E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me përfaqësues të bizneseve të huaja në Shqipëri

Kryeministri Berisha bashkëbisedoi sot, me rreth 150 përfaqësues të bizneseve të huaja që operojnë në Shqipëri, kryesisht mbi reformën fiskale dhe klimën për biznes dhe investime. Bashkëbisedimi u zhvillua në mjediset e fabrikës së Coca-Cola-s në Tiranë. Në Shqipëri, aktiviteti i Coca-Cola Bottling filloi në vitin 1993 dhe përfaqëson investimin e parë të huaj në vend.

“Dua të falënderoj shumë përzemërsisht, presidentin e kompanisë së Coca-Cola-s, zotin Luigji, të përshëndes familjen Buzi, këtë familje të madhe që më krijuan mua mundësinë të takohem këtu me ju, në një moment të veçantë, të kompanisë Coca-Cola-s pas 20 vjet suksesi këtu në Shqipëri.

Unë dua të falënderoj secilin prej jush për praninë tuaj, këtu, të falënderoj kolegët, miqtë, partnerët tuaj që ndodhen në vendet tuaja, të shpreh nderimin tim më të madh për besimin që ju keni dëshmuar tek Shqipëria, tu ftoj të vazhdojmë projektin e madh për të shndërruar Shqipërinë, në vendin më tërheqës, më të sigurt, për investitorët e huaj dhe vendas sigurisht. Për ne, investimet e huaja kanë atë rëndësi që ka ajri për zogun. Shqipëria ka nevojë jo të ecë, por të vrapojë dhe të fluturojë për të kapur kohën e humbur dhe në këtë kontekst investimet e huaja janë vendimtare për arritjen e këtij qëllimi. Për ne investimet e huaja do të thonë punësim dhe unë dua tu siguroj ju se qëllimi më madhor i të gjitha reformave që ndërmerr kjo qeveri është punësimi , sepse për njeriun, për qytetarin nuk ka arritje më të madhe, se sa të garantojë në kushte lirie, një vend pune të përshtatshëm, me një rrogë të përshtatshme.

Investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të madh në punësimin e shqiptarëve. 4 vitet e fundit Shqipëria ka arritur të ketë çdo vit mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja. Ekspertët çmojnë se potenciali i saj është deri në 2 miliard në vit. Qëllimi ynë për 4 vitet që vijnë është realisht objektiv. Ne duam që në krye të 4 viteve Shqipëria të ketë marrë 6 miliardë investime të huaja. Ne e bazojmë këtë objektiv në një paketë të re fiskale që kemi ndërmarrë kohët e fundit dhe që do të ndërmarrim gjatë muajve që vijnë.

Këto ditë ne bëhemi një ndër më të paktat vende, i cili nuk do të ketë asnjë lloj takse mbi kapitalin, qoftë ai financiar apo çdo lloj tjetër. Ne po bëjmë gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10 %, për të gjithë punëtorët që kanë një rrogë nën 30 mijë lekë, në Shqipëri. Ne hoqëm çdo detyrim fiskal për çdo të ri që ju mund të punësoni në ndërmarrjet tuaja, përfshi këtu edhe detyrimin e shtetit për trajnimin e tij. Ne jemi të gatshëm të vendosim në këtë vend standardet dhe praktikat më të mira që ekzistojnë. Ne po studiojmë praktikat më të mira nga Zelanda e Re, Singapori dhe shumë vende të tjera, në mënyrë që ti instalojmë së bashku në Shqipëri. Unë dua të theksoj një moment. Këto reforma të ndërmarra deri më sot janë faktuar reforma të suksesshme. Reformat që qeveria mori gjatë 4-5 viteve të fundit janë reformat të cilat mbrojtën Shqipërinë në momentet më të vështira nga kriza e thellë europiane dhe më gjerë. Dy partnerët tanë më kryesorë ranë në vështirësi nga më seriozet, por ekonomia shqiptare nuk ra në recension. Ekonomia shqiptare vazhdoi rritjen, ndonëse një rritje më modeste, nga ajo që mund të ndodhte, po të mos influenconin faktorët e krizës.

Kriza në rajon dhe më gjerë nuk do të jetë një krizë afatshkurtër, por unë besoj se ne dëshmojmë imunitet në këto 4 vite. Kjo nuk mjafton, ne në 4 vitet që vijnë duhet ti japim një shtytje të re punësimit dhe rritjes ekonomike. Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike për tu shfrytëzuar, ka potenciale të mëdha minerale, ka potenciale të mëdha energjetike, por potenciali më i madh është krahu i punës, më i shkëlqyer në Europë, një krah pune i ri , dinamik, që punon shumë. Dhe unë ju garantoj ju, se në 4 vitet që vijnë ne do të ndërmarrim në këtë vend reformat më të thellë të tregut të punës, për ti dhënë atij fleksibilitetin më të lartë, sepse kriza fakton se tregu i punës si i tillë është një faktor më vete për thellimin e saj. Praktika të vendeve  europiane kanë faktuar se tregu i punës, reformimi i tij për të njëjtën shkallë rritje ekonomike jep shkallë të ndryshme punësimi, ndaj dhe ne do të angazhohemi së bashku në një reformë të thellë të tregut të punës, e cila do ta bëjë atë një nga tregjet më fleksibël në botë.

Edhe njëherë ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu dhe unë do të dëshiroja shumë të dëgjoja nga ju mendime, vërejtje, sugjerime se çfarë të bëjmë ne, në 4 vitet që vijnë për të krijuar në Shqipëri mjedisin më miqësor, për suksesin tuaj, për suksesin e partnerëve të tjerë që do të vijnë, në mënyrë që Shqipëria të behet vërtetë vendi më tërheqës për investimet dhe investitorët e huaj.

Ju faleminderit!

Zoti Kryeministër, pyetja ime lidhet me çështje që janë shumë të lidhura me komunitetin e investitorëve: informaliteti dhe pak pasiguri. Një nga reformat tuaja që ishte shumë e suksesshme ishte futja e taksës së sheshtë 10 përqind dhe është një nga arsyet pse shumë prej investimeve këtu janë të suksesshëm, është një nga arsyet pse shumë prej kompanive vijnë këtu. Tashmë ka një debat që bëhet mbi taksimin dhe do të donim të dinim opinionin tuaj, nëse qeveria nën udhëheqjen tuaj do të shkoj drejt taksimit.

