E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me biznesmenë të qytetit të Elbasanit

“Të dashur miq.

Të nderuar anëtarët të familjes Marku.

Së pari ju falenderoj me shumë përzemërsi për praninë tuaj sot në këtë bashkëbisedim. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë, sepse biznesi  i këtij qyteti, Dhoma e Tregtisë së këtij qyteti ka qenë një mbështetje  për programin e Partisë Demokratike.  Program, i cili ka patur një qëllim madhor të shpallur publikisht, do të bëjmë gjithçka për një klimë miqësore ndaj biznesit, ky ishte i tërë përkushtimi ynë. Do të ulim taksat, do të përpiqemi të ofrojmë shërbimet më të mira. Kjo filozofi funksionimi, nuk ka asgjë të përsosur, por besoj se me ju biseda është më e thjeshtë. Në këtë kohë  shtrëngate të vërtetë ekonomike, shtrëngate të paparë  në 90 vitet  e fundit, më e egra. Anija e këtij vendi të vogël nuk u përplas në shkëmbinj. Anija ekonomike e këtij vendi të vogël  jeni ju, sepse ekonomia nuk është qeveria, ekonomi janë biznesmenët, janë bizneset, qeveria ka  reformat, ka ligjet, ka ndryshimet, por gjithçka tjetër përcaktohet nga mëndja juaj krijuese, nga djersë juaj. Por kjo anije as nuk u përplas dhe as nuk mori ujë. Unë e kuptoj se keni përjetuar vështirësira, sepse nuk ka diskutim, të kesh dy fqinjët më të mëdhenj  dhe dy  fqinjët me të cilët ke shkëmbimet më të mëdha, në një gjendje të pa precedent në historinë e tyre, natyrisht që ajo pasqyrohet tek ne. Ama edhe para dy javësh Komisioni Europian shpalli se Shqipëria ishte një nga katër  vendet jashtë eurozonës, që pati rritje ekonomike dhe mes këtyre katër vendeve Shqipëria pati ulje të papunësisë dhe kjo është merita juaj . Ka funksionuar filozofia jonë, e cila është, ne ju mbështesim juve që ju të krijoni vende të reja pune. Nëse do të ecim me filozofinë të krijojë qeveria vende pune. E gjithë barra e tmerrshme do të binte mbi ju, se vendet e punës së qeverisë janë dy herë më të rënda, për shtetin dhe për vendin në tërësi, ndaj dhe ne i kemi besuar biznesit si gjenerator kryesor  i  vendeve të punës. Për ju dhe për ne, por për vendin në tërësi është një lehtësim i madh, që gjatë vitit 2012 siç afirmoi jo vetëm Komisioni Europian, por edhe Banka e Shqipërisë u krijuan vende pune, të cilat ulën papunësinë. Çfarë ndodhi në vendet  e tjera? Në vendet e tjera ? Në vendet e tjera papunësia u dyfishua. Cilido që  dëshiron le të marrë dhe të klikojë për papunësinë në Serbi, në Maqedoni, Kroaci dhe në Rajon.  Cilat janë shifrat? Kjo është meritë e biznesit, është meritë e juaja. E them sërish  jeni përball me vështirësira, por një gjë ju garantoj, se kjo qeveri ka besim absolut, se ky vend zhvillohet duke zhvilluar biznesin, se shqiptarët punësohen duke fuqizuar biznesin, se shqiptarët pasurohen duke zhvilluar biznesin. Ideja për të shkatërruar të pasurit gjoja për të ndihmuar të varfrit është shkatërrimtare për të gjithë shoqërinë. Ideja që të bëjmë Shqipërinë të punojë për qeverinë dhe jo qeverinë për qytetarët është rrënuese . Ne siç e tha Presidenti i Dhomës së Tregtisë vendosëm taksën e sheshtë. U mjaftuam ne me të? Jo.  Kemi marrë një hap të dytë të madh para dy muajsh, kemi hequr çdo TVSH dhe tarifë doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Familja Marku brenda një viti ka investuar këtu rreth 2.8 milion euro, por  do të jetë minus 20 përqind kostoja e investimit që do të bëjë për repartin  tjetër. Ne bëjmë gjithçka për t’jua zgjeruar juve lirinë, problemi është shumë filozofik, ne besojmë tek lira e individit. E vërteta është se ata që besuan tek liria e individit dhe nëse hyjmë tek doktrina ekonomike, ata ngritën një monument që kurrë nuk do të shembet më.  Mund ta kritikojnë mund ta qortojnë, por kurrë nuk do të kthehen më. Kaq e vërtetë është sa ish- kryeministri i Britanisë së Madh Tony Bler, që erdhi katër vite pas largimit të Margaret Theçer, i majtë , laburist u dëshmua theçeristi  më i flaktë. Çfarë ishte theçerizmi? Besim tek liria e individit, tek iniciativa e lirë e individit, ky ishte i tërë thelbi i saj, por nëse beson tek liria e individit dhe iniciativa e lirë, nuk mund të rrisësh taksën, sepse ti e rrethon atë pastaj, atë liri e ke liri në rrethim  dhe ne nuk mendojmë asnjëherë të rrisim taksat. Unë ju garantoj juve se nuk është kjo paketa e fundit e rritjes së taksave, do të ketë paketë tjetër të uljes së taksave. Unë asaj që i besoj, as i qëndroj, por nuk bëhen dot të gjitha përnjëherësh , sepse duhet të ecësh me kujdes. Kur ne vendosëm taksën e sheshtë, ata burra dhe vajza që kisha përpara djersitën. Çfarë ju thash? Le të jenë minus të gjitha këto, por e di që i kanë mbetur biznesit. E ngushtojnë buxhetin le ti mbetën biznesit, sepse ai e përdor më mirë se ne. E vërteta është se ato nuk munguan në buxhet, sepse buxheti u shtua më shumë pasi u shtuan bizneset.

Të dashur miq.

