punës që po përgatisim e do miratojmë parashikon hapjen e tregut shqiptar të punës ndaj tregut të vendeve të hapësirës europiane, sepse ata e kanë këtë normë, me kuota të caktuara. Ndaj, kjo është e dyfishtë. Dua të them gjithashtu se numri i programeve sot në universitete është shumë i madh, rreth 530 programe. Sesa këto programe përshtaten me nevojat e tregut, kjo është absolutisht e domosdoshme për t’u studiuar e shqyrtuar. Por bota akademike ka bërë përpjekje shumë të mëdha të krijojë e të ketë një shumësi programesh, me idenë më të mirë që t’i përshtaten tregut.
Lidhur me infermierët, jam plotësisht dakord me ju. Ky arsim ka pësuar ndryshim të thellë, ka kaluar në nivelin universitar dhe prodhon shumë më tepër sesa nevojat e tregut. Cili është sistemimi i tyre në vende të tjera? Si treg, ky ekziston dhe jam plotësisht dakord se duhet të fuqizohet më shumë.
Përshëndetje. Jam kryetar i qarkut të Lezhës. Është momenti që lidhur me iniciativat për tregun e punës, të ishte e mundur të shikohet mundësia e organizimit të agjencive rajonale të zhvillimit, që do të ndihmonte edhe iniciativën e lirë edhe në tregun e punës. Në disa vende europiane ato po riorganizohen, disa nga funksionet e tyre po ndryshohen në disa vende. Ne mund t’i referohemi agjencive tipike që janë standarde. Kjo do t’i paraprinte edhe organizmit të stafeve teknike, ekspertëve që në një të ardhme të shpejtë të jenë të gatshëm të konkurrojnë me projekte që BE vë në dispozicion rregullisht. Shumë shpejt, ne do të jemi vend anëtar dhe në atë moment mundësitë për të aplikuar për kuota të ndryshme do të jenë edhe më të mëdha. Organizimi i tyre duke përfshirë edhe zyrat e punë, edhe OJF të ndryshme, duke marrë një model nga vende të Europës Perëndimore, do të ishte një iniciativë e mirë.
Kryeministri Berisha: Qarqet nuk kanë asnjë pengesë për krijimin e agjencive të zhvillimit dhe është tërësisht në autoritetin tyre, krijimi i agjencive të tilla dhe studimi i perspektivave të zhvillimit, në bashkëpunim me universitetet rajonale që do të kenë si qëllim kryesor kontributin në rajon. Një gjë është e sigurt se agjencitë rajonale të punësimit janë aktualisht agjencitë më të varfra në staf dhe nëse ka një sektor në Shqipëri që duhet të fuqizohet në staf, janë këto agjenci. Raporti agjent me të papunë është 1 me 50, këtu është tre-katërfish. Në këtë kontekst, qeveria do të marrë çdo masë, në mënyrë që këto agjenci të kenë numrin e punonjësve dhe shkallën e duhur të kualifikimit të tyre, për t’iu përgjigjur numrit të caktuar të të papunëve, për të cilët ata janë të ngarkuar të punojnë në mënyrë të pandërprerë për trajnimin, punësimin e të tjera probleme.
Jam përfaqësuese e Organizatë Ndërkombëtare e Punës. Siç përmendi zoti Sulka, organizimi dhe reforma e zyrave të punësimit është një prej shtyllave kryesore të reformës së tregut të punës. ILO po jep mbështetjen e saj për reformën e Ministrisë së Punës për tregun e punës. Ne po përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e burimeve njerëzore në Shqipëri dhe një prej projekteve kryesore që po zbatohet është IPA 2010, për zhvillimin e burimeve njerëzore. ILO po jep mbështetjen e saj për të hartuar një model të ri të shërbimeve të punësimit në Shqipëri. Shërbimet, siç u tha, janë vërtetë shumë të rëndësishme, i gjithë shërbimi do të riorganizohet dhe modernizohet në kuadrin e këtij modeli. Kjo asistencë për reformimin e të gjitha zyrave të punësimit po përfshin edhe zhvillimin e ri, informatizimin e zyrave të punësimit. Pra, ILO ka përgatitur një manual dhe një udhëzues dhe po diskuton me Ministrinë e Punës, veçanërisht me zëvendësministrin, zotin Sulka, ne po diskutojmë për një plan gjithëpërfshirës trajnimi, për të forcuar kapacitetet ekzistuese për punësimin dhe gjithashtu do të rishikohen procedurat e menaxhimit në zyrat e punësimit. Ideja është që sa më parë të zbatohet menaxhimi, sipas objektivave, siç u përmendën, nga reforma Hartz. Tanimë do të kemi një performancë që do të jetë më e matshme për secilin nga këshilluesit në çdo zyrë punësimi. Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se nuk ka shkop magjik për rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik, por dimë se ka disa qarqe që janë më efektive se të tjerat. Në këtë projekt ne asistojmë qeverinë shqiptare, do t’i ofrojmë software-in, trajnimin tij dhe modelin si ata do të punojnë. Ne kemi nevojë që qeveria shqiptarë të na ofrojë hardware-in që natyrisht janë infrastruktura, pajisjet e përshtatshme për ta zhvilluar këtë reformë. Ne po shtrojmë rrugën, që ju të përqafoni reformën që sapo përmendet, reformën Hartz.
