Kryeministri Berisha viziton panairin e punimeve artizanale të grave të Kukësit, në Muzeun Kombëtar
- "Qeveria do të mbështesë gjallërimin e fushës së krijimeve artizanale, si degë e rëndësishme për vetëpunësimin, nxitjen e tregtisë dhe prosperitetin ekonomik të vendit."
Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë, panairin e punimeve artizanale të grave të Kukësit, organizuar në mjediset e Muzeut Kombëtar. Në stendat e saj, për dy ditë me radhë ekspozohen punime artizanale, tradicionale të 60 grave nga zona e Kukësit.
Kryeministri Berisha vizitoi stendat e këtij panairi dhe pa nga afër shumë punimeve artizanale të grave të këtij rrethi, duke i cilësuar "krjime artistike". Kryeministri vlerësoi përkushtimin e madh të grave shqiptare në krijimtarinë e larmishme artizanale në këtë fushë, "një art që mbart në vetvete sintezën e gjenisë krijuese popullore në këtë drejtim, por edhe si një nxitje e vetëpunësimit për gratë shqiptare".
Ky projekt, i mbështetur nga SOROS, ka si qëllim të kontribuojë në rritjen e të ardhurave ekonomike të grave artizane, npërmjet nxitjes së iniciativave të tyre në biznese private dhe në mbajtjen gjallë të traditës së artizanatit nga brezi në brez. Këto gra, të përfshira në këtë projekt, janë trajnuar për t’u aftësuar në ngritjen e bizneseve të vogla private dhe për të qenë më afër tregut të shitjes së produkteve të tyre. Përmes mbështetjes së aktivitetit artizanal të këtyre grave, synohet edhe dalja e tyre nga skemat sociale, duke iu dhënë mundësinë të ushtrojnë profesionin e tyre aq të bukur, në iniciativa private. Fondacioni SOROS, në bashkëpunim me bashkinë e Kukësit, kanë mundësuar edhe vënien në dispozicion të një dyqani në këtë qytet, i cili administrohet nga gratë, ku tregtohen punimet e tyre artizanale.
Kryeministri siguroi se qeveria ka bërë disa hapa të rëndësishëm në mbështetje të tyre, por do të ndërmarrë çdo hap tjetër të nevojshëm për të nxitur zhvillimin e artizanatit, në traditën më të mirë të vendit. Ai kërkoi edhe bashkëpunimin e bashkive të vendit, veçanërisht të atyre në zonat turistike, që të krijojnë çdo lehtësi, në mënyrë që këto punime të mrekullueshme t'u ofrohen turistëve në qytetet e tyre. “Ju garantoj se hapat e ndërmarrë janë vetëm të parat. Ne do të ulemi së bashku me specialistët tanë dhe të mendojmë se si ta gjallërojmë këtë degë jashtëzakonisht të rëndësishme për vetëpunësimin, për gjallërimin e tregtisë dhe për një hap të mëtejshëm të rëndësishëm drejt prosperitetit ekonomik”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Erdha këtu, për të vizituar këtë panair të krijimeve artistike dhe artizanale të grave të Kukësit, të Shkodrës dhe të Shoqatës së Grave Biznesmene në fushën e artizanatit. Cilido që vjen e viziton, mahnitet me bukurinë e madhe, me larminë e pasur të kësaj krijimtarie, e cila mbart në vetvete sintezën e gjenisë krijuese popullore në këto fusha, në shekuj dhe që me motivet e veta, me finesën, me gjuhën e bukur, është dhe mbetet një burim i madh frymëzimi për artistët e arteve figurative, që gjejnë në këto krijime, gurra të mrekullueshme frymëzimi.
Por ky është aspekti artistik. Artizanati ka një aspekt tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, ka aspektin tregtar, aspektin e punësimit. Ky është një sektor në të cilin mund të punësohen një numër shumë i madh qytetarësh në mbarë vendin. Këtu unë vizitova këtë ekspozitë dhe jam i bindur që çdo njeri do të dëshironte të kishte në shtëpinë tij prodhime artistike kaq të mira.
Disa muaj më pare, në një familje në komunën e Lunxhërisë, më informuan se një grup zonjash prodhonin për një destinacion të caktuar, që ishte Norvegjia. Prodhimet tona janë prodhime të mrekullueshme në të gjitha aspektet. Qeveria ka bërë disa hapa në mbështetje të tyre, por unë dua t’i garantoj se ne do ndërmarrim çdo hap tjetër për t’ju mbështetur ju.
Unë u bëj thirrje kryetarëve të bashkive të mëdha, të bashkive me fluks të madh turistik, që të krijojnë çdo lehtësi, në mënyrë që këto punime të mrekullueshme të jenë disponibël për turistët në qytetet e tyre. Më informojnë se projektin në Kukës e ka mbështetur Fondacioni SOROS dhe unë dua të falënderoj shumë përzemërsisht George Sorros, i cili ka përzgjedhur, ndër veprimtaritë e tij të shumta, edhe mbështetjen e këtyre grave për këto krijime artizanale të mrekullueshme. Në Kukës, bashkia dhe SORROS ka bërë të mundur që këto gra të kenë edhe një dyqan, ku ato shesin krijimet e tyre. Ky shembull duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë. Cilido familje shqiptare, ndër rregullimet dhe orenditë që blen për shtëpinë dhe apartamentin e tij, do të donte të kishte prodhime vendi në të. Cilido i huaj që viziton Shqipërinë, do të dëshironte të merrte si souvenir nga këto krijime kaq të bukura, qoftë qilima, sixhade, qëndisma, pune dore, shallet e Zadrimës, të cilat janë të denja edhe për supe princeshash e madje më lartë. Janë absolutisht më të bukurat. Ndaj, ju garantoj se hapat e ndërmarrë janë vetëm të parat. Ne do të ulemi së bashku me specialistët tanë dhe të mendojmë se si ta gjallërojmë këtë degë jashtëzakonisht të rëndësishme për vetëpunësimin, për gjallërimin e tregtisë dhe për një hap të mëtejshëm të rëndësishëm drejt prosperitetit ekonomik.
Edhe njëherë, ju përgëzoj të gjithave, ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin dhe punën e mrekullueshme që bëni”.
23/02/2012