Unë e kuptoj se keni pasur probleme me autoritetet dhe është e pashmangshme, por një gjë dua t’ju them. Bizneset e mesme dhe të mëdha janë trefishuar, kjo është dëshmia. Në këtë vend rritja e prodhimit të brendshëm është më e shpejtë se në çdo vend tjetër. Ne ato para jemi përpjekur  t’i përdorim në funksion të qytetarëve dhe të bizneseve. Në infrastrukturë ne kemi investuar në të katër anët e vendit. Unë isha në grykën e Vanajt në Shishtavec  dhe gjeta aty, që po ndërtoheshin 11 hidrocentrale, nuk e dija unë shkova për të inauguruar një. Pronari u shpreh aty se këtë e kam partneritet  publik-privat, sepse po të mos ishte kjo rrugë ai tha se nuk do ta ndërtoja hidrocentralin, pra rruga e bëri të mundur ndërtimin e hidrocentraleve. Ne do të punojmë për tu mbështetur ju në të gjithë përpjekjen tuaj për lulëzimin e bizneseve tuaja. Ka një model tjetër, që del tani në arenë. Modeli i rritjes së taksave? Modeli i rritjes së taksave aty  ku është tentuar, aty po çon poshtë dhe nuk po përmirëson. Çfarë do të thotë kjo?  Ti je drejtues i një kompani private dhe u dashka që ti të mos përcaktosh rrogën tënde, por ta përcaktojmë ne me taksën , këtë nuk e bëjmë. Mashtrimi i radhës, taksa e sheshtë është taksë proporcionale zotëri. Kjo taksë sa më të madhe të kesh rrogën aq më shumë do të paguash kjo është e vërteta është taksë proporcionale, por ama nuk mund të jetë taksë giotine, që po kalove këtej unë të këpus me 60 përqind . Ne atë se bëjmë kurrë. Nuk ka rëndësi kjo. Ka rëndësi si gjest moral si qëndrim moral. Kjo do të thotë që t’ju thuash juve merrni të gjithë pasaporta të atyre vendeve që nuk e kanë këtë taksë dhe të shkoni të jetoni atje. Këtë nuk e bëjmë ne. Unë them se ajo që del në horizont jo vetëm që është absurde, por është e rrezikshme. Ne kemi një autoritet tatimor, me të metat, dobësitë, të mirat e tij, por ky autoritet tatimor është i ndërtuar mbi një model, plus minus si të gjitha vendet e tjera. Ky autoritet tatimor po ecën drejt modernizimit është e padiskutueshme. Kemi vënë pagesën mobile dhe do të bëjmë sëbashku çdo lloj procedure për transparencë, por asgjë nuk ka më të rrezikshme sesa të shprehesh për komisione të plotfuqishme,  të jashtëzakonshme. Për çfarë i do komisionet e plotfuqishme të jashtëzakonshme? Në një vend demokratik as që mund të mendoj kurrë përveçse katastrofës natyrore, që të krijoj një komision emergjence, sepse për asgjë tjetër nuk mund të mendoj, sepse është kushtetuta që s’të le që nuk pranon, që të jep fuqi të jashtëzakonshme. Nuk mund të kesh ti fuqi të jashtëzakonshme. Ti ke fuqi ligjore dhe ai ligj është bërë për ti kushtëzuar ekzekutivit fuqitë. Do të ngremë një zyrë, për ankesat pranë kryeministri. Çfarë zyre do të ngrihet për ankesat pranë kryeministrit? Ka një sistem ligjor në çdo vend. Nuk ka kryeministër në botë që nuk shqyrton ankesën e një biznesmeni. Me seriozitetin më të madh, por ai nuk mund të ketë një zyrë, ai e shqyrton nëpërmjet institucioneve. Kryeministri nuk është ligji. Jo. Veçanërisht përsa i përket bizneseve. Ligji është ligj dhe nuk mundet që të jetë kryeministri  ligji. Ky zotëri që promovon këto, ky është një bosh absolut në rrafshin e koncepteve ekonomike dhe ligjore. Ai është piktor dhe nuk kam asgjë me të. Edhe unë jam doktor dhe mund të ketë të tjerë nga fusha të tjera, por je i detyruar të lexosh, të mësosh, je i detyruar të përkushtohesh, ose të mbyllim gojën dhe të flasin zyrtarët. Por të dalësh ,me platforma të tilla, sipas të cilave, borxhi duhet të matet si përqindje e GDP, apo zyrë e veçantë për ankesa  pranë kryeministrit, apo komisione të jashtëzakonshme , kjo përben rrezik në vetvete. In stabiliteti  konceptual  i z. Rama dhe mjerisht,  tani njeriu që del në piedestal si truri i tij ekonomik, z, Kokëdhima. Se unë i dija marrëdhëniet e tyre, ndaj them se është rrezik, dhe askush nuk me besonte mua kur thosha se ai është nënkryetar i PS, por sërish unë thoja ato që besoja. Rama tani vjen në skenë me një njëri, i cili është armik i betuar i investimeve të huaja dhe investimeve në tërësi . Lexoni shkrimet në mediat e tij.  Ky model që serviret është absolutisht i rrezikshëm. Sot inauguruam një hidrocentral në Banjën, pati një problematikë se ishin dy kompani sëbashku EVN e Austrisë dhe Statkraf, por më në fund ishte një  përfundim fatlum. Pse fatlum, sepse Statkraf  i Norvegjisë është kompania numër një në botë qoftë për hidrocentralet që ka në pronë, qoftë për hidrocentralet që ndërton në mbarë botën. Erdhi në Banjë erdhi në Devoll dëshmi besimi. Ky tani ngrihet dhe thotë se do të rris taksat. Por këta nuk erdhën për sytë e bukur tanët këtu, këta erdhën për lehtësirat që u krijuan për  ndryshe pse do të vinin. Unë bërë këta ekspoze, por jam këtu për të dëgjuar juve dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të mbështetur lirinë tuaj ekonomike, për të mbështetur iniciativën tuaj të lirë. Ne besojmë se kjo është rruga që ky vend zhvillohet më shpejt. Viti  2013 ka nisur mbarë. Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim pardje deklaroi se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më të madhe sesa vitin e kaluar dhe jam i bindur se paketa e re që ne miratuam në parlament do të jetë një nxitje e madhe për biznesin, qoftë urban, por edhe për biznesin në fushën e bujqësisë shqiptare.

Faleminderit. 

