Kryeministri Berisha zhvilloi një bisedë telefonike më Presidentin e Kosovës z. Fatmir Sejdiu
Kryeministri Berisha, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pasditen e sotme, i telefonoi Presidentit të Kosovës z. Fatmir Sejdiu dhe i shprehu urimet më të përzemërta për vendimin e dhënë nga kjo gjykatë mbi pavarësinë e Kosovës.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha u shpreh: “Kjo është një ditë shumë e madhe për të gjithë Ballkanin, për shqiptarët e të gjithë Ballkanit. është një ditë e bekuar. Ky është një vendim i shkëlqyer dhe i merituar. Ky është shpërblimi dhe mirënjohja më e madhe për sagën dhe përpjekjet e popullit të Kosovës, udhëheqjes së saj, është një ditë e madhe në historinë e të Drejtës Ndërkombëtare.
Ky ishte një vendim tërësisht i merituar, me një qartësi të kristaltë, me një argument të hekurt dhe është një kontribut madhor për paqen në rajon dhe më gjerë. Gjykata sanksionoi, hodhi poshtë, Traktatet e padrejta mbi shqiptarët dhe njohu të drejtën e tyre.
Përshëndetje ju, zoti President, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”
22/07/2010