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë dhe ju siguroj se e vlerësoj jashtë mase bashkëpunimin me ju, pa diskutim Think-tank më i pasur në ide, që ekziston sot për reformën. Kam vlerësuar gjithnjë e vlerësoj kontributin tuaj në Ministrinë tonë të Punës. Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar. Në përpjekjet tuaja jeni të përqendruar në çështjet më kapitale në zyrat e punës, agjentët, eficencën, që janë të domosdoshme. Sikundër kam bindje të thellë se me zhvillimet e deritanishme, qartësisht pozitive të kësaj fushe, Shqipëria mund të zbatojë me sukses reformat ambicioze që synon, për ta shndërruar këtë shërbim në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëveprimit midis punëdhënëseve dhe punëkërkueseve.
Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam pedagoge në Albanian University. Shqetësimi im lidhet me shpikjet teknologjike. Ne jemi një vend që ka kapacitete njerëzore për këto shpikje. Fakt është se çdo ditë e më shumë në klube interneti përmenden të rinj shqiptarë që u shesin aplikacioneve bizneseve apo biznese, që merren me shpikjet teknologjike, i promovojnë këta të rinj, si dhe është fakt që shteti shqiptar i ka të pakta fondet për t’i promovuar këta të rinj. Pyetja ime është si do procedohet më vonë, pro reformës Hartz apo kundër reformës Hartz, si do vendoset për këta të rinj që janë përfaqësues të mirë të Shqipërisë kudo?
Kryeministri Berisha: Unë u takova me një grup të rinjsh, programues të përzgjedhur nga universitetet vendit, me një procedurë shumë selektive. Jam dakord me ju, një përpjekje shumë më e madhe dhe më e mirëstrukturuar në këtë drejtim është e domosdoshme. Çfarë duhet e mund të bëjë qeveria? Qeveria duhet të nxisë kërkimin shkencor në universitete, të nxisë kërkimin shkencor në kompanitë private. Jetojmë në një botë globale dhe natyrisht, këta të rinj do të jenë të lirë. Një bashkëpunim më i ngushtë midis agjencive të destinuara për të mbështetur kërkimin shkencor të qeverisë dhe institucioneve që realizojmë kërkimin shkencor është i domosdoshëm. Këto zhvillime duhet të nxiten, por dua të them atë që e kam si përshtypje. Universitetet, flas për ato publike, ende nuk janë të organizuara në shkallën e duhur në këtë drejtim. Ndofta nuk kanë mjetet, por një autonomi të caktuar financiare e kanë, një mundësi tjetër për të kërkuar fonde për programe të caktuara, gjithashtu e kanë. Nuk është se qeveria ka një buxhet të madh, por ajo ka vullnetin për ta rritur buxhetin, ka vullnetin për të mbështetur çdo projekt që vlerësohet nga udhëheqja e grupi akademik si një projekt me rezultat të pritshëm. Qeveria ka Agjencinë e Kërkimeve Shkencore dhe Inovacionit, ka fonde të tjera përmes Ministrisë së Arsimit dhe duhet të rrisim. Por sërish duhet të gjejmë mënyrën të nxisim më shumë kërkimin shkencor, në katedrat e universiteteve tona. Unë ju vlerësoj shumë dhe ju siguroj se edhe ne kemi interes të madh. Ne po punojmë që të krijojmë një HI-TECH park dhe nuk është e larg ideja, të cilit do t’i japin çdo lehtësi e mbështetje dhe do të zhvillojmë një dialog me kompanitë. Për shembull, nga debati me ta, dilte se IKUB kishte vetëm kjo kompani. Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur që edhe kompani të tjera t’i zhvillojnë e mbështetin. Një politikë e tillë me sektorin privat ka koston më të ulët për qeverinë. Sigurisht, qeveria ka detyrime ndaj sektorit publik dhe sigurisht do t’i mbështesë universitetet në këtë drejtim.