- Ne jemi pro taksës së sheshtë. Ajo është taksa që na dha frymëmarrje, na dha mbështetje. Taksa tjetër është një taksë që prodhon korrupsion dhe i jep fuqi organeve shtetërore që të trajtojnë biznesin me zgjedhje. Krijon abuzim, fshehje të të ardhurave e me radhë. Ne jemi totalisht për taksën e sheshtë. Zoti Kryeministër, vendi ynë  falë aktivitetit që ka me dy vende fqinjë që janë prekur nga kriza ka krijuar probleme për disa ndërmarrje. Në programin e Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme, si është menduar që të ndihmohet biznesi që ka pësuar rënie dhe ka pasur vështirësi për shkak të krizës.

Së dyti, zoti Kryeministër, bankat pavarësisht se na japim frymëmarrje dhe zhvillohemi, herë pas herë sillen edhe me atë që “na e japin çadrën në verë dhe na e marrin në dimër, kur nis shiu”. A ka menduar Partia demokratike në programin e saj që së shpejti të emetojë një ligj për kontrollin e interesave të larta që përdorin bankat dhe për forcimin e transparencës në pagesën e këtyre gjërave.

Zoti Kryeministër, ju falënderoj për fjalën tuaj dhe ju uroj që më 23 qershor të nderohet Shqipëria me fitoren e Partisë Demokratike?

Kryeministri Berisha: Ne jemi absolutisht të vendosur të bëjmë gjithçka për zhvillimin e biznesit. Në këtë drejtim, do të rriten edhe më shumë garancitë për eksportet. Sikundër, ne do të përpiqemi që të çlirojmë kreditë. E vërteta është që sistemi i kreditimit sot nuk është në lartësinë e kërkesës së biznesit dhe jo vetëm kaq, por vetë bankat e eurozonës në këtë sistem veprimtarie dëmtojnë veten e tyre. Direktiva evropiane bankare është përcaktuar që jashtë vendeve të Bashkimit Evropian bankat e eurozonës të konsiderohen me rrezik 100 përqind. Kjo është absolutisht jashtë çdo kriteri faktik të gjendjes së tyre. Çfarë vjen nga kjo direktivë? Prej saj ndodh që bankat të mos kreditojnë më shumë se 50 përqind të kursimeve, ndërkohë kur në ligjin më bazë, më themelor, më të provuar ato duhet të investojnë deri në 80-85 përqind të depozitave të tyre. Pra ata marrin depozitat, marrin interesat dhe nuk arrijnë të nxjerrin nëpërmjet kreditit fitimet që meritojnë. Ne po diskutojmë gjerësisht me Brukselin për këtë direktivë, e cila na penalizon. Ne shpresojmë se do të gjejmë mirëkuptim.

Natyrisht, nga kjo del një leksion tjetër i madh. Ne do të bëjmë gjithçka për të diversifikuar sistemin tonë bankar. Sistemi ynë nuk duhet të funksionojë vetëm në euro, por duhet të jetë edhe nga vende të tjera që nuk përdorin euro-n. Kjo, sepse kriza mund të jetë edhe afatgjatë. Ne po bëjmë gjithçka për të inkurajuar bankat që kanë si monedhë dollarin edhe monedha të tjera. Kjo do t’i japë një hapësirë më të madhe kreditimeve dhe qëndrimeve në tërësi. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në mënyrë të përsëritur dhe ka ndërhyrë vendosmërisht në normën e interesit. Kjo nuk është pasqyruar në shkallën e duhur nga bankat dhe nuk ka ndodhur për shkak të kësaj direktive që unë thashë, jo se ato nuk duan.

Në rrafshin tjetër, unë kam qenë dhe jam i mendimit që ne duhet të shkojmë drejt një Banke Zhvillimi. Ne duhet të krijojmë Bankën e Zhvillimit, sado që nuk janë kaq të dëshirueshme në filozofinë tonë, por përkohësisht duhet t’i përgjigjemi kësaj krize. Banka e Zhvillimit do të ishte një zgjidhje më e vendosur ndaj kërkesës së ekonomisë për kredi. Unë gjykoj se në mandatin që vjen, ne duhet të kemi një Bankë Zhvillimi për të mbështetur bizneset tona. Vendet e tjera i kanë. Ato kanë ose fonde të mëdha e të fuqishme për të mbështetur bizneset e tyre ose kanë Banka Zhvillmi. Ndaj ne po shkojmë drejt përpunimit të konceptit të Bankës së Zhvillimit.

-Zoti Kryeministër ju falënderojmë për këtë takim dhe për mundësitë që na jepni sot, të shpalosim edhe ne mendimet dhe shqetësimet tona. Duke pasur një eksperiencë të gjatë në marrëdhëniet e biznesit, jam njohës në fushën e metalurgjisë dhe të minierave, dëshiroj t’ju përgëzoj për shumë ndërhyrje dhe shumë mbështetje. Miqve të mi këtu mund t’u them se ju jeni një mik i madh i biznesit. Ju e keni shpalosur, e keni treguar dhe keni pasur rast ta konstatojmë jo vetëm këtu në qytetin tonë, por unë ju kam ndjekur nga Norvegjia e tutje. Ju keni bërë gjithçka që t’i jepni shanse, të katalizoni investitorët e huaj. Elementët që ata kanë treguar interesa kanë qenë taksat, liria e veprimit dhe mundësi të tjera që qeveria ka shprehur gatishmërinë që ti sigurojë. Për të gjitha këto ju falënderojmë.

Nisur nga pozicioni privat i një sipërmarrësi, kur dëgjojmë këtë taksën progresive, na ngjethet mishi. Dëgjojmë shumë gjëra të tjera, por kur është puna te taksa, ne na prek shumë. Mendoj se është opinion i përgjithshëm, se si një grupim njerëzish do të provojë se një taksë progresive i jep shanse. Kjo nuk ka vend në këtë kohë që bota po tronditet, kur të gjitha vendet përreth i ka kapur kriza e madhe. Unë zhvilloj një aktivitet prodhues në fushën e metalurgjisë dhe marrëdhëniet i kemi kryesisht me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sa herë që unë zhvilloj takime me kompani të mëdha në këto vende, ata gjithnjë thonë- ju jeni mirë, atje punohet, ka projekte.

