Kryeministri Berisha viziton spitalin e Kukësit

Gjatë vizitës në Kukës, Kryeministri bëri një vizitë edhe në spitalin e këtij qyteti, për të parë nga afër gjendjen e të sëmurëve të shtruar në këtë spital. Kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyer të mjekëve të këtij spitali gjatë këtyre ditëve të veshtira për shkak të situatës së krijuar nga dëbora dhe reshjet.
“Dua të përgëzoj mjekët e spitalit, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë gjithë këtyre ditëve. Unë vizitova reanimacionin, ku janë operuar të sëmurë që kanë ardhur nga zona të thella dhe ku marrin të gjitha ilaçet dhe mjekimin e duhur. Pavarësisht nga vështirësitë e dëborës dhe motit të keq, në këtë spital ofrohen të gjitha shërbimet dhe për këtë mjekët meritojnë përgëzimin më të madh”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi edhe njëherë se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për lehtësimin e jetës së qytetarëve në këto zona. Por dimri me dëborë ka edhe mirësi të mëdha. "Për Shqipërinë, dëbora në këto zona është rezervë ujore për të ardhmen, është potencial i madh turistik. Unë i kam premtuar Shishtavecit rrugën dhe ju siguroj që do t’i qëndroj këtij premtimi. Por nuk është vetëm Shishtaveci zonë turistike, por duhet ta nisim nga Shishtaveci, sepse ka potencialin më të madh dhe do ta shtrijmë projektin edhe në zona të tjera. Po ndërtohet rruga drejt Valbonës në Tropojë, do të ndërtohet gjithashtu rruga që bën lidhjen me Peshkopinë, ndërkohë që po ndërtohen rrugët gjithandej”, u shpreh Kryeministri.
09/01/2009