E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministri Berisha në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë

Zonja Kryetare e Kuvendit,

Zotërinj deputetë,

Të dashur qytetare e qytetarë,

Të nderuar deputetë, lidhur me situatën e reformës zgjedhore dhe ndryshimeve në rregulloren e parlamentit, e vërteta është se në traditën tashmë qartësisht të kristalizuar pas reformave të vitit 2008, lidershipi socialist merr përsipër të grisë çdo marrëveshje. Gjë, e cila as nuk na befason dhe në bindjen tonë, ky qëndrim i opozitës nuk mund të zgjidhet në mënyrë kategorike nga Partia Demokratike dhe mazhoranca, pasi opozita është sovrane në të gjithë vendimet e saj dhe ky është kushti më themelor i ekzistencës së saj. Këtë e zgjidhin dhe do ta zgjidhin shqiptarët.

Meqenëse dje, kryetari i Partisë Socialiste dhe sot, kryetari i grupit tuaj parlamentar sërish paraqiti serialin e akuzave, ndonëse ne kemi bërë gjithçka për avancimin e këtyre reformave. Një pjesë e juaja mbase nuk e dini, por dy muaj para se të arrihej e firmosej marrëveshja, lidershipi i tyre rreshtoi dhjetëra kërkesa për rregulloren e parlamentit. Natyrisht, duke qenë të bindur se kjo rregullore është e standardeve më të mira demokratike, por, për të mos mbyllur derën, qëndrimi ynë ishte: Ne pranojmë të shqyrtojmë rregulloren, duke e adaptuar atë nen për nen me një rregullore model dhe ky model do të ishte rregullorja e Parlamentit Europian. Pas refuzimit për një kohë të caktuar, më së fundi, lidershipi socialist e pranoi dhe votoi një vendim në parlament.

Meqenëse rendën në seri për të akuzuar shumicën, cili është qëndrimi i tyre më mbrapa? Akti i parë i tyre është shkelja e marrëveshjes. Kërkojnë që kryeministrit t’i kufizohet koha e fjalës në parlament, pra, të ndryshohet Kushtetuta, kërkojnë që kryeministri dhe ministrat të mund të mos e marrin fjalën në parlament ndryshe, edhe pse kjo është e përcaktuar në këtë Kushtetutë e në çdo Kushtetutë tjetër, por vetëm në cilësinë e deputetit. Kërkojnë që kryeministri të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës në parlament, madje as të mazhorancës. Kjo, sepse kryetari i tyre, i cili është edhe kandidati kryesor për kryeministër, në logjikën formale, nuk garoi për deputet. Unë e pengova zotërinë? Përkundrazi, i ofrova në atë kohë, ndryshimin e Kushtetutës që t’i lejonte të ishte edhe kryetar bashkie, edhe të garonte si deputet. Këtë ia bëra në shenjë vendosmërie që të mos ndodhte, si në një rast unikal në Europë e në botë, ku komandanti nuk del në krye, por u thotë njerëzve të tij, si në një novelë greke: Prapa ju vjen Jani. Ndonëse mua më ndihmoi me mos garimin e tij dhe unë e falenderoj publikisht, sikundër e falenderoj publikisht që garoi edhe për bashkinë e Tiranës. Ky zotëri që nuk pranoi të garojë, që nuk pranoi të vijë në parlament, së pari, i thotë grupit të tij: Vërjani kryeministrit, kufirin tek thana në platformë dhe për të bllokuar reformën shkel marrëveshjen dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Së dyti, kërkojnë që dekretet të votohen fshehtas. Edhe në këtë parlament votojmë fshehtas për personat, por dekreti nuk është person, por akt madhor juridik. Nuk votohet personi, por dekreti, nuk votohet personi, por ligji. Të nderuar deputetë, ju kërkoni të impononi ndryshimin e nenit të Kushtetutës, që kryeministri të mos falë më shumë se 10 minuta apo baras me kryetarin tuaj të grupit. Ju betoheni për raportet. Po! Raportet janë të domosdoshme për t’u zbatuar, por raporti konsideron si një veprim shumë të drejtë, kalimin në fund të seancës të kohës 60 minutëshe të diskutimit mbi çështje të ndryshme. Kjo, juve nuk ju intereson, por as  nuk mund t’i lexojmë raportet sipas qejfit tuaj.