Por si na gjeti ne kriza? Neve kriza na gjeti në lëvizje, na gjeti me projekte. Në vitet 2009-2010 rreth 85 përqind e metalurgjisë dhe minierave në botë ndaloi, ndërsa Kurumi shkëlqeu. Shkëlqeu, sepse ishin projektet e ndërmarra të qeverisë, ishte rruga e kombit, ndërtuesit kishin projekte ambicioze, ndërtimi ecte. Këtë e pati Kurimi, e pati edhe çimentoja, e patën edhe kompani të tjera ndërtuese. Ky është realiteti. Qeveria i ka dhënë shanse biznesit gjatë kësaj periudhe. Së dyti, në projektet e qeverisë u organizua një investim i madh për Elbasanin, rruga. Kjo do të thotë që çdo gjë ka mundësi të rikapitalizohet. Ju na keni çuar në Tiranë. Unë e zhvilloj aktivitetin në një nga zonat metalurgjike, ku flenë nën tokë rreth 400 milionë dollarë dhe nuk i shesh askush. Unë do të doja që në programin e qeverisë tuaj të kishte mundësi që të krijohen lehtësira për këtë zonë, që ajo të ketë një status të veçantë, me qëllim që objektet dhe subjektet që do të zhvillojnë aktivitet të kenë lehtësira edhe më të mëdha.

Unë do të doja të sillja në vëmendjen tuaj dy konstatime. Janë bërë reforma të mëdha sa i përket linjës së ministrisë së Financave. Por kontrollet e tatim taksave të mos vijnë një herë për TVSH-në, një herë për një gjë tjetër. Ato le të vijnë njëherë që të mos jemi në një presion profesional. Sa i përket marrëdhënieve administrative kemi pasur probleme me ministrinë e Ekonomisë, veçoj këtu staturën e zotit Ruli. Zoti Kryeministër, administrata nuk të kthen përgjigje. Kur ju jam drejtuar juve, stafi juaj më kanë kthyer përgjigje, ndërsa ministritë nuk të kthejnë. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që ta shohim me më shumë optimizëm të ardhmen tonë.

Unë jam bërë kapitalist në vitin ’96, bashkë me Koço Kokëdhimën, por Koço na mori një pajisje, një transformator dhe më ka dalë nga fjala.

Juve ju uroj gjithçka të mirë, por nëse mundeni na jepni një shans duke konsideruar zonën tonë industriale?

Kryeministri Berisha:  Unë ju falënderoj për çështjet shumë të rëndësishme që ngritët këtu. Së pari, për çështjen e zonës industriale dua t’ju siguroj ju dhe qytetarët e Elbasanit se për asnjë zonë tjetër nuk jam interesuar më shumë se për këtë zonë. Unë u kam kërkuar shumë grupeve që krijojnë zonat e lira dhe më thoshin është larg. Unë shpresoj që tuneli të jetë përgjigja më e shkëlqyer. Tuneli e ndryshon gjeografinë dhe tani do të jetë e vështirë të thonë është larg. Distanca tani është 25 minuta. Kjo i rrit shumë shanset. Një problem i dytë është ai i mjedisit. Pra, e para që mjedisi nuk është shumë i përshtatshëm për pastërtinë dhe e dyta ishte distanca. Tani distancën e zgjidh tuneli, ndërsa standardet duhet t’i zgjedhim ne vetë. Kjo, sepse uzinat, fabrikat kanë procesin e tyre, por respektimi i standardit i bën ato krejtësisht inocente. Pra, nuk është absolutisht pengesa financiare ose vështirësia jonë për të vendosur një kuadër të veçantë në këtë zonë. Kjo nuk është, sepse ne jemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka për punësimin e njerëzve. Ne e gjykojmë punësimin si objektivin më absolut, punësimin në iniciativën e lirë. Kështu që ne nuk kemi ndonjë vështirësi për të vendosur një kuadër të veçantë fiskal në një zonë. Unë kam besim të madh që tuneli e ka fshirë distancën. Tani mund të vihet direkt, direkt në port, direkt në aeroport. Tuneli e ka zgjidhur shumë problemin.

Vijmë te taksat. Po të kthehemi në ato vite, ne përsëri kemi qenë vendi me taksat më të ulëta. Një nga vendimet e vitit 1995 ishte heqja e taksës për makineritë. U desh shumë kohë që të arrijmë aty, por arritëm. Dhe jo vetëm për makineritë, por për çdo gjë tjetër që duhet për prodhim. E rikthyem atë dhe bëmë shumë mirë, sepse në doktrinë nuk duhet tatuar ajo, por duhet tatuar prodhimi. Kjo është filozofi e thjeshtë dhe jam shumë i gëzuar që e rikthyem edhe e rikthyem shumë më gjerë. Pas implementimit të këtij sistemi, absolutisht që do të ketë hapa të tjerë lehtësues ndaj biznesit. Ne nuk e kemi konsumuar përpjekjen tonë. Përpjekja jonë do të vazhdojë të krijojë lehtësira.

Se të bësh një matematikë të thjeshtë dhe të deklarosh se mësuesi paguan më shumë se Kryeministri, bëhesh qesharak. Në vitin 2005 Kryeministri kishte një rrogë       11 herë më të madhe se mësuesit. Sot Kryeministri merr 4.5 rroga mësuesish. Ne e kemi ngushtuar diferencën dhe i kemi qëndruar asaj që kemi thënë. Ky është raporti i vendeve të lira. Vende e lira nuk kanë në sektorin publik diferenca të atilla. Po të marrësh rrogën mesatare të Shteteve të Bashkuara, që është vendi më privat, kjo është distanca me rrogën më kryesore. Si arritëm ne këtu? Si arritëm që ta ngushtojmë këtë distancë, ta bëjmë atë më humane? Ne arritëm, sepse u krijuan të ardhura dhe rritëm rrogën e mësuesve. Taksa e sheshtë bëri të mundur krijimin e të ardhurave. Pa taksën e sheshtë, se bënim dot. Ajo çliroi energjitë e biznesit dhe bëri të mundur këtë. Spekulimi është spekulim, por e vërteta është kjo. Taksa e sheshtë është taksë proporcionale.