E dyta ka të bëjë me tregun e energjisë, pasi edhe ai është pak i paqartë për momentin. Pyetja është: a ka mundësi për të pasur rritje të çmimeve në tregun e energjisë elektrike, pasi shumë nga bizneset varen nga përfitimet në tregun e energjisë, pra, pyetja është a ka mundësi për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në këtë vend?

Kryeministri Berisha: Ju faleminderit për çështjet që ju ngritët. Dua t’ju garantoj se lufta kundër informalitetit ka qene dhe mbetet absolutisht objektivi më madhor, në rrafshin fiskal të qeverisë shqiptare. Mendoj se një hov i madh përpara është shënuar kohët e fundit në drejtim të dixhitalizimit të proceseve. Ligjet gjithashtu janë rreptësuar në lidhje me informalitetin dhe unë ju garantoj se kjo do të jetë një luftë dhe objektiv konstant sepse asgjë nuk prek më shumë lirinë e tregut se sa informaliteti. Përsa i përket problemit të dytë të taksës, qeveria shqiptare ka qenë, është dhe do të mbetet qeveri e taksave të ulëta. Unë kam bindjen më të thellë se paratë në konton e biznesmenëve janë shumë më të vlefshme për shoqërinë, se sa paratë në konton publike. Bazuar në këtë parim nuk do të ketë në mënyrë absolute rritje të taksave. Ju jeni dëshmitar se unë i kam rezistuar çdo lloj presioni në këtë drejtim nga kushdo qoftë. Unë mendoj se Shqipëria ka pasur avantazhin e saj më të madh në vendosjen e taksës së sheshtë dhe uljen e taksave. Ju siguroj se asnjëherë ose në mënyrë të përditshme mendoj se çfarë të ulim më shumë dhe asnjëherë se çfarë të rrisim më shumë. Kjo politikë ka pasur rezultate të shkëlqyera për ne.

Të dashur miq, nga viti 2006 e deri më sot, ne kemi inkasuar në arkën publike 9,2 miliardë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë në vitin kulmor para nesh. Dhe këto të ardhura bënë të mundur një sipërmarrje shumë të gjerë transformuese të infrastrukturës në Shqipëri, për të cilën ju jeni dëshmitarë.  Ju them sinqerisht se ndihem i gëzuar kur arritëm të heqim taksën mbi kapitalin. Parashikoj se do të ketë një deficit në buxhet këtë vit, por kam bindjen më të thellë se kjo do të shoqërohet në periudhën e mëtejshme me një rigjallërim të ri të biznesit. Taksa progresive, e cila qarkullon sot si version është për mendimin tim një gabim shumë i madh, sepse në qoftë se ka një vend që e ka pësuar në mënyrën më klasike, nga taksa progresive, është Shqipëria. Por po e lëmë të shkuarën e saj. Taksa progresive do të kulmonte informalitetin, për të cilët ju ngritët shqetësimin dhe taksa progresive do të ishte mesazhi më i gabuar që ne ju jepnim investitorëve të huaj nga mbarë bota. Por do të ishte dhe një akt pabesie ndaj jush, sepse ju erdhët me mendimin se do të kishte një kuadër ligjor miqësor ndaj jush. Ju e dinit që në Shqipëri do të përballeshit me vështirësi të shumëllojta por ju kishit një avantazh që ishte taksa e sheshtë. Pra, të gjithë këto dhe taksa progresive do të ishte një goditje shkatërrimtare për procesin e punësimit të qytetarëve shqiptarë. Unë kam besimin më të madh se shqiptarët do të thonë fjalën e tyre të vendosur kundër kësaj takse. Ne kemi bërë këto kohë reformat e reja. Këto ditë votohet në parlament për heqjen e taksës mbi çdo lloj kapitali, votohet në parlament për  heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë rrogat nën 30 mijë lekë. Ju siguroj se në të ardhmen ne jemi të vendosur të studiojmë mbi regjime të tjera, të cilat nuk mund në asnjë rast të shënojnë rritje, por vetëm ulje. Ne i besojmë lirisë ekonomike. Liria ekonomike është dhe mbetet promotori kryesor i zhvillimit ekonomik. Liria fiskale është liria kryesore midis të gjitha varianteve të lirisë ekonomike.

Ne kemi përcaktuar dy rregulla, tani së fundi. Së pari, ne do të blejmë energji nga të gjithë ata që investojnë në hidrocentrale. Nuk e kemi pasur më parë këtë rregull. Sikundër do ti japim mundësinë atyre ta shesin në tregun e lirë, në se do të duan ata vetë. Çmimi do të jetë çmimi i bursës, plus çmimi i transmetimit të tij në Shqipëri ose në destinacionin e tregut. Pra, do të jetë qartësisht mbi çmimin e importit. Kjo në rrethana  të caktuara mund të krijojë humbje për ne, në rrethana të caktuar mund të krijojë fitim për ne, por e rëndësishme është që ne të japim garanci ju që prodhoni energji elektrike. Dhe ne para dy muajsh e përmirësuam shumë vendimin.

Fillimisht dua t’u falënderoj për mundësinë që i keni dhënë biznesit në Shqipëri për të shprehur problemet dhe shqetësimet dhe së dyti dua t’u përgëzoj për iniciativat fiskale që unë personalisht dhe kompania që unë përfaqësoj mendojnë se janë hapi kryesor për lehtësimin e hyrjes në treg dhe më pas operimit dhe zhvillimit. Ne operojmë në fushën e pagesave me celular. Deri tani kemi pasur suportin e partnerëve privatë dhe kemi hasur në skepticizmin e institucioneve të administratës publike. Pyetja ime në formën e formën e një sugjerimi është se a do të ketë në 4 vitet e ardhshme një sinergji më të madhe midis administratës publike dhe institucioneve përfaqësuese të saj dhe biznesit privat?