Lidhur me Kodin, ne kemi pranuar deri tani, çdo propozim tuajin, edhe nga më absurdet, por që nuk prekin disa parime themelore. Gjeni ndonjë Kod në botë që të ketë dënim me 8 vjet burg, për procesin zgjedhor. Kodi nuk bazohet në urrejtjen që t’i akumulon ndaj të tjerëve, për humbjen tënde. Sipas teje, 25 mijë komisionerë socialistë të tradhtuan, atëherë t’u japësh nga 5 deri në 8 vjet burg. Ju po përsërisni në këtë Kod, pamfletin famëkeq, ushtarak të vitit 2007, që nuk jua zbatoi kush. Si jua thotë mendja, a ka gjykatës mbi tokë që të pranojë të dënojë dikë 8 vjet për një krim dokumenti? Ku ndodh kjo? Vetëm në atë regjim që ekziston ende në kokën e disave prej jush. Ju besoj keni lexuar për raste, edhe kur e kapin si spiun, duke i dhënë informata shtetit tjetër, e dënojnë 4 a 5 vjet. Nuk mund të ekzistojë filozofia e bazuar në urrejtjen ndaj armikut, vetëm se unë humba zgjedhjet. Unë pyes si ka mundësi që ju dilni para shqiptarëve me kërkesën për 8 vjet burg, për komisionerët tuaj, sepse komisionerët tanë nuk i keni akuzuar kurrë, nuk keni paraqitur as edhe një fakt të vetëm ndaj tyre. Të gjithë betejën ju e bëtë me komisionerët tuaj.

[Ndërhyrje e një deputeti socialit] Po, i kam merak edhe ata, sepse janë qytetarë shqiptarë. Me stilolaps tëndin, me bateri apo jo, ata janë qytetarë shqiptarë.

Gjithsesi, ne do ta votojmë atë, natyrisht, do të marrim një mendim të ODIHR-it dhe as edhe një rekomandim i vetëm ODIHR-it nuk është bllokuar dhe nuk do të bllokohet.

Ju doni me çdo kusht të bllokoni statusin. Në mënyrë absolute, as sot dhe as pesë vjet, kjo mazhorancë nuk do t’ju lutet që të mos e bllokoni, sepse ato janë të paefektshme. Tentuat ta bllokoni atë duke e lënë bosh krahun tuaj në këtë sallë, duke bllokuar rrugë e sheshe, bëtë 1700 demonstrata, rrethuat Këshillin e Ministrave, por e pësuat në mënyrën më ekzemplare, duke dështuar, sikundër edhe në 8 maj. Ju mund të veproni si të dëshironi. Nëse doni të ecim përpara, mirë, nëse jo, në 2013, shqiptarët do të japin verdiktin e tyre.

Shqipëria është një përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve. Kam shprehur dhe shpreh vlerësimin tim për opozitën, por, në qoftë se opozita nuk do, nuk është detyrë e mazhorancës as ta nanurisë, as ta kapë përdore. Detyra e mazhorancës është ta respektojë si forcë politike sovrane dhe ju do të respektoheni si të tillë! Asnjëherë mos mendoni se do mund t’i mashtroni kaq lehtë njerëzit e thjeshtë që na ndjekin.

