E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Qendrën “Don Bosko” me rastin e 20 vjetorit të pranisë Saleziane në Tiranë

Kryeministri Berisha vizitoi sot Qendrën Sociale “Don Bosco”, në Tiranë, e cila në një ceremoni festive përkujtoi  20 vjetorin e pranisë Saleziane në Tiranë.

Qendra  Sociale “Don Bosko” u krijua në vitin 1993 dhe ka si mision promovimin njerëzor dhe social të adoleshentëve dhe të rinjve, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve më vulnerabël. Kjo qendër drejtohet nga salezianët (anëtarët e shoqërisë “Shën Françesku i Sales” që u themelua nga Don Bosko në vitin 1859 dhe që është prezente sot në më shumë se 131 shtete.

Sot, kjo qendër Sociale drejton Kolegjin “Don Bosko”, i cili përbëhet nga shkolla 9 vjeçare, Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Profesionale; Qendrën e Formimit profesional; Oratorin-Qendrën Rinore; Qendrën Ditore në ndihmë të fëmijëve, kryesisht me etni rome, si dhe “Shtëpia e miqve”, në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga drejtues së këtij Institucioni, u takua dhe bisedoi me të rinj dhe mësues të qendrës, si dhe u njoh nga afër me aktivitetet e veprimtaritë më të fundit të saj. Në ceremoninë e rastit, kryeministri u nderua me titullin “Mik i Don Boskos” me motivacionin “ Për kontribut të çmuar, impenjim social, mbështetje të iniciativave të zhvillimit dhe forcimit të strukturave rinore.

Kryeministri shprehu për të pranishmit, kënaqësinë dhe nderimin, që ndodhej i pranishëm në një qendër, e cila ngrihet moderne dhe bashkëkohore, atje ku 20 vjet më parë ishte zona më e humbur periferike e kryeqytetit. Kryeministri iu drejtua me mirënjohje themeluesve të Qendrës, të cilët përzgjodhën Tiranën, për të ndarë vuajtjet dhe problemet me të rinjtë e këtij qyteti, por dhe të gjithë Shqipërisë, si dhe për ti ndihmuar ata, në mënyrën me të suksesshme.

Me vlerësimin më të lartë për veprimtarinë humane të Qendrës Sociale “Don Bosko”, kryeministri shprehu në emër të qeverisë, angazhimin për mbështetjen e kësaj veprimtarie në cdo skaj të vendit.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, Nunci Apostolik i Shqipërisë, Imzot Ramiro Moliner Igles, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të institucioneve që mbështesin këtë qendër, si dhe të rinj  e prindër të tyre.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Ju uroj nga zemra, gëzuar këtë ditë, ditën që 20 vjet më parë, këtu në këtë vend që sot është kaq bukur, i ndërtuar, por që kishte më parë vetëm bunkerë dhe ishte zona më e humbur në periferi të Tiranës, zbriti Don Bosko miku juaj i madh. Zbriti shenjtori, i cili  me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj fëmijëve në nevojë, krijoi lëvizjen, krijoi “Urdhërin salezian”, ndoshta Urdhrin më të fuqishëm të mbështetjes, të shkollimit, të edukimit të fëmijëve në nevojë.

Ndaj dhe le te shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë atyre, që 20 vjet më parë përzgjodhën Tiranën, për të ndarë vuajtjet, problemet me fëmijët e Tiranës dhe të Shqipërisë, për ti ndihmuar ata në mënyrën më të suksesshme.

Ajo çka 20 vjet më parë filloi me disa baraka, sot është një kampus i mrekullueshëm, ku fëmijët nga klasa  e parë deri në maturë marrin njohuri nga më të plotat, ku përgatiten në shumë fusha, në shumë profesione për të përballuar jetën. Por mbi të gjitha të dashur fëmijë, asgjë nuk ka më të rëndësishme për njeriun sesa besimi tek Zoti, i cili e ndihmon atë më shumë se çdo gjë tjetër në cdo lloj vështirësie që të ketë që të përpiqet për përmirësim, të përpiqet për më të mirën dhe ai ia arrin qëllimit. Në qoftë se nuk e arrin menjëherë, por vazhdon të qëndrojë në rrugën e tij, ai ka mbështetjen e Zotit dhe ai është  i sigurtë  që e pret suksesi.

Nga Oratori, nga bankat e shkollave, e gjimnazit, e shkollave profesionale, e qendrës së formimit profesional, shkollës 9 vjeçare kanë kaluar mijëra fëmijë, të cilët kanë dhënë dhe japin një ndihmesë të madhe në zhvillimin e vendit të tyre, kanë dhënë dhe japin një ndihmesë të madhe në mbajtjen, mbështetjen e familjes së tyre, ndërtimin e jetës së tyre.

Unë kam patur fat të madh të jem dëshmitar që në vitin 1992 të përpjekjes së madhe njerëzore të salezianëve për të ndihmuar fëmijët e Tiranës dhe të Shqipërisë, ndaj dhe në emër të qeverisë duhet tu shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë drejtuesve, mësuesve, personelit të kësaj qendre të mrekullueshme dhe model, të falënderoj qeverinë italiane për gatishmërinë e saj që ka treguar në mbështetje të kësaj qendre, tu siguroj  se qeveria ka vlerësimin më të madh për ju dhe është e gatshme të mbështesë këtë veprimtari në çdo skaj të këtij vendi që ju sot “de fakto”, qytetarë të nderuar të Shqipërisë  doni të ushtroni veprimtarinë tuaj.

Edh njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë, uroj të gjithë vajzat, djemtë, që u formuan, u edukuan në këtë qendër të kenë suksese dhe mbarësi gjithnjë e më të madhe.

Ju falënderoj shumë për nderin që më bëtë me urdhërin e “Mikut të Don Boskos”. E kam për nder të madh që të jem mik i atij burri që frymëzon çdo njeri për fëmijët , për të rinjtë, për të ardhmen.

Ju faleminderit!


31/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›