Kryeministri Berisha: Unë gëzohem shumë që ju jeni pagesë mobile dhe ju siguroj se qeveria ka një nga objektivat më madhorë tu bëjë të mundur qytetarëve shqiptarë të bëjnë çdo transaksion dhe pagesë nga telefoni i tyre celular. Ky është objektivi i qeverisë shqiptare për 4 vitet që vijnë. Unë di se Vodafone Albania është angazhuar shumë në këtë proces, gjithashtu dhe kompani të tjera. Qeveria nga ana tjetër është shumë e vendosur që të ndërmarrë çdo vendim dhe ligj që nevojitet në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shkojë mobile, pra çdo lloj pagese e sektorit publik, si rrogat, pensionet, etj të bëhen mobile. Kemi kohë që ne përpiqemi ta zgjerojmë, gjithashtu këto sisteme duhet të jenë të hapura, duhet të kenë konkurrencë të lirë, ndaj dhe ne një nga objektivat tona kryesore për 4 vitet që vijën është m-Albania.

Për çdo biznes është e rëndësishme të parashikohen investimet, pra sa para, sa impute, kompanitë do të hedhin në treg. Në kuadër të integrimit evropian e dimë se akcizat do të jenë në rritje për të kapur nivelet e BE. A keni parashikuar të bëni një kalendar të rritjes së akcizave , në mënyrë që çdo investitor i huaj të dijë se sa para do të harxhojë në investimin e tij.

Kryeministri Berisha: këtu ka një problem serioz dhe ky problem është zelli i burokratëve për të tejkaluar kërkesat që nuk i kanë instaluar dhe vendet themeluese të BE. Ju siguroj se do të ketë një programim, se ne nuk kemi një qëllim tjetër përveçse integrimit në BE. Por ky duhet të jetë një proces gradual, një proces i cili të ketë mundësi të parashikojë të gjitha etapat dhe disa leksione janë nxjerrë se vendosja e një standardi europian sot, i cili  në kompleksin e tij ka arsye të lidhura me BE dhe nuk është çështje sigurie, shëndeti, apo jete. Mora një shembull se na doli problemi i qumështit, kemi patur patra një viti problemin e mishit, se donin të ndalonin mishin nga Brazili, etj. Me një fjalë ne do të bëjmë gjithçka dhe do të ecim drejt BE, veçse në mënyrën më të studiuar për sa i përket problemeve të tregut.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam një investitor prej rreth 20 vitesh në Shqipëri. Së pari, mendoj se duhet t’ju falenderoj në emër të grupit tonë, si edhe në emër të të gjithë sipërmarrësve, sepse me veprimet e qeverisë suaj në katër vitet e fundit, veçanërisht në kohën e një krize ndërkombëtare shumë të madhe që lidhet me Italinë, Slloveninë, Qipron, Greqinë, të gjithë vendet rreth e rrotull Shqipërisë, nëpërmjet drejtimit tuaj largpamës dhe të vendosur, keni arritur ta çoni vendin  larg, duke evituar këtë krizë që rrethon Europën. Masat e fundit që keni ndërmarrë në mbështetjen e biznesit kombëtar dhe mbi të gjitha, atij ndërkombëtar, që lidhen me heqjen e taksës së importit për hekurin, çimenton janë receta e duhur për t’u përballur me krizën në këtë moment dhe për t’i dhënë frymë dhe ringjallje investimeve. Sa na përket, ne vazhdojmë të investojmë. Në muajin e fundit kemi punësuar 100 persona, sepse mendojmë se sipërmarrësi që ka fuqi në këtë moment duhet të japë një sinjal që nga kjo krizë mund të dilet dhe mund të dilet së bashku.  E vetmja gjë që mendoj se mund të përmirësohet në veprimet e një qeverie kaq largpamëse është ekzekutimi i masave tuaja, nga ana e atyre që janë të ngarkuar për t’i ekzekutuar. Ju njoh prej 20 vitesh dhe e di që ju gjithmonë i keni quajtur investitorët ndërkombëtarë që vijnë për të investuar në Shqipëri, miq të Shqipërisë dhe të mirëpritur. Për më tepër në një kohë të tillë krize, ai që vazhdon të investojë konsiderohet përherë i mirëpritur dhe një mik i Shqipërisë, sepse kjo jep qetësinë për të vazhduar të investojmë në këtë vend.   

Kryeministri Berisha: Ju siguroj se Shqipëria mbetet plotësisht e interesuar në investimet tuaja dhe investimet e huaja në përgjithësi. Nuk ka asnjë dyshim se interesi po rritet, ndaj ne jemi këtu, për të parë të gjitha mundësitë për të përmirësuar klimën për bizneset në Shqipëri, vendase dhe të huaja. 

Zoti Kryeministër thatë në fjalën tuaj se edukimi është një çështje e madhe, se Shqipëria ka një forcë punëtore shumë të edukuar dhe deri në një farë mase jam dakord. Por, gjithashtu, ne marrim shumë komente nga anëtarët tanë se edukimi në nivelin akademik është shumë i mirë, por Shqipërisë i mungojnë shtresat e mesme, teknikët, elektricistët, nën nivelin e inxhinierëve e nivelit të menaxhimit. Kjo përbën gjithmonë e më shumë një problem për kompanitë austriake dhe gjermane në Shqipëri dhe gjithashtu, një problem për ju, pasi kjo do të thotë se zinxhiri i vlerave që ju po krijoni nuk mund të zgjerohet. Pyetja jonë është nëse ju keni ndonjë ide se si mund të tejkalohet ky problem.