Vendosët dhe u ulëm për reformën e rregullores, firmosët për modelin e Parlamentit Europian dhe tani kërkoni të ndryshoni Kushtetutën. Të gjitha këto janë të dorëzuara. Sa për dijeni, ju keni bërë dy mbledhje, pasi as aty nuk vini, pavarësisht se ne nuk kemi ndjekur taktikën e denoncimit. Ne nuk ju denoncojmë, por ju themi: Veproni si të doni! Ne jemi të hapur e të gatshëm, por, nëse doni të bllokoni, bllokoni! Ju pyes, a vallë e bëtë Kodin, për 74 burrat e grat e mazhorancës? Kodi është për të gjithë shqiptarët. Ndaj, absolutisht, duke mbetur të hapur, ne as nuk do t’ju lutemi, as nuk do t’ju bëjmë presion, por ju themi: Si të dëshironi! Mendoni se do të mashtroni shqiptarët, ju themi provojeni. Ne nuk u kemi thënë shqiptarëve se ju kërkoni ndryshimin e Kushtetutës, për rregulloren e parlamentit dhe këtë e bëmë, sepse mendojmë se diskrecioni i punës është një kusht për t’i shtyrë gjërat më mirë përpara. Ju mendoni se erdhi radha t’ju besojnë shqiptarët. Jo! Nuk ju besojnë! E përsëris se nuk do të keni asnjë presion nga ne. Sikundër, harrojeni çdo lloj presioni mbi këtë shumicë! Edhe kur ka pasur, keni dështuar në mënyrën më ekzemplare. Në 36 ultimatume, zero pranim! Mësojeni se atij dhe atyre, që nuk bëjnë ultimatume, mos u bëni kurrë, se nuk e njohin. Atij dhe atyre, që nuk bëjnë presion, mos u bëni, se nuk e njohin. Ndaj, nëse doni të zbatojmë marrëveshjen, jemi të gatshëm 100 përqind. Nëse mendoni se e votuat Kodin për ne, atëherë le ta anulojmë që nesër. Por Kodi nuk bëhet për ne. Kjo është qesharake. Juve nuk ju kemi votuar ne, sepse ky krah [ana ku ulen deputetet e PD-së] ka votuar i tëri kundër jush, por ju e bëni për ata që kanë votuar për ju.

###

[Pas fjalës së deputetit Gramoz Ruçi] Nuk kam përgjigje për klishenë, por, zonja kryetare, të gjitha propozimet e bëra nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komisionin e rregullores t’u shpërndahen të gjithë deputetëve. Nuk dua të komentoj deklaratat e zotit Ruçi, se është i painformuar apo i detyruar të thotë të kundërtën, por ju kërkoj njerëzisht që dosjen e plotë të propozimeve të Partisë Socialiste për rregulloren t’jua shpërndani të gjithë deputetëve dhe të konstatoni se cilat janë propozimet e tyre dhe sa përputhen ato me marrëveshjen që kanë firmosur. Kjo është shumë e rëndësishme.

Së dyti, meqenëse kryetari i grupit të minorancës më rikujtoi kohën e dhënë për të folur, kur unë isha në opozitë, të cilën, sipas tij e paskam pasur tërkuzë, zonja kryetare, ju lutëm të llogarisni kohën e kryetari të opozitës në dy vitet e fundit të periudhës kohore, të cilës iu referua zoti Ruçi dhe kohën e mëkëmbësit të kryetarit të opozitës në parlament, gjatë periudhës nga viti 2005 gjer më tani dhe vërjani në dispozicion, duke i shtuar edhe 30 minutëshin në çdo seancë dhe do të dalë se kush ka pasur më shumë kohë fjale këtu apo edhe kush ka pasur më shumë kohë në ekran, ne apo ju.

Së fundi, mos harroni se kur unë isha kryetar opozite, nuk garoja për kryetar bashkie, por qëndroja në krye të opozitës, aty ku më donin shqiptarët të më shihnin dhe jo njërën dorë në pite, tjetrën në byrek, një tjetër në hallvë, e një tjetër këtu. Unë qëndroja në detyrën time dhe ulesha këtu, si kryetari vërtetë i opozitës dhe jo me mëkëmbës, siç bën kryetari juaj. Unë nuk garova ndonjëherë për kryetra bashkie, por u ula siç më takonte, si kryetar opozite. Ju ftoj të shihni kohën në dispozicion dhe të shihni se ku është e vërteta.

Edhe një herë e theksoj se nëse doni t’i bëjmë reformat, urdhëroni t’i bëjmë, nëse doni të impononi, atëherë zero imponim, nëse doni të bllokoni, bllokoni sa të doni.  


23/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›