Një pjesë e madhe e ndihmës ekonomike shkon në zonat rurale, që kanë pasur mbështetje shumë të madhe për infrastrukturën, e cila nxit një pjesë të familjeve dhe sipërmarrjeve të vogla për të përmirësuar aktivitetin ekonomin e rritur punësimin, ka pasur mbështetje të madhe për bujqësinë, por ka plot aktivitete të vogla që kanë marzhe të vogël fitimi, ndaj dhe një pjesë e sipërmarrjeve nuk e gjejnë interesin për to. Mendoj se biznesi social mund të jetë një nga mundësitë e mëdha, për të rritur punësimin edhe në ato sektorë ku biznesi konvencional nuk gjen interesin e mjaftueshëm për të hyrë.
Kryeministri Berisha: Ju po punoni me babain e biznesit social dhe mikrokreditit nobelistin Yunus dhe unë shoh edhe në këtë sektor një potencial real të punësimit të të rinjve, të të varfërve, të qytetarëve.
Për t’u rikthyer tek ndihma ekonomike, ne kemi përfunduar regjistrimin e tyre dhe shuam shpejt do të kemi regjistrin dixhital. Edhe ai përbën një avantazh të madh në transparencën tërësore të fondeve dhe lëvrimit të tyre.
Përshëndetje. Jam pedagoge në Universitetin Amerikan të Tiranës. Zoti Kryeministër, marr shkak nga qëndrimi i kahershëm tuajën në kuadrin e barazisë gjinore dhe shanseve të barabarta. Pyetja ime është se duke marrë parasysh numrin e madh të studenteve vajza dhe numrin e rritur të vajzave e grave të arsimuara, si do të vijojnë politikat e qeverisë suaj në drejtim të promovimit të kësaj kategorie në tregun e punës.
Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për çështjen që shtruar dhe mund t’ju konfirmoj me vërtetësi se një nga fushat ku është ecur qartësisht, është fusha e ngushtimit të pabarazisë gjinore. Në qoftë se i referohemi këtij viti, treguesin e zhvillimit njerëzor ku Shqipëria renditet në grupin me zhvillim të lartë në vendin e 70-të dhe për barazinë gjinore renditet në vendin e 43-të dhe kur e pashë këtë, u gëzova.
Ky është një mur mijëravjeçar dhe jo një mur i thjeshtë për t’u shembur, por ne kemi bërë disa lëvizje të rëndësishme. Për shembull, në vitin 2005, diferenca në paga midis gjinive ka qenë 36 përqind, e llogaritur kjo në studime të Bankës Botërore. Falë ndërhyrjeve, kjo diferencë ka zbritur në 17.7 përqind, kur 17.6 është mesatarja e BE-së, janë 11 vende që e kanë më të madhe. Ky mur i patriarkisë, i ndërtuar gjatë 50 viteve, doktrinë pas doktrine, nga doktrinat fetare tek doktrina e Frojdit etj., mund të ngushtohet. Këtë tregon historia e zhvillimit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që gratë e vajzat të shkollohen e të ndjekin karrierën. Ju sigurisht i njihni të gjitha punimet psikologjike e sociologjike të kësaj fushe, që faktojnë se karriera është një nga mekanizmat kryesorë kundër këtij muri. Unë nuk mund të them se do punësojmë 250 mijë gra, por mund të them se do të bëjmë gjithçka të favorizojmë e përparësojmë punësimin dhe të mbështesim karrierën e tyre. Ne mund të ndikojmë realisht shumë. Ne ngushtuan diferencën e pagave, sepse lëvizëm në disa kategori ku gratë e vajzat janë shumicë dërrmuese, por mund të lëvizim fuqishëm edhe në sistemin e kreditimit. Ka një lëvizje. Numri i grave dhe vajzave presidente të kompanive ka qenë shumë i ulët, por po vjen duke u rritur. Qeveria e ka këtë mundësi, të mbështesë dhe të orientojë kreditë e buta kryesisht drejt kryefamiljareve.
Ndërsa përsa i përket pjesëmarrjes në politikë, unë shpresoj se këto zgjedhje do të jenë një frymëzim e inkurajim për forcat politike për t’i qëndruar zotimit që kanë marrë, pavarësisht se të shumtë do të mbeten burrat zemërthyer. Por ju garantoj se ky është interesi më i mirë i shoqërisë dhe Shqipërisë dhe do të bëjmë çmos t’i qëndrojmë asaj.
Pra, ky është një proces, në të cilin duhet të punojmë me bindjen se mund ta ngushtojmë gjithnjë e më shumë humnerën apo kanionin midis dy gjinive.
