E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri prezanton nismën e re të qeverisë "Shqipëria në moshën e internetit"

Kryeministri Berisha, duke përfituar nga vizita në shkollën "Sami Frashëri" me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, prezantoi nismën më të re të qeverisë "Shqipëria në moshën e internetit"

Lidhur me këtë nismë, Kryeministri bëri këto komente:

"Vij këtu për t'u zotuar dhe për të shpallur para jush projektin e ri "Shqipëria në moshën e internetit". Ky është zotimi ynë. Sepse unë kam bindjen se interneti në shtëpitë tuaja, interneti për mbarë fëmijët shqiptarë, jo vetëm në shkolla por edhe në shtëpi, do të shndërrohet në levën e Arkimedit për zhvillimin e Shqipërisë.

Në mendjet tuaja, në imagjinatën tuaj është shtëpia e shqiptarëve e viteve 2020. Ne do ju ndihmojmë që ta ndërtoni atë aq të bukur sa e imagjinoni vet, aq të mirë sa e doni vet.

"Shqipëria në moshën e internetit" do të thotë Shqipëria në moshën tuaj, do të thotë Shqipëria në imagjinatën tuaj, do të thotë Shqipëria në bukurinë tuaj, do të thotë Shqipëria në shpejtësinë tuaj.

Ndaj dhe ne kemi vendosur me një reformë të jashtëzakonshme të pajisim me portale internetin me band të gjerë, të shumëfishojmë dhjetëra e dhjetëra herë numrin e atyre që sot kanë internet, të rrisim përhapjen e internetit në Shqipëri, brenda një kohe të shkurtër, më shumë se 30 herë. Për këtë ne do t'u drejtohemi teknologjive më moderne dhe teknologjive më të avancuara që gjenden në fushën e komunikimit.

Unë e di që fëmijët shqiptarë kanë nevoja të shumta, unë e di se familjet shqiptarë përballen me probleme të mëdha për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Unë zotohem para jush se do të bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën dhe gjendjen e familjeve shqiptare. Por nuk mund të injorojmë në asnjë moment pasurinë përrallore që gjendet në trurin tuaj.

Ndaj dhe "Shqipëria në moshën e internetit", apo Shqipëria në moshën tuaj, është programi të cilin qeveria do ta zbatojë me përkushtim të madh, pavarësisht nga çmimi. Është programi që qeveria do ta realizojë gjatë këtij mandati, e bindur se këtu do të mundësohet shpalosja e një potenciali të madh që do shpejtojë shumë zhvillimin e Shqipërisë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›