Kryeministri Berisha: Duhet të kemi një përqendrim maksimal për të sëmurët dhe transportin e tyre

Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në zonat verilindore të vendit, u ndal në qarkun e Kuksit, në një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe shtabit lokal të emergjencës, për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar nga dëbora dhe reshjet dhe masat e marra për përballimin e saj.
Përfaqësuesit e pushtetit vendor në këtë qark e informuan Kryeministrit se në këtë zonë janë marrë të gjitha masat për të bërë të mundur komunikimin rrugor të komunave të qarkut me qendrat kryesore, por edhe të akseve kryesore rrugore që lidhin me pjesën tjetër të vendit dhe me Kosovën. Në rrethin e Tropojës të gjitha rrugët janë të hapura dhe kanë një komunikim të rregullt, theksuan ata, por ka edhe disa komuna të thella, që janë të izoluara dhe ende nuk është bërë e mundur hapja e këtyre rrugëve Gjithashtu, në qarkun e Kuksit nuk ka probleme të furnizimit me ushqime e medikamente.
Kryeministri Berisha përgëzoi strukturat vendore për punën shumë të mirë, mobilizimin dhe angazhimin e tyre për përballimin e situatës dhe evitimin e pasojave të ndjeshme, sigurimin e komunikimit në tërësi për komunat, ndihmën e çmuar për rastet në vështirësi, mbikëqyrjen konstante të situatës, etj.
Kryeministri siguroi se vëmendja e qeverisë dhe e të gjitha strukturave për këtë zonë është jashtëzakonisht e madhe.
Kryeministri tha se duhet të kemi një përqendrimi maksimal për të sëmurët. “Të sëmurët duhet të transportohen me çdo kusht. Ne kemi një skuadrilje helikopterësh të gatshëm. Por ka raste kur helikopteri nuk mund të ulet në vendndodhjen e duhur, por i sëmuri nuk mund të mbetet pa u transportuar në këto kushte. Mund të ndodhë vetëm një problem apendesiti te një qytetar dhe një gjë kaq e thjeshtë mund t’i marrë jetën atij, nëse ne nuk i gjendemi në kohë për ndihmë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se shtabi qendror i emergjencës do të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes me fonde shtesë komunat e këtyre zonave, për shkak të shpenzimeve që ato kanë bërë dhe që duhet të bëjnë edhe më tej për përballimin dhe normalizimin e situatës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Jam këtu në radhë të parë që t’ju përgëzoj për punën shumë të mirë që keni bërë, për mobilizimin dhe angazhimin e madh, në mënyrë që ky dimër të mos ketë pasoja të ndjeshme, ju përgëzoj për punë e madhe që keni bërë për hapjen e rrugëve në qarkun më të vështirë të vendit dhe sigurimin e komunikimit në tërësi për komunat, ndihmën e çmuar për raste të caktuara, mbikëqyrjen konstante të situatës.
Në Tiranë funksionon një shtab qendror i emergjencës, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, ndërkohë që unë e ndjek në mënyrë permanente situatën. Mediat kanë meritën e madhe që përcjellin në mënyrë të përditshme situatën dhe kjo është e dobishme, pavarësisht nga ndonjë ton alarmant që japin shpesh. Pra, vëmendja për këtë zonë është jashtëzakonisht e madhe.
Kërkohet nga ju që të qëndroni të mobilizuar në mënyrë konstante, kërkohet nga ju të parashikoni situatat. Ka një përshtatje shekullore me dimrin dhe problemet e tij, por ka dhe një realitet të ri shqiptar që nuk ka të bëjë më, me qëndrimin e dikurshëm ndaj dimrit. Unë isha në Peshkopi dhe kryetari i qarkut më informoi se në komunën e Reçit sot nuk po nisej dot autobusi me qytetarë. Pra, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të realizuar kalueshmërinë e rrugëve dhe lidhjet me rrugët kombëtare, fshatrat e mëdha me qendrat e komunës.
Duhet të kemi një përqendrimi maksimal për të sëmurët. Të sëmurët duhet të transportohen me çdo kusht. Ne kemi një skuadrilje helikopterësh të gatshëm. Por ka raste kur helikopteri nuk mund të ulet në vendndodhjen e duhur, por i sëmuri nuk mund të mbetet pa u transportuar në këto kushte. Mund të ndodhë vetëm një problem apandesiti te një qytetar dhe një gjë kaq e thjesht atij mund t’i marrë jetën, nëse ne nuk i gjendemi në kohë për ndihmë. Prandaj, organizimin e transportit të të sëmurëve ne do ta bëjmë me çdo mjet dhe nuk do lëmë asnjë të sëmurë, as në Arrëz dhe as në ndonjë zonë tjetër, kudo që ai të jetë.