Kryeministri Berisha: Faleminderit. Keni shtruar një problem thelbësor të tregut të punës dhe jam tërësisht dakord me ju. Përshtatja e sistemit të edukimit me tregun e punës ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Por, sado që ta përshtatësh sistemin akademik, paralel me të është i domosdoshëm instalimi i një sistemi të vazhdueshëm trajnimi. Në këto katër vite, ne do të kemi një përqendrim shumë të madh në reformimin e tregut të punës. Eksperienca e vendit tuaj është ndofta eksperienca më e shkëlqyer sot, përsa i përket qëndrimit ndaj tregut të punës. Nesër, unë kam një takim me specialistë të fushës, me të cilët do të diskutojmë një për një, elementët e reformës së Hartz dhe sa prej tyre mund të praktikojmë e përshtatim në Shqipëri, gjatë katër viteve që vijnë. Kjo reformë mendoj se është një leksion i madh për mbarë botën, sepse e vërteta është se kjo reformë bëri që Gjermania, me një recesion minus 3, të ketë një rritje minimale papunësia, krahasuar me vendet që patën një recesion dy herë më të vogël. Kjo falë këtij sistemi që vendi juaj ka instaluar, por, ndër të tjera, edhe trajnimit të vazhdueshëm të krahut të punës, përshtatjes së tij, vendosjes së konkurrencës midis punës me kualifikim të lartë dhe asaj me kualifikim më të ulët. Duhet të pranoj se ne ngritëm një infrastrukturë që lidhet me krahun e punës, me punësimin, me trajnimin, por ajo mbeti skajore. Ju siguroj se do të bëhet qendrore. Sot kemi një bazë të mirë, kemi krijuar shkolla profesionale në të gjitha qarqet, kemi krijuar po ashtu qendra të trajnimit profesional në të gjitha qarqet, kemi një sistem online të punësimit, domethënë, të kërkesave për punëtorë nga sipërmarrësit dhe kërkesave për vende pune nga punëkërkuesit. Ky sistem është në shkallë kombëtare dhe jashtëzakonisht i dobishëm. Këtë sistem e vendosëm me ndihmën e qeverisë suedeze dhe shfrytëzoj sërish rastin, ta falënderoj për këtë. Ky sistem lejon një menaxhim shumë eficent të zyrave të punësimit. Natyrisht, këto zyra duhet të marrin disa funksione të tjera që sot nuk i kanë. Kjo do të jetë edhe një nga drejtimet themelore në katër vitet që vijnë. Tregu i punës nuk do të jetë më skajor, por do të jetë qendror në objektivin e qeverisë.

Zoti Kryeministër, është kënaqësi e madhe që jam këtu dhe jam dakord me atë që u përmend në fillim në lidhje me potencialin e madh të Shqipërisë, në shumë fusha. Në lidhje me të, një nga fushat e interesit është industria e turizmit, me bregdetin fantastik në Shqipëri dhe çfarë po shkon krah më krah me turizmin është mjedisi dhe ekologjia. Sot, ne jemi në situatën ku dua t’ju pyes në lidhje me nivelet e ndotjes së mjedisit për mjetet tregtare dhe a do të ketë në të ardhmen e afërt një adaptim me të njëjtin nivel të ndotjes për makinat që do të vijnë në Shqipëri, siç është i aplikuar në të gjithë Europën. Faleminderit shumë.

Kryeministri Berisha: Edhe për mua, turizmi është potenciali numër një, potenciali natyror më i rëndësishëm i këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka për të  mbështetur këtë degë, që në një kohë të shkurtër është bërë degë kryesore e ekonomisë. Vitin e kaluar, ne patëm 4.7 milionë turistë e vizitorë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të garantuar standardet më të mira mjedisore. Nuk mund të them se këto standarde ekzistojnë sot. Por, nëse i referohemi ujërave, ne po ndërtojmë 14 impiante të përpunimit të ujërave që derdhen në detet e liqenet tonë dhe shumë shpejt, ato do të jetë detet e liqenet më të pastra.

Ne kemi ndaluar përdorimin e naftës D2 dhe do të bëjmë gjithçka për standardet më të mira europiane të ajrit. Dy vit më parë, Tirana pa pasur ndotjen më të paimagjinueshme në Europë dhe kjo, jo se Tirana kishte dendësinë më të madhe të makinave, por vetëm për faktin e një bllokimi të vazhdueshëm në trafikun e saj. Disa ndërhyrje lehtësuese që u bënë, kanë bërë që ajri i Tiranës ka zbritur në standardet europiane të ndotjes.

Ne kemi një avantazh tjetër. Jemi vend i pasur në ujëra dhe po shkojmë me vendosmëri drejt energjisë ujore. Së shpejti do të jemi eksportues i saj. Nëse shihni klasifikimin e universitetit Yale, një klasifikim i përvitshëm që botohet në News Week, Shqipëria renditet për ajrin diku midis 20-30 vendeve, por ne kemi ambicie për ta mbrojtur, për të ecur drejt një ambienti sa më të pastër.  

Përshëndetje. Jam përfaqësues i Andromeda Group, një nga kompanitë më të mëdha në fushën e akuakulturës në Mesdhe. Kompania jonë ka filluar investimet në Shqipëri në vitin 2008, fillimisht me synimin e prodhimit rreth 5 mijë tonë peshk, me eksporte rreth 20 milionë euro në vit. Vonesat në rimbursimin e TVSH-së bënë që kompani të kishte një kosto 20 përqind plus, sesa kishte në Spanjë, Greqi dhe vende të tjera ku ka prodhim. Kjo bëri që investimi ynë të mos realizohej. Ju përgëzoj për heqjen e TVSH-së për importin e komponentëve kryesore siç janë ushqimi, rasati dhe me realizimin e kësaj, kompania jonë do të plotësojë të gjithë planin e saj fillestar të biznesit, duke punësuar mbi 100 punëtorë dhe duke pasur një prodhim mbi 5 mijë tonë peshk në vit dhe eksporte mbi 20 milionë euro në vit. Ne kemi edhe një çështje, që është ajo e rimbursimit të TVSH-së. Nga operacionet tona deri tani janë mbi një milionë euro TVSH e pa rimbursueshme, të cilën tatimet, duke nxjerrë çdo lloj pengese, nuk e realizojnë.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për çështjen që ngritët dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka drejt rikthimit automatik të TVSH-së. Ne e njohim që ky është një problem. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e këtij problemi u zhduk me heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë, inputet e importit, që nevojiten për prodhim. Por përsëri mbetet pjesa tjetër. Ligji është i mirë, por ne do të bëjmë çdo gjë për zbatimin e tij. Ligji nuk është më ai i mëparshmi, ne e kemi përshtatur atë. Ndaj ky mbetet një objektiv për t’u përmirësuar e për të marrë zgjidhjen më të mirë.  

Zoti Kryeministër, kisha një pyetje përsa i përket rimbursimit të TVSH. Për disa nga ne të komunitetit të biznesit është problem kritik, sepse na bën që të ulim kapacitet investuese dhe zgjeruese të biznesit, sepse kemi mungesa në likujditet përsa i përket TVSH të pa rimbursuar, që nuk na lejon të ecim para. Ne e dimë që ju keni bërë hapa përpara përsa i përket infrastrukturës dhe energjisë dhe infrastruktura dhe energjia kanë dhënë efektet e duhura, por gjithsesi do të doja të dija opinionin tuaj përsa i përket rimbursimit të TVSH dhe sesi do të aplikohet?