Vijmë te arbitrariteti i  administratës, autoriteti tatimor, etj. Në të gjithë përpjekjet tona për modernizim, ne synimin e parë kemi modernizimin e shërbimeve tuaja, sepse ato japin për të gjithë qytetarët. Në sistemin e financave ka progres dhe do të ketë progres edhe më tej. Çfarë do të bëjmë ne për problemin që thatë? Së pari, ne kemi reformuar sistemin e inspektorateve, kemi bërë një nga reformat më të thella, e cila është në riorganizim e sipër. Nga llogaritë tona ne gjetëm se, përveç tatimeve, inspektoratet e tjera që vinin njëri pas tjetrit ju merrnin 45 ditë. Ne kemi ndryshuar të gjitha ligjet dhe sistemi i inspektorateve mund të vijë deri në 10-12 ditë tek ju. Ne kemi vendosur një sistem dixhital. Ata nuk mund të vijnë kurrë te ju pa lënë gjurmën, pa u kontrolluar nga sipër. Nga 36 inspektorate do të lejohen vetëm 11 inspektorate. Kjo do të kërkojë kohë, por ju garantoj se me kalimin e kohës kjo barrë që ju rëndonte do të jetë shumë e lehtë. Të njëjtën gjë do t’i imponojmë dhe autoritetit tatimor. Sikundër, në shumë aspekte ai ka teknologjinë më të lartë, por sa e përdorin është diçka tjetër. Pra do të bëjmë gjithçka për një marrëdhënie gjithnjë e më të transparente midis biznesit dhe autoritetit tatimor.

Vijmë te administrata. Ato që thua janë shumë të vërteta. Unë shume herë e them se administrata është një turp i pashpirt. Ne po kalojmë në një sistem të ankesës së përgjithshme dixhitale. Ky sistem i nxjerr burokratët në dritën e diellit, ashtu siç janë. Ti do të fusësh ankesën në faqe dhe ajo do të lërë gjurmë në çdo etapë, kudo që shkon, kush e bllokon, kush nuk përgjigjet. Ne e kemi gati sistemin. Ky është sistemi më i shkëlqyer. Sistemi ka dhe një meritë tjetër, që nuk mund ti kthehet përgjigje dikujt që është pas teje, në rast se nuk të është kthyer ty. Këtë nuk e lejon sistemi. Natyrisht, kjo kërkon një kohë orientimi të administratës. Veçse, është përgjigja më e merituar dhe më transparente e çdo zvarritje. Kështu që, absolutisht, do të bëhet edhe administrata me ‘shpirt elektronik’.

-Zoti Kryeministër, në vazhdim të kësaj ideje, a ekziston mundësia të implementohet ai ligj. Për shembull, nga subjektiviteti, veprimi apo mosveprimi i një administratori të nivelit të lartë konseguencat shkojnë në qeveri. Për shembull një ministër apo një zyrtar kur i heq një aktivitet një subjekti, të paktën ta thërrasë, sepse subjekti nuk e di. Me pas, subjekti shkon në gjyq dhe e fiton. A duhet të mbajë përgjegjësi ky administrator që e heq?

Kryeministri Berisha: Absolutisht, duhet të mbajë. Vetëm se përgjigja më e shkëlqyer është transparenca. Gjithçka ndodh duke futur dosjet nën tavolinë. Ato do të jenë në pasqyrë dhe nuk do mund ta fusin dosjen nën tavolinë apo në sirtar, sepse do të jetë e afishuar. E kemi vendosur këtë në sistemin e ankesave në hipotekën e Tiranës dhe në disa hipoteka të tjera. Ka zero ankesa. Ne kemi gati sistemin e ankesës së përgjithshme, i cili do të funksionojë për çdo qytetar.

-Duhet një iniciativë ligjore në mënyrë që të mbahet qëndrim ndaj atyre që bëjnë faj dhe gabime të rënda ndaj biznesit, sepse gjithnjë i paguan shteti. Ministri, edhe dy ditë pasi e dekreton Presidenti, të heq koncesionin dhe njofton zgjidhjen e kontratës koncesionare edhe shteti duhet të paguajë fitimin e munguar. Kjo nuk bëhet fjalë për Genc Rulin, as për ministrin aktual, por ato që kanë ndodhur këto 4 vjet.

Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj për sugjerimin. Një ligj i tillë do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh. Një ligj i tillë është shumë i domosdoshëm, sepse për veprimtari të pamotivuara që dëmtojnë shumë rëndë, personi duhet të bëhet përgjegjës. Unë jam shumë dakord me ju. Kjo nuk është çështje presioni, por kufizimi. Ligjet janë për të kufizuar abuzimin në pushtet.

  -Unë jam pronar i fabrikës se drurit , kam një kërkesë për TVSH, megjithëse kjo ngrihet në çdo takim me biznesin që ju shkoni. Kërkesa ime është. Nëse shteti s’ka mundësi të rimbursojë të gjithë TVSH, le të ketë një sistem dixhital, që renditjen e rimbursimit që të marrë ai që ka TVSH më të madh. Deri më sot ky sistem nuk funksionon. Gjithashtu duhet  ti jepet prioritet bizneseve eksportuese dhe investimeve të reja në këtë fushë?

Kryeministri Berisha:  Unë të falenderoj për këtë investim të mrekullueshëm. Me të vërtetë një teknologji nga më të avancuarat dhe për ne kjo industri është jashtëzakonisht e rëndësishme. Industria e drurit në tërësi në Shqipëri punëson, rreth 50 mijë punonjës në të gjitha fushat e saj dhe jemi shumë të vendosur ta mbështesim zhvillimin e mëtejshëm.  Përsa i përket çështjes që ngre, është jashtëzakonisht shumë e drejtë dhe ajo do të jetë një përparësi absolute. Sistemi i tatimit do ta vendosë në kohën më të shkurtër dhe do ta bëjë publik në faqen zyrtare, kjo  do të jete e detyrueshme. E ke të drejtë shqetësimin, se me gjithë zhvillimet prapë është dosja nën tavolinë, prandaj nuk e duan ata. Ajo do të vendoset në mënyrë absolute dhe do të jetë e kontrollueshme  nga çdo biznesmen dhe nga çdo qytetar. Ky sistemi përbën plotësisht të mundur të kontrollosh gjendjen e taksave të tua dhe më gjërë. Por kjo është gjëja më e domosdoshme dhe kjo do të behët  shumë shpejt. Së dyti në dijeninë  time eksportet kanë një preferencë absolute në pagesë dhe detyrimet tatimore të tjera, ato kanë të drejtë të mos i përgjigjen, nëse tatimet nuk japin TVSH. Për eksportuesit ekziston ky ligj dhe të garantoj se është.  Kur bëra takimin me bizneset e huaj, më ngritën këtë shqetësim, i mblodha ekspertët  dhe më garantuan se ky sistem funksionon. Tani unë sërish do të një kontroll për këtë që thoni ju. 