Shtabi i emergjencës do të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes me fonde shtesë për shkak të shpenzimeve që komunat kanë bërë dhe që duhet të bëjnë edhe më tej për përballimin e situatës. Shtabi i emergjencës do t’ju alokojë këto fonde, me të gjitha rregullat e nevojshme. Nga ana tjetër, ju jeni të autorizuar të shpallni gjendjen e emergjencës, që do të thotë, mobilizim i të gjitha resurseve lokale në funksion të gjendjes së emergjencës. Ju ligjin përkatës e keni dhe do të ushtroni të gjitha detyrat.
Për sa u përket shkollave, për të mbajtur jetën normale, duhet të përpiqemi që atje ku është e mundur, shkollat duhet të funksionojnë, sepse edhe ato janë dëshmi e një normaliteti. Në Peshkopi më informuan që shkollat atje janë me sistem ngrohjeje. Edhe këtu e njëjta gjë. Shumë mirë. Le të vijë kryetari i Bashkisë së Tiranës e të marrë shembull se si ngrohen shkollat. Ai bëri një udhëtim në Kala të Dodës dhe më pas, në Elbasan, kur mblodhi të famshmen Asamble, u tregonte atyre sikur të kishte qenë në ferr dhe jo në një nga zonat më të bukura dhe më mikpritëse të vendit. U tregonte asambleistëve se si kishte vuajtur një natë në Kala të Dodës.
Le të jemi të gatshëm për çdo gjë. Ku dimër i plotëson rezervat ujore në mënyrën më të shkëlqyer dhe unë ju siguroj se që nga fundi i dhjetorit të vitit 2007 e deri më sot nuk ka pasur asnjë ditë ndërprerje të programuar energjie, përveçse ndonjë veprimi të pandërgjegjshëm të drejtuesve lokalë të KESH-it, ose avarive të ndryshme që janë të pashmangshme, sepse për hir të së vërtetës, megjithëse ne kemi investuar në 3 vjet 600 milionë dollarë vetëm në rrjetin ekzistues, përfshirë rikonstruksionin e turbinave, edhe nevojat rriten në mënyrë të vazhdueshme.
Ne do të përpiqemi që edhe defekti i madh që ndodhi në linjën Lezhë- Vau i Dejës, ta rregullojmë sa më shpejtë. Shkurtuam afatin e punës dhe për këtë janë mobilizuar të gjitha mjetet e ndërmarrjes së bonifikimit për të çuar shtyllat e nevojshme elektrike. Ky defekt komplikon furnizimin me energji të Tiranës dhe një seri zonash të tjera, ndaj do të kapërcehet sa më shpejt. Pavarësisht nga këto probleme, ne e kemi shkëputur vendin njëherë e mirë nga ndërprerja e energjisë elektrike, për aq kohë sa të gjejmë energji në treg. Brenda 2 viteve, futen në prodhim dhe burime të reja energjia, futet Vlora, Skavica, Kalivaçi. Sigurisht, ne do të marrim edhe masa të tjera për të shtuar burimet, por këtë vit prodhimi ka qenë i ulët, rreth 3.8 miliardë KW/orë, kundrejt 5.2 miliardë që është mesatarja. Vitin e kaluar ishte edhe më i ulët, rreth 2.9 miliardë. Ne kemi importuar rreth 2.5 miliardë dhe nuk kemi lejuar dhe s’do të lejojmë të ketë ndërprerje. Ne kemi përcaktuar si parim bazë se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj.
Unë do t’i përcjell shtabit qendror të emergjencave edhe sugjerimet tuaja dhe patjetër që ndihmat që vijnë nga Tirana duhet të jenë të gjitha të kërkuara nga kryetarët e komunave. Këta të fundit të krijojnë komisionet, të bëjnë kërkesën për llojin e ndihmës, ne të sigurojmë transportin dhe këto ndihma ata t’ua japin atyre familjeve që kanë më shumë nevojë dhe nuk kanë mundësi”.
09/01/2009