Në rradhë të parë zoti kryeministër, ju falënderoj për hapësirën që na krijoni për të zhvilluar këtë bashkëbisedim. Të gjithë jemi të bindur edhe në bazë të shifrave të organizmave ndërkombëtare për ecuritë pozitive të procesit të punësimit, që dëshmon për politikat e drejta qeveritare të ndërtuara mbi baza shkencore. Edhe pas vitit 2008, kur bota u zhyt në depresion dhe kjo për shumë faktorë, si ekonomikë, demografikë, social, politik , etj, Shqipëria, jo vetëm që nuk pati ulje, por pati rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë. Programi i qeverisë është shumë i suksesshëm dhe i realizueshëm. Dua të them këtu që Kushtetuta jonë, legjislacioni ynë, Kodi i punës me një përmbajtje dhe strukturë shumë moderne dhe bashkëkohore kanë hapësirat e duhura dhe nuk kanë asnjë pengesë për të ndërtuar modelet më të mira të Evropës për sa i përket punësimit.
Në aspektin akademik, krahas zyrave të karrierës që janë krijuar të gjithë universitet private dhe publike dhe meqë përshtatja e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës është evidente, mund të them se duhet të shtohen disiplinat shkencore që kanë të bëjnë me tregun e punës, me punësimin, jo vetëm në fakultetin Juridik, por edhe në ekonomik, në Shkencat Sociale, etj. Pra duhet të përshtatemi edhe më mirë.
Kryeministri Berisha: Ju faleminderit profesor Kudreti për ndërhyrjen tuaj dhe për komentin që bëtë këtu.
Kisha një pyetje për sa i përket reformës së Hartz se sa mund të ndihmojë kjo në studentë dhe në personat që kanë aftësi të kufizuar, se sa mundet të thjeshtojë jetën dhe punësimin e tyre.
Kryeministri Berisha: Në fakt, koncepti është shumë i favorshëm, nuk është se këtu nuk ka element të fuqishëm të këtij koncepti, por koncepti është, mbështet minipunën, paguajnë sigurimet shoqërore minipunë. Unë dje isha me investitorët e huaj dhe njëri prej tyre më tha, duke marrë si shembull konkret studentët: “mirë ne po ju paguajmë sigurimet shoqërore, por të bëhet një lehtësim.” Por sigurimet shoqërore do i paguajnë zyrat e punës. Kjo reformë kërkon që zyrat e punës të klasifikojnë të papunët e tyre, në 4 kategori, në lehtësisht të punësueshëm dhe deri në kategorinë e katërt që është vështirësisht të punësueshëm dhe duke i trajtuar sipas kategorive edhe eficenca rritet më shumë. Kjo është një reformë që për fat të mirë, sot kemi një bazë solide për zbatimin e saj. Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të garantuar transparencën e menaxhimit të zyrave të punës, sepse e kishte pushteti lokal dhe këta e kaluan në sistemin federal. Qeveria federale mori përsipër të gjithë përgjegjësitë dhe bëri mirë. Në se do të lexoni ka filluar në 2001 dhe në 10 vjetorin e saj është studiuar nga të gjithë studiuesit, dhe është konkluduar se në tërësinë e vet procedohet me sukses. Ne kemi dhe kuadrin ligjor që na e bën të mundur tërësisht, por ka ende shumë punë për të bërë. P.sh, ndërmarrja është e detyruar ti paguajë punëtorit në mos gabohem 15 orë kualifikim në javë. Sigurisht ndërmarrja këtë detyrim e ka shpenzim të zbritshëm, s’mund ta ketë ndryshe. A do jemi ne në gjendje ta instalojmë këtë vit apo vitin tjetër? Jo, por në pritje të efektit të reformave që instaluam ne, të heqjes së taksës mbi kapitalin, në pritje të heqjes së tatimit mbi të ardhurat rrogave nën 300 mijë lekë, punësimit të të rinjve, etj, pra të një serie masash që ne kemi marrë, ne besojmë se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më të madhe. Dhe sapo të konstatojmë se buxheti përballon kërkesat e zhvillimit ekonomik, të rritjes ekonomike dhe të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, atëherë absolutisht një nga masat më të para që do të shqyrtohet do të jetë imponimi i shpenzimeve të njohura, i shkollimit në shkollën që duan, jo aty ku do sipërmarrësi, por aty ku do punëtori dhe kjo e bën atë pastaj poliedrik në aftësitë e tij , e bën atë të mundur të ndjekë talentin e tij , të ndjekë pasionin e tij.
Unë ju falënderoj shumë ju pasi më keni dhënë mendime shumë të vyera dhe ju ftoj që së bashku ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme, e konsideroj të një rëndësie jetike, suksesin e kësaj reforme gjatë mandatit të ardhshëm.
Le të vazhdojmë komunikimin. Të gjitha kanalet e komunikimit me kryeministrin janë të hapura, nga facebook, tek email dhe çdo gjë tjetër. Unë do të isha shumë i interesuar për një kontribut tuajin të vazhdueshëm në implementimin dhe suksesin e kësaj reforme.
Prandaj ju falënderoj shumë për të gjithë mendimet që shprehët sot këtu.
29/03/2013