-Z. Kryeministër ju përgëzoj se keni siguruar tregun e lirë. Ju përgëzoj se reformat tuaja kanë qenë të guximshme dhe i kanë dhënë frymëmarrje të jashtëzakonshme biznesit. Orientimi juaj në infrastrukturë, në energjetikë,  në modernizim të teknologjisë ka bërë që biznesit ti lehtësohen shumë gjërat. Unë ju uroj që  në vitet e ardhshme të bëni vepra të mëdha siç bëtë edhe tunelin e Elbasanit. Partneritetin që kemi me qeverinë është për tu vlerësuar dhe nuk mund të thotë një biznes i majtë se kemi pasur reprezalje dhe kjo është për tu përgëzuar. Ne partneritetin që kemi me qeverinë dhe është për tu përgëzuar, këtë partneritet nuk e kemi me bankat. Banka duhet të jetë bashkëpunëtorë me biznesin. Unë kam marrë 2 milion euro kredi, për të përgatit praktikën me duhet një javë dhe taksa e sheshtë  disa herë nuk funksionin si te ai që ka marrë 100 mijë euro si ai që ka marrë 2 milion euro. Shteti duhet të krijojë një raport edhe me bankën. Problemi tjetër është penaliteti që të vë banka, nëse unë i shlyej borxhin para kohe. Mendoj  se shteti i ka mundësitë për të vepruar këtu. Duhet të shikohen edhe subjekte që kanë kontrata me shtetin?

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj keni ngritur çështje shumë serioze. Lidhur me bankat, natyrisht që janë institucione krejtësisht të pavarura dhe  private, por ne kemi një dialog konstant me to. Kemi diskutuar me to dhe kam deklaruar se bankat dhe kompanitë celulare shërbimet i kishin shumë të larta dhe tani janë ulur. Do të kemi një dialog konstant me to dhe do tu përcjellim shqetësimet tuaja dhe do të kërkojmë prej tyre të përdorin standardin që ekziston në vendet  e tjera. Ne mbështesim çdo biznes,  e kemi në parimin tonë, por standardin duam ta kenë si në vendet e tjera, si në vendet nga vijnë , si në vendet e Rajonit. Ndaj dhe shqetësimet që ngrini ju, me shoqatat e tyre, me guvernatorin me ministrin e financave do ti bëjmë çështje debati  të hapur me qëllim përmirësimin e veprimtarisë dhe të raporteve me biznesin. Raporte jetike këto si për biznesin edhe për bankat. Kjo përsa i përket problemit të bankave. Për problemin e ndërtimit. Unë do ta shqyrtoj këtë çështje. Me sa di  e kemi shqyrtuar para dy muajsh dhe një direktivë është dhënë për këtë çështje. Sidoqoftë do ta rishqyrtoj përsëri çështjen e pagesës të tatim fitimin mbi shitjen që nuk është bërë. Kjo sens nuk përbën duhet gjetur mekanizmi, se natyrisht për një gjë që se ke shit është e pa pranueshme të paguash tatimfitimin imagjinarë. Jam plotësisht dakord me ju.

-Për referencat për BE të hiqen. Se mendoj se këto referenca përdoren në mënyrë selektive, sepse dikujt ia sheh dikujt jo?

Kryeministri Berisha: Përsa i përket arkës së shteti ato hiqen që të gjitha. Hiqen pa vështirësi. Ka një problem. Janë kompani të cilat ankohen për njëra -tjetrën. Për çështje referencash ankesat më së shumti janë midis kompanive , sepse ai mund të deklarojë një çmim shumë të ulët dhe një çmim jo real. Heqja e referencave për Bashkimin Europian mund të shihet. Referenca është një mbrojtje e pabarazisë që krijon deklarimi i çmimit.

-Problemi tjetër që kemi është ndarja e bizneseve në të vogla dhe të mëdha. Kjo lloj ndarje që është aktualisht për bizneset e mëdha krijon problem. Unë di aktualisht se ka raste që bëjnë xhiro të krahasueshme me mua dhe quhet biznes i vogël. Kjo sjell një lloj çrregullimi të tregut të lirë siç ka edhe biznese që nuk janë regjistruar fare dhe kur ne ankohemi tek tatimet, tatimet thonë se nuk kemi të drejtë ta kontrollojmë se nuk është i regjistruar?

Kryeministri Berisha: Ai agjent tatimor që thotë se nuk kontrollohet ai paguhet prej ti. Ai është  në shkelje flagrante të ligjit dhe agjenti tatimor që të thotë ty se unë nuk mund të kontrolloj një biznes se është i pa regjistruar, është i regjistruar vete tek ai biznes. Jo vetëm që ka të drejtë ta kontrollojë, ka të drejtë të sekuestroje, ka të drejtë ta dyllosë, i ka të gjitha të drejtat në kodin doganor. Autoriteti tatimor është ai lloj autoriteti midis trupës gjyqësore dhe policore. Me atributet e  të dy sistemeve, jo të plota natyrisht. Është një autoritet që të vendos sekuestron dhe të dyllos aktivitetin.

-Problemi i ndarjes së bizneseve?