Kryeministri Berisha: Edhe njëherë ju siguroj se jemi të gatshëm të vendosim formën më të sigurt dhe më të shpejtë të disbursimit të saj. Të vendosim autoritetin tatimor para penaliteve ligjore, në qoftë se ata e shtyjnë disbursimin pa motiv ligjor. Nëse ligji mungon, në këtë rast, ne do të vendosim ligjin. Nuk mundet kurrë shteti të kërkojë borxhe, po nuk i pagoi borxhet. Shteti duhet të paguajë, duhet të jetë shembull dhe jam plotësisht dakord me ju. Kjo është plotësisht e mundshme dhe nëse ka një boshllëk ligjor, do të rivendoset me vendosmëri.

Jam përfaqësuese e Amadeus Group. Duke qenë se një pjesë e aktivitetit të shoqërisë sonë zhvillohet në Shqipëri, mund të them se kemi qene dëshmitarë të punës kolosale që keni bërë, si në vitet e para të demokracisë, ashtu edhe gjatë këtij tetëvjeçari, për zhvillimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Shqipëri. Meqenëse jemi në një fazë kritike të zhvillimit të Shqipërisë dhe në perspektivën e hyrjes së saj në BE, do të doja të dija se cili është mendimi juaj për të inkurajuar akoma më shumë këto investime të huaja në dhjetë vitet e ardhshme, sepse grupet e huaja që vijnë duan të  gjejnë një mbështetje të plotë dhe nuk vijnë për të investuar për një periudhë të shkurtër, por për një periudhë më afatgjate.

Kryeministri Berisha:  Çdo investitor i huaj që vendos të investojë në Shqipëri, në mënyrën më të ligjshme ka të drejtë të mendojë se investon në një vend me perspektivë të sigurt europiane dhe unë besoj që procesi më i rëndësishëm në këtë kontekst është procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Në Shqipëri, pas marrjes së ftesës dhe anëtarësimit në NATO, investimet e huaja, pavarësisht nga klima jo e favorshme, u trefishuan dhe pikërisht se ajo mori një pasaporte sigurie, një pasaporte besimi. Natyrisht, kjo edhe për pasaportën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk mund të ketë garanci më të madhe që Shqipëria t’u ofrojë investitorëve të huaj, sesa përpjekja dhe angazhimi i saj më serioz në procesin e integrimit europian. Kështu që ky mbetet një  objektiv madhor. Ne, për fat të keq, u bëmë i vetmi vend që për një diskutim të brendshëm pengojmë këtë proces, por përsëri,  të dashur miq, demokracia është për t’u mësuar dhe merita e saj është se ajo ka mjetet për t’i zgjidhur problemet. Shqiptarët do votojnë me 23 qershor dhe do të japim verdiktin e tyre dhe sigurisht do të gjykojnë politikanët e tyre, nëse ndihmuan apo pengun në procesin e integrimit. Duhet të jemi të vetëdijshëm,  shqiptarët janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij procesi dhe kanë vlerësimin më të madh se çdo komb tjetër, për procesin e integrimit. Ndërkohë në mënyrë të pandërprerë, ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar klimën e biznesit në këtë vend. Dy vitet që vijnë fillojnë dy projekte shumë të mëdha në Shqipëri, fillon kaskada e Devollit dhe shumë shpejt shpresojmë edhe TAP, të cilat edhe këto projekte e lartësojnë Shqipërinë në fushën e investimeve.

Mirëdita, jam këtu në Shqipëri prej vitit 1992, jemi të njohur të vjetër. Kam bërë 3 joint-ventures me këtë shtet, kam pësuar dëmet e vitit 1997 dhe jam ende në pritje për privatizimin e këtyre dy shoqërive. Është e vërtetë që Shqipëria mund të ofrojë mundësi të mëdha pune në sektorin e energjisë, turizmit dhe bujqësisë, por, sipas meje, mungesa e së drejtës dhe korrupsionit të madh në ministritë më të rëndësishme, në veçanti në METE, shkatërron shoqëritë ekzistuese dhe frenon interesin e sipërmarrësve që duan të investojnë në këtë vend. Në veçanti dua t’ju them zoti Kryeministër se edhe pse më është dashur të marr pjesë në një tender, për të rimarrë në zotërim një gurore allçie, që bënte pjesë në kapitalin shqiptar të një joint venture që kisha dhe pasi fitova garën mu desh të paguaja një shumë të madhe, e njëjta garë u anulua e m’u desh t’i drejtohesha KPP që më dha të drejtë. Pas dy shkallësh gjykimi në Gjykatën e Tiranës që konfirmoi vendimin e KPP, një funksionar i Ministrisë së Ekonomisë më përjashtoi për shkak të një konflikti interesi. Tani i jam drejtuar sërish KPP, i bindur për të drejtën time mbi këtë koncesion minerar. Pas 21 vitesh punë të ndershme në këtë vend dhe duke respektuar të gjitha detyrimet fiskale, jam në pritje të kësaj të drejte. Ju falenderoj për këtë mundësi që më dhatë për të prezantuar problemin tim që vazhdon prej 12 vjetësh.

Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj që ngrite problemin. Vendimet e gjykatës absolutisht do të respektohen. Në këtë aspekt nuk ka dyshim. Theksoj në zyrën time, në zyrën e ministrisë së Drejtësisë e kudo, vendimet e gjykatave do të zbatohen.

Unë nuk mund të interpretoj këtu ligjin mbi konfliktin e interesave të zyrtarëve. Ju si italian nuk mund të jeni, por nuk e interpreton kryeministri ligjin. Interpretimi mbi konfliktin e interesit të zyrtarëve shqiptarë nuk mund të bëhet as nga ministri, as nga kryeministri, është një institucion që e bën këtë. Ky institucion është komisioni i kontrollit të zyrtarëve të lartë dhe vendimi duhet të vij nga ky institucion. 

