E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë telefonike më Kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi

Kryeministri Berisha i telefonoi sot, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi, të cilit i shprehu urimet më të përzemërta për vendimin e dhënë nga kjo gjykatë mbi pavarësinë e Kosovës.

Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha u shpreh: “Kjo është një ditë e madhe në historinë e kombëtare, në historinë e Ballkanit, por edhe në historinë e të Drejtës Ndërkombëtare.

Ky ishte një gjykim i shkëlqyer; ishte si një shpërblim dhe mirënjohje e thellë ndaj sakrificave mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës; ishte një anullim ndërkombëtar i Traktateve copëtuese mbi shqiptarët dhe njohje e të drejtave të tyre; ishte një kontribut madhor dhe historik për paqen, stabilitetin, në rajonin tonë, në Kosovë dhe në Ballkan.

Ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë që këtë vendim të madh, këtë vendim shumë të rëndësishëm të bëjmë që të kontribuojë me qëllimin e tij.

Analiza që bëri kryetari i Gjykatës, duke i faktuar botës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë parim kombëtar apo ndërkombëtar, por ka respektuar të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri, dinjitet dhe pavarësi, ishte një mbështetje e jashtëzakonshme që kjo gjykatë i jep paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ndonëse për të gjithë pavarësia ishte një proces i parikthyeshëm, mbështetja e këtij procesi nga gjykata më e lartë e botës, një proces që u zhvillua në përputhje të plotë me frymën e ligjeve ndërkombëtare dhe dokumenteve ndërkombëtare, pa shkelur askund frymën e tyre, kishte një rëndësi të jashtëzakonshme.

Ky është një vendim që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis të gjitha kombeve të rajonit.

Urimet më të përzemërta për ju, zoti Kryeministër, dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”


22/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›