Kryeministri Berisha:  Gjithnjë dhe është normale dhe në një seri vendesh ka vetëm një sistem dhe ky sistem është TVSH, nga baza deri në krye dhe kjo bëhet, sepse biznesi i vogël , por edhe ndonjëherë biznesi i madh vetë e bënë këtë. Gjejnë mekanizma që të funksionojnë  në një harmoni njëri me tjetrin, por në kurriz të bizneseve të mëdha  të ndershme. Ne kemi ulur nivelin e TVSH, ka qenë më i lartë, nuk e kemi bërë për çdo biznes dhe nuk mund të them se do ta bëjmë, por jemi të vendosur të shqyrtojmë të gjithë problematikën që krijohet. Për këtë ju garantoj. Shkon duke u përmirësuar ky sistem. Ai sistem i qartëson. Dhe vendet me disiplinë më të fortë fiskale kanë vetëm një. Ajo mund të behët, por kur ke një sistem të sigurtë pagese, që rikthen TVSH.

-Unë kooperoj në fushën e biznesit vetëm në import. Merrem me lëndë të para për bukë dhe pastiçeri. Merrem dhe me përpunimin e letrës për paketimin e bukës. Problemi i firmës sime është se importoj një artikull që quhet maja buke dhe e importoj nga Maqedonia dhe paguaj referencë, kur per  22 vitet kam kaluara me faturë?

Kryeministri Berisha: Ju më jeni drejtuar mua dy herë dhe unë e kam ndjekur. Cili është problemi? Problemi i prodhimit të Humulus Lupulus, prodhuesit e saj në Shqipëri kërkojnë një lloj mbrojtje. Unë jam marrë me shqyrtimin  e saj. Ndërhyrja nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër por veçse të nxisim prodhimin e saj, sepse në zonën e Korçës dhe të Pogradecit është e një cilësi shumë të mirë, kjo ka të bëjë me majana e birrës.  Ndërsa për majanë e bukës nuk ka prodhim, por ju garantoj se do ta shqyrtoj këtë çështje. Në rast se nuk ka prodhim vendi  do të ndërhyhet për zgjidhje.

-Për letrën e paketimit të bukës, nuk po funksionon është e rreme, mund të dalin autoritete dhe të shohin se është sërish qesja plastike?

Kryeministri Berisha:  Ke shumë të drejtë dhe të garantoj se do të bëhet gjithçka për zbatimin e ligjit. Nëse vendosëm për të hequr plastikën, vendosëm në interesin më të mirë të çdo qytetari dhe ajo ishte një masë shumë e drejtë, një masë që mbron mjedisin dhe ne do të bëjmë gjithçka që zotërinjtë përgjegjës të mbajnë përgjegjësi për mos për mbushjen e detyrës së tyre. Është një hap shumë i domosdoshëm për të gjitha aspektet. Ju jeni për tu përgëzuar që keni bërë investimin dhe ajo që ndodh është e papranueshme.

-Unë e kam problemin me ligjin e urbanistikës. Nëpër komuna e bashki kanë mbetur specialistë të pa aftë, të cilat nuk mundin dot të hartojnë dokumentacionin. Duhet të ndërhyjë shteti në planet rregulluese nga specialisti i ministrisë, sepse ai specialisti i komunës dhe bashkisë asnjëherë s’ka për të dhënë leje ndërtimi, sepse është i paaftë të shqyrtojë planin rregullues dhe ka frikë të mbajë përgjegjësi personale dhe ndërtuesit nuk mund të ndërtojnë pa lejë ndërtimi?

Kryeministri Berisha: Çështja që ngrite është e rëndësishme  dhe ka marrë përgjigje. Dy javë më parë qeveria ka miratuar ndryshimet përkatëse, çka u autorizon komunave të procedojnë në një mënyrë të caktuar me lejet e ndërtimit. Çfarë ndodhi me këtë. Isha në Korçë, një kryetar komune më tha se kam katër kërkesa për frigoriferë dhe nuk jap dot asnjë për shkak të ligjit, dhe kjo na u bë shumë problem sidomos në komuna. Në fakt në respekt më shumë ishte tek rregullorja. Në përputhje me këtë kërkesë dhe me një vështirësi që të gjitha komunat të bëjnë planin e rregullimit, disa mund ta bëjnë , por disa komuna jo. Kështu që ne kemi gjetur një mekanizëm dhe ministri i brendshëm ka marrë porosi t’jua nisë me postë , pavarësisht nga fletorja zyrtare, në mënyrë të veçantë këtyre vendim të gjithë kryetarëve  të komunave të vendit. Dje unë isha në Hajmel dhe kryetari i komunës u shpreh i kënaqur me ato kompetenca, që në mënyrën më të merituar jua kemi dhënë  mbi territorin. Nuk diskutova gjerësisht nëse kishte dijeni mbi të fundit apo jo, por më la të kuptoj  që kishte dijeni.  Tani ndryshimet unë i gjykoj pozitive. Nuk duhet që kryeministri të vendosë për pallatet në Elbasan as në Tiranë. Nuk shkon kjo është një gjë absurde, por as këshilli nuk duhet të vendosë, në parim parlamentet dhe këshillat vendosin për pronën. Po qe çështje prone atë nuk e vendos as kryeministri as kryetari i bashkisë, nuk e vendos dot pushteti ekzekutiv, ato që janë çështje pronësie. Çështjet e tjera duhet ti vendosë qytetari i parë i qytetit, i komunës , ai të zgjedhe ekipin kompetent. Është përcaktuar qartë që këshilli, që e këshillon do ti japë raport me shkrim ,kryetari ka të drejtë të mos e marrë parasysh, por gjurma është aty, ka vepruar në kundërshtim, ka shkel apo nuk ka shkel  ligjin gjykohet mbi bazën e vendimit të tij. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, i drejtë dhe emancipues  se ndryshe ata e përdorin Këshillin e Rregullimit të Territorit, që të mbulonin mëkatet e tyre. Kishte ndodhur se sjellin në një zonë në Tiranë 5 katësh dhe pallati përfundon 35 kate. Aty kishin përdorur zbatimin e rregullit të territorit të republikës për ta miratuar dhe pastaj ishte bërë pallati 35 kate. Këto nuk mund të ndodhin më. Do të vendoset parimi , sepse lejet e ndërtimit nuk mund të pranohen siç kanë qene 399 ditë në Tiranë. Tirana na nxinte në gjithë botën. Në të gjitha raportet botërore të biznesit ne fundoseshim nga leja e ndërtimit në Tiranë, e cila rezultonte se kërkonte 399 ditë. Tani kemi zbritur në 45 ditë dhe parimi, po nuk dhe përgjigje ai ndërton, nëse behet pasojat janë mbi ty. Po luftojnë burokracinë. Nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po vendosim standarde që vendet e tjera i kanë vendosur prej  30 vitesh.