Zoti Kryeministër faleminderit për këtë shans që na dhatë për të qenë  këtu. Unë jam kryetar i shoqatës së bankave të huaja në Shqipëri. Si komunitet bankar dua të them se ne kemi një kontribut shumë të madh në ekonominë shqiptare, sepse më shumë se 90 përqind e likuiditeteve është nga biznesi i huaj, të cilët kanë asetet e tyre në këto banka. Dua të ngre dy probleme, të cilat na shqetësojnë.  Shqipëria ka probleme në mbledhjen e borxheve të këqija, e dyta në rajon, pas Serbisë. Ne mund t’i mbledhim këto borxhe, por problemi është për t’i ekzekutuar ato. Qeveria ka bërë amendamente të mira përsa i përket Kodit Civil, të cilat sot janë në parlament, por këto amendamente kërkojnë një shumicë të cilësuar për t’u kaluar në parlament dhe unë i bëj një apel politikës për t’i kaluar ato, sepse ndikojnë në klimën e biznesit. Ne kemi po ashtu një problem përsa i përket interpretimit të ligjit, nga disa nga autoritete, për taksat e tyre.

Kryeministri Berisha: Lidhur me kolateralin. Unë shpresoj se ligji do të votohet dhe ju siguroj se në tërësi sistemi gjyqësor, besoj se do të ketë një qëndrim të përshtatshëm ndaj kolateraleve. Së dyti, përmbarimi privat ka arritur në shkallë maksimale zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe kjo është një arritje  e madhe për biznesin dhe për qytetarët. Së treti, unë do t’ju kërkoja bankave shumë miqësisht që të mos bëjnë asnjë negocim me borxhlinjtë e këqij, por të veprojnë për të marrë kolateralin. Negociatat krijojnë precedentin dhe precedenti jo në kontinent, por në vende të tjera bëhet ligj. Ndaj duhet të jemi të vendosur bashkërisht, për të konsoliduar këtë çështje themelore për funksionimin e sistemit bankar dhe në tërësi të ekonomisë.

Së dyti, do të shqyrtohet dhe do të vendoset praktika më e mirë përsa i përket taksimit. Por unë ftoj bankat të kenë kurajë të shpallin të vdekur atë që është e vdekur. Kjo do të ndihmojë të dy palët. Por, sërish, unë ju them se bashkërisht do të ulemi për ligjin dhe do të marrim standardet më të mira që ekzistojnë. Nuk kemi kundërshtim. Është e vërtetë që në teori ekziston diskutimi dhe jo pa argumente midis taksës së korporatës dhe kapitalit, ne kësaj herë vendosëm për taksën e kapitalit, vendosëm ta heqim atë. Unë më parë deklarova që në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme mendojmë sesi ta lehtësojmë barrën fiskale dhe ne nuk ndalojmë së lëvizuri në revolucionin tonë fiskal. Po të vësh re sot, në kohën e osteritetit, kjo ngjason me një ecje kundër rrymës, por jo, ne besojmë se ne po ecim në drejtimin e duhur dhe jemi të përgatitur të shqyrtojmë në etapa të caktuara, çdo masë tjetër që mund ta ndërmarrim. Këtë vit, me lëvizjet fiskale që bëmë, ne presim një deficit ndoshta me 200 milionë euro në buxhet, por presim më pas një gjallërim më të madh të biznesit dhe rikthim të të ardhurave që ne do të na mungojnë.

Mirëdita, dua të sjell eksperiencën tonë të vogël. Kemi realizuar një depozitë bregdetare në gjirin e Vlorës. Jemi në këtë vend prej më shumë se 10 vjetësh. Jemi shumë të lumtur që kemi bërë këtë investim. Në këto më shumë se 10 vjet aktivitet kemi pasur probleme të ndryshme, të cilat kemi arritur t’i zgjidhim edhe nëpërmjet suportit, dialogut që kemi pasur me qeverinë. Diçka që, sipas nesh, mund të lehtësojë aktivitetin e sipërmarrësve dhe që mund të tërheqë investime të reja të huaja do të ishte një respektim më i fortë i ligjeve. Shqipëria tashmë ka një sistem ligjor modern dhe të plotë dhe në disa raste kemi vënë re që mosrespektimi apo respektimi i vonë i disa ligjeve, veçanërisht nga institucione periferike, ka sjellë disa probleme.  

Kryeministri Berisha: Konsolidimi i shtetit ligjor mbetet objektivi më qendror i qeverisë dhe në këtë kontekst, edhe rritja e transparencës së procedurave është jashtëzakonisht e rëndësishme. Pra, ne po punojmë paralelisht në dy drejtime, konsolidimin e shtetit ligjor dhe rritjen e transparencës, që ju ndihmon shumë për të evituar të gjitha problemet jo të nevojshme, që dalin nga praktikat e gabuara.

PYETJA Z. Kryeministër, unë jam përfaqësues i Teleperformancës në Shqipëri. Kemi që në vitin 2008 që jemi në Shqipëri  dhe kemi më shumë se 1400 punonjës, të cilët janë u janë atashuar dy outleteve tona në Tiranë dhe në Durrës dhe që nga ky vit, ne kemi parë më shumë se 50 kompani që janë futur në tregun shqiptarë. Meqë shqiptarët janë shumë të zotë, përsa i përket gjuhëve të huaja, çfarë do të bëni ju për të tërhequr biznese të mëdha dhe korporata të mëdha për të investuar në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Ajo që ne mund të bëjmë më së shumti është një klimë sa më të favorshme. Së dyti, ne mund të kontribuojmë në kualifikimin e punonjësve të këtij sektori dhe natyrisht të bëjmë një promovim më aktiv në vende të tjera, të potencialeve të Shqipërisë në këtë fushë. Në këtë kontekst, ne kemi një agjenci, Agjencia e Zhvillimit dhe Investimeve të Huaja Direkte. Ne do të vlerësonim çdo lloj forme bashkëpunimi për promovimin e këtij potenciali, sepse në një aspekt, ju si kompani, që keni 5 vjet që punoni në Shqipëri dhe keni një histori të vërtetë suksesi, mund të na ndihmoni në promovimin e mundësive që ofron Shqipëria në këtë fushë.

Z. Kryeministër  ne jemi të përfshirë në investimet në fushën e bujqësisë , kishim tre pika, dy janë probleme një është sugjerim. Ne jemi të interesuar për të hapur një biznes në agro-kulturë në zonën e Vlorës dhe pasi kemi mbaruar studimin prej 6 muajsh, në ministrinë e mjedisit na thuhet të presim sa të dalë njoftimi. Përsa i përket arrorëve që ne jemi të interesuar të investojmë, ka të bëjmë me tokën pyll duam që qeveria të na ndihmonte për këtë pikë sepse ndonjëherë na duhet ti drejtohemi privatëve, sepse të huaj nuk kanë të drejtë të kenë pronësi mbi tokën?

Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e parë do ta shqyrtoj dhe do t’i kërkoj ministrisë të procedojë sa më shpejt dhe të hapur, për lejen mjedisore. Së dyti, në parim ju mund të merrni pa vështirësi mijëra hektarë për 99 vjet, sipas ligjit  aktual. Së treti, shitja e tokës bujqësore do të ndodhe së shpejti. Fatmirësisht është një detyrim  i Bashkimit Europian dhe kjo do të konsiderohet shumë shpejt. Së katërti, qeveria ka nxjerrë vendimin që lejon mbjelljen e drurëve frutore në kullota dhe në zona të gjelbra, por jo në pyll të rritur, por në zona shkurre. Ne mirëpresim shumë interesin tuaj për plantacione arroresh. Ministria e Bujqësisë ka një listë tokash që mund të ofrojë dhe di që në një rast janë dhënë rreth një mijë hektarë për ullishte. Ky është një investitor shqiptar, por këtu nuk ka asnjë dallim, i huaj apo shqiptar, ju mund të përcaktoni zonën. Ne ju kemi dhënë kompetenca shumë të mëdha autoriteteve vendore. Ka komuna që kanë dhënë vete deri ne 800 hektarë. Ne kemi shumë interes në këtë fushë.

Zoti Kryeministër, si do të mbështesni investimet e huaja me qëllim rritjen e punësimit në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Mendoj se me kuadrin ligjor që kemi krijuar, me angazhimin e qeverisë në kualifikimin e forcës punëtore, në heqjen për tre vjet të çdo lloj detyrimi fiskal për të rinjtë që punësohen dhe heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për rrogat nën 30 mijë lekë, kemi ofruar një paketë të re, shumë të rëndësishme, për të inkurajuar biznesin në tërësi, por parqet logjistike, siç është ai që familja Linder po ndërton apo parku tjetër që Balfingroup ndërton diku në këtë zonë, janë një potencial shumë i madh punësimi. Ato i ofrojnë kushtet më optimale bizneseve për instalimin e tyre. Edhe në këtë rast, qeveria është e gatshme të shqyrtojë lehtësira të tjera të mëtejshme në këto zona, që le t’i quajmë me potencial me shkallën më të lartë të punësimit.

Zoti Kryeministër, ju falenderoj për këtë mundësi për të shprehur shqetësimet tona. Në raste të tjera kemi pasur mundësinë t’ju shprehim atë që ju tashmë e keni kryer, në lidhje me sistemin energjetik. Unë përfaqësoj një pjesë të një shoqërie italiane që investon këtu në Shqipëri, për impiantin hidro-elektrik dhe ka qëllim të investojë më tej. Në këtë eksperiencë të parë jemi së bashku me investitorë shqiptarë. Ajo çfarë ju kërkoj si shqetësim tonin, është integrimi i linjave elektrike që na shqetësojnë. E di që ju jeni duke e kryer dhe jeni duke na ndihmuar, por jemi të shqetësuar jo vetëm për këtë impiant, por edhe për ato që mund të kemi në të ardhmen. Sistemi energjetik është në një fazë shumë të rëndësishme për këtë vend dhe për energjinë në përgjithësi. Në veçanti ju paraqes një problematikë. Kur të përfundojmë impiantin mund të ofrojmë  vetëm një pjesë të energjisë, por jo të gjithën që mund të jap impianti, pra, do të gjendemi në situatën ku nuk mund të respektojmë marrëveshjen e koncesionit. Për faktin që nuk mund të japim të gjithë energjinë e vendosur në kontratë, jemi subjekt sanksioni. Në këtë rast nuk e dimë si të zgjidhim faktin se, meqenëse nuk japim dot energjinë, prapë sanksionohemi.

Kryeministri Berisha: Duhet bërë një investim nga ana e entit shqiptar të transmetimit. Ju keni pasur kontakte me këtë ent. Distanca nuk është e vogël. Së pari, sipas meje është absurde të penalizoheni, sepse nuk keni mundësi të jepni energjinë që është fiksuar në kontratë, për shkak të mungesës së transmetimit. Ne do të bisedojmë me ministrinë përgjegjëse për këtë problem. Së dyti, kam marr një letër nga enti i transmetimit që duhet të ndjekim, ka një problem ligji, nëse nuk gabohem. Enti më tha që ka një problem ligjor dhe unë shpresoj që së bashku mund ta zgjidhim këtë problem. E kam ndjekur këtë rast.

Dëshiroj të flas për një grup punonjësish në Shqipëri. Në Shqipëri ka një numër të madh të rinjsh nën 21 apo 20 vjeç. Shumica e tyre apo një përqindje e madhe e tyre dëshirojnë të punojnë. Unë sugjeroj të kemi dy lloje të reja kontratash. E para, kontrata trajnimi për këta të rinj, për 6 ose më shumë muaj. Ata mund të trajnohen në fushën e bujqësisë, turizmit apo fusha të tjera dhe mund të marrin gjysmë rroge, jo si punonjësit e tjerë, por pa taksa, vetëm sigurime shoqërore. Dhe për sigurimet shoqërore, ata nuk do të paguajnë 11.2 përqind, por do të paguajnë më pak. Gjithashtu, unë sugjeroj të kemi një lloj të dytë kontrate, kontratën part-time, sepse kemi shumë studentë apo të tjerë që nuk mund të punojnë gjithë kohën.

Kryeministri Berisha: Së pari, do të ketë kontrata trajnimi të paguara nga qeveria. Së shpejti do të implementojmë një sistem, ku trajnimi do të paguhet nga qeveria. Së dyti, nuk do ta paguhen sigurimet shoqërore nga punonjësit. Qeveria do të paguajë sigurimet shoqërore për çdo të ri, për një periudhë tre vjeçare. Jam shumë në favor të kontratave të përkohshme dhe do të shohim çdo hapësirë për të prezantuar kontratat e përkohshme. Nuk është sekret se qeveria i përdor ato për vete, prandaj pse mos të përdoren edhe nga biznesi. Përbën një interes të madh.

