Kryeministri Berisha priti botuesin e njohur franko-zvicerian Pierre-Marcel Favre

- Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën e deritanishme të botuesit të njohur Pierre-Marcel Favre në përhapjen e kulturës shqiptare në Perëndim, ndërsa mori prej tij premtimin se do të ndihmonte akoma më shumë në përhapjen e imazhit të Shqipërisë së suksesshme. -
Kryeministri Sali Berisha priti dje, botuesin e njohur franko-zvicerian Pierre-Marcel Favre.
Zoti Pierre-Marcel Favre tha se kish mundur të vizitonte Shqipërinë edhe përpara 1990-tës, por se Shqipëria që po shihte tani ishte krejt tjetër gjë. Ai tha se kish mbetur i befasuar nga zhvillimi i vendit, ndërsa përshëndeti Kryeministrin Berisha për qeverisjen e suksesshme në kohën kur kriza ekonomike ka gjunjëzuar shumë vende të zhvilluara europiane.
Kryeministri Berisha i tha botuesit të njohur Pierre-Marcel Favre se qeveria shqiptare po i bënte ballë krizës, duke këmbëngulur në mbajtjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme përmes një politike liberale taksash të ulëta që nxisin prodhimin dhe investimet vendase dhe të huaja.
Kryeministri Berisha tha se në vitet e kësaj qeverisjeje, shqiptarët ia dolën të ndërtojnë më shumë banesa se në çdo periudhë tjetër të jetës së tyre, ndërsa e renditën vendin të katërtin në botë për kthimin e rritjes ekonomike në mirëqenie. Shqipëria njohu një bum të paimagjinueshëm turistik, zhvillim të jashtëzakonshëm të internetit e shtrirjen me përparësi të rrjetit rrugor në gjithë vendin.
Në ekspozenë e tij për pasuritë e mëdha të vendit, Kryeministri Berisha tha se qeveria po synonte t’i kthente ato në përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo qytetari dhe arritjen e synimit që Shqipëria në vitin 2017 të renditej në vendet e zhvilluara.
Në fund të takimit, Kryeministri Sali Berisha e përgëzoi Pierre-Marcel Favre për ndihmën e deritanishme të tij në përhapjen e kulturës shqiptare në Perëndim, ndërsa i tha se ishte i mirëpritur kurdo që do dëshironte të vizitonte Shqipërinë.
Botuesi i njohur Pierre – Marcel Favre tha se po merrte me vete imazhin e një Shqipërie të suksesshme dhe se do të ndihmonte akoma më shumë në përhapjen e tij në Perëndim.
26/01/2013