-Të falenderoj që ke ardhur. Unë nuk e kuptoj këtë njëri, i cili nuk e sheh të mirën dhe nuk i le njerëzit të jetojnë në demokraci. Nuk e kuptoj ku i gjen ai këta njerëz që i shkojnë nga pas?

Kryeministri Berisha:  Pluralizmi është pluralizëm, kjo është normale, por në historinë e saj partia Socialiste është hera e parë në tërë ekzistencën, që bën aleancë me katër parti komuniste të Shqipërisë. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë të themi atë që është, sepse ne kundërshtarë kemi qene, por nuk i ka përfshirë asnjëherë ne aleancë. Kësaj herë doli më moton të bashkohemi me të gjitha ato, për të përmbys Sali Berishën, por e kanë të dështuar. Ky është një projekt i dështuar. Me fosile nuk arrihet fitorja dhe unë ju siguroj se është një keqardhje e madhe se të mbledhësh katër parti komuniste ti fusësh në koalicion, por ato pak vota që i kanë dhe kjo vetëm se të fiksohet se për 800 vota të Hysni Milloshit ti e humbe bashkinë!  Por jo nuk është kjo nuk e humbi bashkinë për 800 vota, bashkinë e humbe, sepse ti  krijove një model që Tirana nuk ta pranoi dhe ky model bazohej tek nënkryetari i tij   që tani u bë kryetar bazohej tek  Koço , tani gjen ngushëllim tek këto parti, por të ardhme nuk ka. Ai e bëri rrotacionin, se ata të dy janë rrotacion. Se ai në 2011 iku ndërsa ky tjetri me 1 prill tha se do të bëj rotacion, në rregull i thash , shko. Ne vazhdojmë dhe shohim përpara.

-Ajo që konstatoj është se në fakultet në fund të vitit kemi tepricë  oferte ekonomistë të diplomuar dhe këtu në fabrikë kemi mungesë ekonomistësh. Keni  ndërmend t’ju jepni një hov shkollave profesionale?

Kryeministri Berisha: Keni shtruar një çështje kryesore. Në rast se e ke ndjekur programin tonë, ne po përpiqemi dhe do të adaptojmë reformat e Hardz  për krahun e punës. Këto reforma kanë dëshmuar një sukses shumë të madh  dhe ne kemi shumë element të tyre, që mund ti zbatojmë dhe janë në zbatim,  kemi të tjera që duhet të zbatohen. Ndër  me seriozet është kualifikimi dhe trajnimi i krahut të punës. Ne kishim një sistem shkollash profesionale, i cili dështoi tërësisht, sepse ishte i tëri ndërtuar mbi shkollat bujqësore. 90 përqind e tij ishte bazuar në këtë model. Po na duhet ta rindërtojmë pothuajse nga e para. Çfarë kemi arritur deri më sot. Kemi arritur të kemi 30 shkolla të vërteta profesionale. Kemi arritur, që këto shkolla të kenë kurikula  gjermane ose zvicerane dhe të kenë edhe ekspertë të këtyre shkollave. Kemi arritur të krijojmë disa qendra të formimit profesional , arritëm dhe ky ishte një sukses i vërtet, të kemi portalin e E-punësimit. Ku do të shkojmë. Ne do të bëjmë gjithçka që sipërmarrja të jetë ajo, e cila të shprehë nevojat  e veta për kualifikimin e punonjësve, ne jemi vendosur të paguajmë shpenzimet për kualifikimin e punonjësve  ne vendosëm, që çdo i ri do të jetë tre vjet pa taksë, por çdo njëri  do të ketë trajnimin falas nga ne. Ne besojmë  se katër vitet që vijnë, ajo që duhet të përqendrohemi shumë pasi ne kemi parimet liberale, ne kemi filozofi të taksave të ulta. Ajo që nuk do injorohet dhe do vendoset në qendër është  krahu i punës. Këtë që më thoni ju ma ngre si shqetësim dhe një ferme lopësh në Shijak. Zonja tha se kemi problem punëtorët e kualifikuar. Kjo kërkon fondet tona të punësimit. Ne kemi fonde dhe nëse fondet e punësimit ju jepen pronarëve për të kualifikuar kaq punëtor, ajo mund të jetë shkolla më e mire. Çështja që shtroni është e drejtë dhe ka të bëjë shumë me rritjen ekonomike. Çfarë ka treguar kriza. Një nga leksionet e mëdha është se Gjermani pati një rënie minus 3 përqind rritja ekonomike, papunësia  e Gjermanisë u rrit vetëm me 0.7 përqind. SHBA pati një rënie minus 1.5 përqind, papunësi u rrit me 4.8 përqind. Pse? Sepse një lloj mos kujdesjeje  ndaj krahut të punës dhe reformimit të tij. Reforma gjermane është në dhjetëvjeçarin e vet dhe është afirmua si model suksesi. Do të jetë një nga reformat e mëdha që ne do të ndërmarrim në katër vitet që vijnë. Tek ne rritja ekonomike prodhon më shumë punësim sesa në proporcionin e vet.

***

Ju falënderoj. Erdha me shumë kënaqësi  tek ju dhe largohem shumë i kënaqur. Më dhatë mundësinë për të bërë një bisedë shumë të hapur  dhe unë ju siguroj se keni shtruar çështje të rëndësishme dhe të dobishme për tu zgjidhur, dhe do të marrin zgjidhje. Mbetemi gjithnjë të hapur për një dialog konstant me biznesin. Fryma e këtij dialogu është frymëzuese për mua, sepse këtu u shtruan çështje të rëndësishme dhe plotësisht të mundshme, për ti zgjidhur, plotësisht të mundshme për ti dhënë një dimension të ri, lirisë së biznesit dhe nxitjes së tij. Ne do të vazhdojmë sëbashku udhëtimin tonë në interesin më të mirë të suksesit tuaj dhe të suksesit të shoqërisë shqiptarë.

Faleminderit për mendimet që dhatë”.


13/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›