Në një takim si ky jam e  detyruar që të lexoj një letër që Dhoma Amerikanë e Tregtisë i ka dërguar Ministrisë së Financave, ku ndërmjet të tjerave themi:  “Ne do të donim të ftonim bizneset amerikanë të investonin në Shqipëri, për të sjellë dhe prezantuar teknologji të reja, mallra dhe shërbime, investime që çojnë në rritjen e punësimit dhe të ardhurave tatimore për qeverinë. Aktualisht, ne nuk jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, për shkak të mjedisit jo të favorshëm për tërheqjen e investime të huaja, një shqetësim që duhet të adresohet në mënyrë të veçantë nga Ministria e Financave”. Pse Dhoma Amerikane e Tregtisë ka arritur në këtë konkluzion? Një pjesë e çështjeve këtu u ngritën, problemi i rimbursimit të TVSH-së, rritja e bazës së tatim paguesve, pagesa e taksave për të gjithë entet që zhvillojnë biznes. Në mënyrë të veçantë do të doja të theksoja dy gjëra që këtu nuk u theksuan më parë. Konsultimi real i biznesit për ndryshimet ligjore. Në fakt ka një Këshill Konsultativ Biznesi, të cilin e përmendin vazhdimisht, ka një Këshill Tatimor që janë këshilla të krijuar për t’u konsultuar me biznesin. Në fakt, kjo nuk ndodh. Një sërë iniciativash të fundit që ka marrë qeveria, duke filluar nga janari i vitit 2013, janë ligje që nuk konsultohen me biznesin. Ne kemi kërkuar që të mos mbetet në formë premtimi konsultimi me biznesin. Një çështje tjetër është problemi me rikontrollet, riintepretimet e  reja ligjore  dhe gjobat e mëdha marramendëse  që janë marrë.

Kryeministri Berisha:  Së pari, më duhet t’ju them me keqardhje që realiteti nuk është ai që ju paraqisni dhe në qoftë se ju arrini në një konkluzion të tillë, jeni të nxituar, sepse ka disa konkluzione të tjera ndërkombëtare që janë solide, ndër të cilat është UNCTAD-i, që në raportet e tij shprehimisht thotë: “Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka marrë investime më shumë sesa mund të merrte”. Është UNCTAD-i, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 18-të në botë për tërheqjen e investimeve të huaja. Po ashtu janë një seri institucionesh të tjera botërore, të cilat e rendisin Shqipërinë në dhjetë dhe njëzet vendet e para në botë, në këto aspekte: në regjistrimin e biznesit, në garantimin e investimeve të huaja, në lehtësisë e kreditimit, në raportin paga prodhim. Ndaj edhe sentimentet personale, duhet të jemi të kujdesshëm se mesazhi që ju i çoni biznesit është absolutisht i pabazuar në realitetin shqiptar. Së dyti, Shqipëria, nga viti 2008 e deri më sot, që ishin edhe vitet e krizës së madhe, ka marrë investime mbi një miliardë dollarë, çdo vit. Kjo është një e vërtetë lehtësisht e verifikueshme. Së treti, Shqipëria, edhe në një krizë të thellë europiane dhe botërore, ka ruajtur stabilitetin e saj makroekonomik. Shqipëria ka një borxh prej 60 përqind, plus/minus 2 përqind. Por, pavarësisht nga diskutimi që sjell, e vërteta është se në  kulmin e krizës, borxhi i Shqipërisë nuk  lëvizi më shumë, ndërkohë që të gjithë fqinjëve përreth, borxhi iu dy apo trefishua. Ndaj, edhe kur bëjmë një konkluzion, duhet të zhvishemi nga pasionet dhe duhet të analizojmë me gjakftohtësi. Unë nuk them se Shqipëria është parajsë. Unë jam këtu për këtë çështje, për ta përmirësuar më tej.

Lidhur me konsultimet, mund të them se konsultimet janë për të përmirësuar dhe konsultimet këtu nuk mungojnë. Në këtë vend dhe gjatë këtyre muajve ka pasur gjithnjë konsultime. Unë ju garantoj së zëri juaj dëgjohet me vëmendjen më të padiskutueshme dhe mirëpritet çdo propozim i juaji. Sikundër shqyrtohet në mënyrën më serioze, çdo shqetësim që ju paraqisni. Unë di që për probleme të anëtarëve të Dhomës së Tregtisë, që ju keni pasur çështje me organin tatimor, ju i jeni drejtuar kryeministrit dhe keni marrë përgjigje të qartë, i jeni drejtuar ministrit të Financave dhe keni marrë përgjigje të qartë. Një gjë duhet ta kemi të qartë. Në çdo vend, organi tatimor është organ tatimor dhe nuk vepron mbi bazën e urdhrit të ministri dhe as të kryeministrit, por vepron mbi bazën e Kodit Tatimor. Unë nuk po përmend emër, por është një rast pikërisht nga dhoma juaj që ka pasur një diskutim të gjerë me organin tatimor. E vërteta është se në një përqindje të madhe dukej se kishte të drejtë, por kishte një problem dhe problemi ishte se vendi  që merrte shembull e kishte të stipuluar në ligj. Ndërsa ligji shqiptar nuk e kishte. Nëse mendon se qeveria mund t’i thotë organit tatimor se ligji jam unë, kjo s’mund të bëhet. Qeveria mund t’i ndryshojë ligjin, agjentit tatimor. Ligjet janë për t’u përmirësuar. Për konsultimet, ju jeni përfshirë. Para dy vitesh jeni shprehur tek unë për t’u përfshirë në Këshillin Konsultativ dhe unë kam dhënë porosi të prerë për t’u përfshirë dhe ju jeni në Këshillin Konsultativ të Biznesit të Ministrisë së Ekonomisë.

Ne kemi pasur bashkëbisedim me qeverinë, me ministrinë, jemi konsultuar në shumë raste të problemi të ligjit minerar, të vendimeve të Këshillit të ministrave që shoqërojnë këtë ligj. Megjithatë desha të theksoj se anëtarët e shoqatës sonë të cilët janë investitorë nga më të rëndësishmit në vend, kanë disa vërejtje që janë bërë herë pas here për rishikim ligjin minerar dhe në disa VKM që e shoqërojnë atë. Pra krahas gjërave të mira që ka sjellë ligji mineral, unë do të thosha që bashkërisht me shoqatën e investitorëve të Shqipërisë të shihet mundësia për disa përmirësime për

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›